Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbulim në Red-Bei

Zbulim në Red-Bei

Zbulim në Red-Bei

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Kanada

«NUK është fundi i botës, por ama, që atje mund ta shohësh fundin e saj»,​—mund të thonë disa. Nëse keni vizituar ndonjëherë qytetin Red-Bei, në lindje të Kanadasë, ka shumë të ngjarë që edhe ju ta përshkruanit si një vend që ndodhet pothuajse në fund të botës. Ky komunitet i vogël është strehuar në bregun panoramik të Labradorit, pranë ngushticës së Bel Ajsëllit. Ç’gjë e bën të pashoq dhe tërheqës Red-Bein, këtë qytet të qetë me portin e tij të strukur?

Historia e tij e rrallë

Qyteti gëlon nga vizitorët në sezonin kur mund të shihen balenat. Por nuk ka qenë gjithmonë kjo arsyeja e ardhjes së njerëzve. Më tepër se 400 vjet më parë, balenat e baskëve dhe balenat e Groenlandës gjuheshin për vajin e tyre shumë të çmuar. Sipas një burimi, «kur nuk kishte sasi të mjaftueshme . . . , [vaji i balenës] shitej 10.000 dollarë voza, me valutën e sotme». Gjuetarët baskë të balenave, të cilët vinin nga zona në kufirin mes Francës dhe Spanjës, ishin ndër evropianët e parë që shfrytëzuan pasuritë natyrore të Kanadasë. Ishte kryesisht ky vaj që shërbente për të ndriçuar Evropën. Po ashtu me të lubrifikoheshin makineritë, bëheshin sapunë e artikuj kozmetikë, si dhe përpunohej lëkura, leshi dhe bojërat. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 16-të, Red-Bei ishte porti më i madh në botë i anijeve për balena. Kështu, në Kanada u ngrit një nga strukturat e para industriale​—industria e balenës.

Si e dimë?

Dëshmitë e gjetura në arkivat baske tërhoqën vëmendjen e arkeologëve dhe historianëve për Red-Bein. Dokumentimet tregojnë se gjatë një stuhie në vitin 1565, atje ishte fundosur një galerë tregtare spanjolle me emrin San-Huan.

Nga gërmimet e bëra në ishullin Sadëll, jo shumë larg bregut të Red-Beit, u nxorën objekte që lidhen me industrinë e hershme të balenës. Një nga këto ishte një kokë fuzhnje me dy grremça. Përgjatë brigjeve vizitorët mund të shohin ende grumbuj tjegullash të kuqe spanjolle. Për vite me radhë fëmijët luanin me to. Një banor tha: «Ne i përdornim tjegullat e kuqe si shkumës për të vizatuar dhe për të ngjyrosur piktura në shkëmbinj, pa e ditur aspak se me çfarë po luanim!»

Në verën e vitit 1978, arkeologët që bënin kërkime nënujore, gjetën një dërrasë lisi teksa punonin me një maunë rreth 30 metra larg bregut të ishullit Sadëll. Kjo ishte shumë domethënëse, sepse lisi ishte druri më i përdorur nga ndërtuesit baskë të anijeve dhe nuk gjendet në bregun e shkretë të Labradorit. Gjatë një zhytjeje tjetër ata zbuluan mbetjet e ruajtura jashtëzakonisht mirë, që mendonin se ishin të San-Huanit. Ujërat e akullta të Red-Beit e kishin ruajtur atë. Ajo rrinte në shtratin e detit, në një thellësi gati 10 metra, e mbuluar nga shtresa lymi. Me sa duket, me kalimin e kohës pesha e masave prej akulli e kishte çarë për së gjati anijen, duke e rrafshuar si një libër të hapur. Arkeologët ishin mjaft të emocionuar për këtë zbulim, sepse ishte e para anije tregtare e shekullit të 16-të, pothuajse e padëmtuar, që ishte zbuluar në zonën e Amerikës, në veri të Floridës.

A mund të ishte vërtet San-Huani?

Zhytësit punuan shumë për të nxjerrë pjesët e anijes dhe i numëruan të gjitha ato. Pas një studimi të kujdesshëm, anija u rivendos në shtratin e oqeanit, që të ruhej. Çfarë zbuluan? Kjo anije me peshë gati 300 tonë, u ndërtua për lundrim, e jo për t’u dukur. Të dyja skajet ishin katrore, që të siguronin një kapacitet të plotë për ngarkesat e mëdha me vaj balene që do të ngarkoheshin për në Spanjë. Dokumentimet e hershme për San-Huanin e fundosur tregojnë se anija kishte në bord një ngarkesë të plotë me vaj balene. Pjesën më të madhe të tij e shpëtoi ekuipazhi. Në pjesët më të ulëta të anijes së mbytur, zhytësit zbuluan mbetjet e rreth 450 vozave, të cilat me sa duket i kishin lënë, pasi e kishin pasur tepër të vështirë t’i merrnin. Në bord nuk u gjet asnjë kufomë. Dokumentimet baske nuk përmendin ndonjë të vdekur. Falë këtyre ngjashmërive kërkuesit besuan se ajo anije ishte San-Huani i fundosur. Përveç kësaj, gjatë rrëmimeve në galerën e fundosur, u zbulua një barkë baske për gjuajtjen e balenave, e cila njihet si chalupa. Robert Grenieri, drejtor i arkeologjisë nënujore në agjencinë qeveritare Parks Kanada thotë se chalupa është «një nga arritjet më të mëdha të njerëzve në teknologjinë detare».

Kush e mendonte që Red-Bei i qetë, ka qenë më parë një qendër e begatë dhe e zhurmshme për industrinë e balenave? Është e vërtetë që kohët kanë ndryshuar. Megjithatë, këtu të gjithë mund të shohin gjurmë të vogla të historisë.

[Hartat në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Labrador

Red-Bei

Ngushtica e Bel Ajsëllit

Ishulli Njufaundlend

[Figura në faqen 15]

Model i anijes së supozuar «San-Huan», shkalla një me dhjetë

[Burimi]

Parks Canada Agency, Photographer Denis Pagé

[Figura në faqen 15]

Në cep djathtas: Zhytës që rrëmon në anijen e fundosur

[Burimi]

Bill Curtsinger/National Geographic Images Collection

[Figura në faqen 15]

Në cep djathtas: Balena e baskëve është një lloj në rrezik

[Burimi]

NOAA

[Figura në faqen 15]

Një «chalupa», barkë baske për gjuetinë e balenave, zbuluar në Red-Bei

[Burimi]

Parks Canada/Shane Kelly/1998

[Figura në faqen 15]

Red-Bei

[Burimi]

Fotografi me mirësjelljen e Viking Trail Tourism Association

[Figura në faqen 15]

Tjegulla spanjolle të kuqe që dalin shpesh në breg

[Burimi]

Parks Canada/Doug Cook/1997