Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rehabilitim në burgjet e Meksikës

Rehabilitim në burgjet e Meksikës

Rehabilitim në burgjet e Meksikës

Nga një shkrimtar i Zgjohuni në Meksikë

NDONJËHERË kriminelët futen në burg që të rehabilitohen. Megjithatë, të burgosurin nuk mund ta rehabilitojë vetëm izolimi brenda katër mureve. Motivi për të ndryshuar duhet të burojë nga mendja dhe zemra e tij. Më pas, duhet të pendohet sinqerisht për keqbërjen dhe të ketë dëshirën të ndryshojë sjelljen. Falë veprës së arsimimit biblik të Dëshmitarëve të Jehovait, janë rehabilituar shumë të burgosur anembanë botës. Le t’i hedhim një sy programit të tyre në Meksikë.

Në këtë vend, Dëshmitarët e Jehovait vizitojnë 150 burgje, ku ndjekin një program të rregullt të leximit të Biblës me të burgosurit dhe u mësojnë atyre normat morale dhe doktrinat e Biblës. Për shembull, në burgun e Sjudad-Huarezit të Çiuauas, Dëshmitarët e Jehovait u predikojnë rregullisht gati 1.200 të burgosurve. Të burgosurit kanë respekt të madh për ta dhe, madje, i mbrojnë nga rreziku. Një herë, gjatë një revolte që shpërtheu në këtë burg, disa nga të dënuarit më të dhunshëm e qetësuan turmën, që Dëshmitarët të iknin shëndoshë e mirë.

Revista Zgjohuni, e majit 2001, tërhoqi vëmendjen e të burgosurve dhe të autoriteteve të burgut me serinë e artikujve «A mund të riedukohen të burgosurit?» Në burgun e San-Luis-Rio-Kolorados të Sonorës, 12 Dëshmitarë shpërndanë 2.149 kopje të kësaj reviste.

Kur gjejnë njerëz që tregojnë vërtet interes për Biblën, Dëshmitarët e Jehovait kthehen çdo javë që të japin mësim në klasat biblike dhe të drejtojnë mbledhje fetare. Deri në ç’masë ka ndryshuar jetën e të burgosurve programi i arsimimit biblik?

Të burgosurit bëhen predikues të krishterë

Horheja i hyri rrugës së krimit pa mbushur ende 20 vjeç. Ai u lirua pasi bëri 13 vjet burg në Islas Marias. Jo shumë kohë më vonë iu rikthye trafikut të drogës. U bë një vrasës profesionist, mësoi të zbatonte urdhrat për të vrarë dhe kreu 32 vrasje. Kur u fut përsëri në burg, avokatët e informuan se bosët e tij të mafias ishin të gatshëm të paguanin një shumë të madhe parash për ta liruar. Bosët e mafias dëshironin ta nxirrnin nga burgu që ta urdhëronin të vriste edhe dikë tjetër. Por, ndërkohë Horheja po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Në burg ai kishte përparuar frymësisht deri në pagëzim dhe ishte bërë një predikues në kohë të plotë ose një pionier. A do të pranonte të lirohej dhe të punonte përsëri për bosët e drogës apo do të rrinte në burg dhe do t’i shërbente Jehovait? «Më mirë të qëndroj në burg dhe të paguaj të këqijat që kam bërë,​—u përgjigj Horheja.​—Tani unë i shërbej Perëndisë Jehova, Zotërisë Sovran.» Horheja i qëndroi besnik Perëndisë dhe vdiq me shpresën për ringjallje. Shokët e tij të burgut, të cilët studionin Biblën, thanë: «Ai ‘e njohu të vërtetën dhe e vërteta e liroi’»​—Gjoni 8:32.

Davidi, i cili u dënua me 110 vjet burg për vrasje, rrëmbim personi dhe vjedhje, është mbyllur në një burg të sigurisë së lartë. Por, meqë sjellja e tij ndryshoi shumë falë studimit të Biblës me Dëshmitarët e Jehovait, mori një leje të veçantë për të ndjekur një mbledhje jashtë burgut, i shoqëruar nga një gardian. Ai jeton në përputhje me kërkesat e Biblës, prandaj tani merr pjesë në veprën e predikimit dhe drejton tetë studime biblike me shokët e tij të burgut. Familjarëve u kanë bërë kaq shumë përshtypje ndryshimet e tij, saqë shkojnë tek ai që t’u mësojë Biblën. Davidi thotë: «Nuk lodhem kurrë së falënderuari Jehovain që më liroi frymësisht.»

Si pasojë e programit të arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait, 195 të burgosur të rehabilituar në 79 burgje të Meksikës, janë lejuar të predikojnë dhe 80 prej tyre janë pagëzuar. Ata drejtojnë gjithsej 703 studime biblike me të burgosurit e tjerë. Për më tepër, rreth 900 të burgosur ndjekin mbledhjet që mbahen në burgje.

Lavdërime nga autoritetet

Autoritetet e burgut e vlerësojnë veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Për shembull, drejtuesit e burgut të Tekashit, në shtetin e Jukatanit, u dhanë një Certifikatë Mirënjohjeje për «altruizmin e çmuar dhe për ndihmën humanitare» për të burgosurit në vitin 2002.

Kur Dëshmitarët filluan programin e arsimimit biblik në këtë burg, grupin që mblidhej, e mbikëqyrnin disa gardianë. Por me kalimin e kohës, kur të burgosurit përmirësuan personalitetin, grupi fitoi respektin e gardianëve dhe u caktua vetëm një gardian për t’i mbikëqyrur.

Grupi i Sjudad-Huarezit ka një Sallë Mbretërie. U lejua që një ndërtesë me skelet metalik, të kthehej në një vend adhurimi. Të gjitha ndërtimet i bënë 13 të burgosurit e pagëzuar dhe studentët e tyre. Salla ka një sistem akustik, një banjë, si dhe vende si ato të kinemasë, ku mund të ulen 100 veta. Gati 50 veta janë të pranishëm rregullisht në të pesë mbledhjet që bëhen çdo javë.

Po, të burgosurit mund të rehabilitohen falë arsimimit biblik. Ashtu si personazhi biblik me emrin Manase, mbreti jude që kreu mjaft vepra të liga dhe u burgos në Babiloni, i cili u pendua dhe u lut për falje, edhe të burgosurit sot mund të ndryshojnë personalitetin e të bëhen individë me frikë Perëndie.​—2 Kronikave 33:12, 13.

[Figura në faqet 20, 21]

Pagëzim brenda burgut

[Figura në faqet 20, 21]

Shërbëtorët në kohë të plotë dhe instruktorët e tyre në Shkollën e Shërbimit për Pionierë, brenda një burgu