Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Minjtë shpëtojnë jetë njerëzish

Sipas gazetës The Citizen e Afrikës së Jugut, zbuluesit e metaleve, të përdorur prej kohësh për të zbuluar minat e tokës, «janë shumë të ngadaltë, sepse sinjalizojnë për çdo copë metali që diktojnë, por që më vonë zbulohet se çfarë është». «Tani përdoret miu gjigant me qese i Gambias, arma më e fundit në përpjekjet për të gjetur më shumë se 100 milionë minat e tokës që janë të shpërndara në përafërsisht 60 vende. Këto mina vrasin ose plagosin mesatarisht 50 veta çdo ditë.» Ky brejtës i madh po përdoret bashkë me zbuluesit e metaleve dhe qentë, për të diktuar minat kundër këmbësorisë, të cilat kanë mbetur në Mozambik që kur mbaroi lufta civile në vitin 1992. «Minat e tokës,​—thuhet në raport,​—janë mbetje të rrezikshme të atij konflikti që gjymtojnë dhe vrasin banorët sot e kësaj dite, përfshirë këtu fëmijët e fshatrave që lindën pasi përfundoi lufta.» Miu gjigant me qese, që e ka marrë emrin nga qeset e mëdha që ka brenda faqeve për të mbajtur ushqimin, jeton në pjesën më të madhe të Afrikës. Ai mund të zbutet me lehtësi dhe është një kafshë e preferuar shtëpiake.

Të ngjitesh apo të zbresësh?

A ndryshon gjë në shëndetin tuaj nëse ngjitni ose zbritni një malore? Studiuesit thonë se mund të ndryshojë diçka në një mënyrë a në një tjetër. Në një mal në Alpe, u bë një studim, ku u përfshinë 45 vullnetarë, të cilët për dy muaj ngjitën një shpat me një pjerrësi 30 gradë dhe zbritën me teleferik. Pastaj, për dy muaj të tjerë bënë të kundërtën. Tufts University Health & Nutrition Letter thotë se në të dyja rastet si rezultat u ul sasia e kolesterolit të keq. Nga studimi doli se «ngjitja ishte më efikase për tretjen e yndyrnave, që quhen trigliceride, [ndërsa] zbritja ishte e mirë për djegien e sheqernave në gjak dhe përmirësonte aftësinë e trupit për ta metabolizuar glukozën në masën e duhur». Sidoqoftë, zbritja është e mirë për diabetikët dhe më e lehtë për ata që sapo fillojnë të bëjnë ushtrime. Ata që banojnë në qytet, mund ta bëjnë këtë ushtrim në ndërtesat e larta, të ngjiten deri lart me ashensor, pastaj të zbresin nga shkallët ose duke shkuar me makinë në majë të një kodre, pastaj të zbresin më këmbë. Gjithsesi, kujdes, sepse gjatë zbritjes e gjithë pesha e trupit bie te gjunjtë.

Shtrati i oqeanit gëlon nga jeta

Një projekt ndërkombëtar i quajtur Regjistrimi i Gjallesave Detare, po drejton një studim të hollësishëm për oqeanin, përfshirë edhe shtratin e tij. Përpara këtij studimi, «njohuria për jetën detare ishte thuajse e kufizuar që nga sipërfaqja deri në thellësinë 200 metra», siç thotë gazeta spanjolle El País. Ngaqë thellësia e oqeanit shkon nga 5 deri 11 kilometra, 95 për qind e tij mbetet e paeksploruar. Për të bërë këtë pjesë të vështirë të regjistrimit, biologët do të përdorin pajisje të sofistikuara për t’i gjetur dhe për t’i fotografuar llojet në vendndodhjen e tyre natyrore, sepse karakteristikat e disave prej tyre, ndryshojnë dukshëm kur dalin në sipërfaqe. Një skuadër me 50 biologë pret të gjejë miliona lloje të reja në thellësirat e oqeanit. Drejtuesi i projektit Pedro-Martines Arbisu, thotë se kanë gjetur 500 lloje vetëm në një metër katror, në shtratin e oqeanit afër bregut të Angolës, Afrikë. Sipas tij, nga këto 500 lloje, «90 për qind janë të panjohura për shkencën dhe duhet t’i përshkruajmë e t’u vëmë emrat».

Çokollata vret qentë

BBC News paralajmëron se çokollata «shkakton të vjella dhe spazma te qentë» dhe «[ata] mund të ngordhin, nëse hanë një sasi të caktuar». Çokollata përmban teobrominë, një kimikat që është helmues për qentë dhe u dëmton zemrën, veshkat dhe sistemin qendror nervor. Raporti thotë se «[200 gramë] çokollatë e zezë mund të jetë fatale për një qen që peshon [25 kilogramë], si për shembull femra Labrador». Edhe 30 gramë çokollatë e hidhur që përdoret për ëmbëlsira, mund ta ngordhë një qen të vogël. Por mund t’u jepni pa merak çokollatat artificiale që shiten në dyqanet për kafshët shtëpiake.

Vjedhja e makinave

Vjedhja e makinave është kthyer në një biznes të madh në qytetin e Meksikos, siç raporton El Universal. Çdo ditë, vidhen rreth 80 makina, të cilat pastaj shiten. Sipas një prokurori, viktimat e preferuara janë burrat që udhëtojnë vetëm, sepse hajdutët mendojnë se gratë kanë prirjen të bërtasin ose kanë me vete fëmijët, gjë që e vështirëson vjedhjen. Të rinjtë nga 18 deri në 25 vjeç përbëjnë 85 për qind të të arrestuarve. Metodat e vjedhjes zakonisht përfshijnë nxjerrjen e shoferit nga makina kur ka ndaluar në një semafor, përplasjen me makinën, që ta detyrojnë shoferin të dalë nga makina, ose sulmin teksa hap garazhin. Gazeta rekomandon që shoferët të mos bëjnë rezistencë, por më mirë të rrinë të qetë​—sidomos kur vjedhësit kanë armë​—dhe të fiksojnë sa më shumë gjëra që kanë lidhje me hajdutët. Që të mund të rimarrin sa më shpejt makinën, viktimat duhet të mbajnë mend numrin e targës, ngjyrën e makinës dhe të raportojnë menjëherë në polici.

Shoferë adoleshentë

Prindërit që kanë dashur të kufizojnë fëmijët e tyre adoleshentë për t’i dhënë makinës, tani mund të gjejnë mbështetje te një studim i kohëve të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, në Shtetet e Bashkuara. Siç raporton botimi ndërkombëtar i The Miami Herald, ky studim «thotë se zona e trurit që pengon sjelljen e rrezikshme, nuk është e formuar plotësisht deri në moshën 25–vjeçare». Më parë, mendohej se pjekuria e trurit arrinte të paktën në moshën 18-vjeçare, kur organet ndijore dhe reflekset arrijnë kulmin e tyre. Megjithatë, statistikat nga Instituti i Sigurimeve për Sigurinë e Autostradave tregojnë se «adoleshentët kanë katër herë më shumë të ngjarë të përplasen sesa shoferët e moshuar dhe tri herë më shumë të ngjarë të humbasin jetën». Kjo gjë provon se ata shpërqendrohen shumë lehtë dhe janë të prirur për të rrezikuar ndërsa i japin makinës.

Kujdes me zbardhuesit e dhëmbëve

Gazeta Milenio e qytetit të Meksikos raporton se specialistët e dhëmbëve në Spitalin Fri Antonio Alkalde në Guadalajara, Meksikë, paralajmërojnë se zbardhuesit e dhëmbëve mund të shkaktojnë dëmtime dhe dhembje. Mund të shkaktojnë «dëmtime në sipërfaqe deri dhe në brendësi» të dhëmbëve, madje mund të mos bëjnë punë fare. Sipas këtyre specialistëve, dhëmbët e shëndetshëm mund të kenë një larmi nuancash, që nga ngjyra portokalli deri te ngjyra gri. Specialistja Rosia-Liljana Ernandes, thotë se, pavarësisht se njerëzit nxiten të mendojnë se dhëmbët e bardhë janë «më të bukurit dhe më të shëndetshmit», ngjyra e bardhë nuk do të thotë medoemos që një njeri ka dhëmbë të shkëlqyer.