Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Chat rooms: Si t’i shmang rreziqet?

Chat rooms: Si t’i shmang rreziqet?

Të rinjtë pyesin . . .

Chat rooms: Si t’i shmang rreziqet?

«Bisedoja rregullisht në chat room për tri ose katër orë në ditë. Disa herë edhe gjashtë ose shtatë orë rresht.»​—Hoseja. *

CHAT ROOMS, si çdo vend tjetër ku të panjohurit lidhen me njëri-tjetrin, përmbajnë rreziqe për të cilat duhet të jesh i vetëdijshëm. Le ta ilustrojmë. Nëse do të vizitoje një qytet të madh, pa dyshim që do të përpiqeshe të zvogëloje çdo rrezik, duke mësuar se cilat janë zonat e rrezikshme dhe pastaj duke i shmangur ato.

E njëjta logjikë zbatohet nëse do të hysh në një chat room. Në revistën Zgjohuni! të 22 shtatorit, u diskutuan dy rreziqe që janë karakteristike për shumë nga chat rooms. Rreziku i parë ishte mundësia për të kontaktuar me maniakë seksualë dhe i dyti, tundimi për të mashtruar. Megjithatë, ka rreziqe të tjera që ia vlen të shqyrtohen. Por më parë, si janë organizuar chat rooms?

Të organizuar me një qëllim

Zakonisht chat rooms janë organizuar sipas disa temave që tërheqin grupe të caktuara njerëzish. Disa chat rooms mund të jenë për ata që janë të dhënë pas një sporti ose një hobi të veçantë. Në disa të tjera njerëzit diskutojnë gjithë entuziazëm për një program televiziv. Të tjera akoma, janë përgatitur për ata që thonë se i përkasin një grupi fetar.

Nëse je një Dëshmitar i Jehovait, kurioziteti mund të të shtyjë të vizitosh një chat room që thotë se aty të rinj Dëshmitarë nga e gjithë bota flasin dhe zënë miqësi të reja. Të zësh miq midis të rinjve që kanë të njëjtin besim me ty, është një synim që ia vlen. Megjithatë, këto chat rooms kanë rreziqe të fshehura për të krishterët. Cilat janë rreziqet?

Paraqesin prishje të moralit

«Isha në një chat room me një grup që thoshin se ishin të gjithë Dëshmitarë të Jehovait,​—thotë një i ri i quajtur Tiler.​—Por pas pak, disa nga ata filluan të flisnin me përçmim për bindjet tona. S’u desh shumë për të kuptuar që ishin apostatë.» Ata me qëllim u munduan të minonin vlerat morale të atyre të rinjve që, sipas tyre, ishin bashkëbesimtarë.

Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, paralajmëroi se disa nga ata që e ndoqën, do t’i sulmonin shokët e tyre. (Mateu 24:48-51; Veprat 20:29, 30) Apostulli Pavël i quajti këta individë të kohës së tij, vëllezër të rremë dhe tha se ata «hynë dhelpërisht» për t’u bërë keq të krishterëve në kongregacion. (Galatasve 2:4) Shkrimtari biblik Juda, thotë se ata ‘hynë pa u ndier’ me synimin që ‘ta kthejnë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë tonë në justifikim për sjellje të shthurur’. (Juda 4) Ai gjithashtu i përshkruan si «shkëmbinj të fshehur nën ujë».​—Juda 12.

Vini re se, edhe Pavli edhe Juda, i zbuluan metodat dhelparake që përdoren shpesh nga apostatët. Këta shkrimtarë të Biblës, vërejtën se apostatët ‘futen tinëz’ ose ‘hyjnë pa u ndier’ me qëllim që t’i korruptojnë moralisht ata që janë në kongregacionin e krishterë. Sot chat rooms janë një maskim i përsosur për të fshehur synimet e tyre djallëzore. Njësoj si shkëmbinjtë e fshehur nën ujë, këta të krishterë të rremë e fshehin qëllimin e tyre të vërtetë me pretekstin se merakosen për të rinjtë e krishterë. Por synimi i tyre është të thyejnë besimin e të rinjve naivë.​—1 Timoteut 1:19, 20.

Kjo revistë, si edhe materiale të tjera të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait, kanë paralajmëruar herë pas here për këtë rrezik të veçantë. * Prandaj, çdo njeri që has në një chat room që supozohet të jetë për Dëshmitarët e Jehovait, edhe sikur të mos jetë apostat, po e shpërfill këtë këshillë. A do me të vërtetë t’i kesh shokë ata që shpërfillin drejtimin e bazuar në Bibël?​—Proverbat 3:5, 6; 15:5.

Kurthi i izolimit

Një tjetër aspekt i chat rooms që bën mirë t’i kushtosh vëmendje është sasia e kohës që të merr. Hoseja i përmendur në hyrje të këtij artikulli, thotë: «Disa herë përpihesha kaq shumë nga biseda, saqë harroja të haja.»

Mbase ti nuk je kaq i dhënë pas chat rooms si Hoseja. Gjithsesi, kohën që të duhet për të biseduar në Internet, duhet ta blesh nga aktivitete të tjera. Zakonisht detyrat e shkollës ose punët e shtëpisë nuk lihen pas dore. Gjëja e parë që sakrifikohet mund të jetë komunikimi me familjarët. Adriani, që jeton në Spanjë, thotë: «Sapo mbaroja së ngrëni, ngrihesha menjëherë nga tavolina për të hyrë në chat room. Isha dhënë kaq shumë pas tyre, saqë pothuajse nuk flisja fare me familjarët.»

Në mënyrë të ngjashme nëse po harxhon kohë të vlefshme në chat rooms, po e izolon veten nga njerëzit që janë më të rëndësishmit për ty. Bibla na jep këtë paralajmërim domethënës: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» (Proverbat 18:1) Të panjohurit që takon në shumë chat rooms, s’të inkurajojnë të jetosh në përputhje me mençurinë praktike që gjendet në Bibël. Ka më shumë gjasa që të të inkurajojnë të ndjekësh interesa egoiste dhe të të joshin të mos ndjekësh standardet morale të krishtere.

Është e vërtetë se një nga aspektet joshëse të chat rooms është se mund ta kesh më të lehtë të flasësh me ata që takon aty, sesa me pjesëtarët e familjes. Ata me të cilët bisedon në chat rooms mund të të duken të paduruar për të dëgjuar mendimin tënd për çështjet dhe mbase i shprehin hapur ndjenjat e tyre. Nga ana tjetër, pjesëtarët e familjes mund të të duken sikur janë shumë të zënë për t’ua vënë veshin gjërave që të interesojnë, dhe mund ta kenë të vështirë të t’i shprehin lirshëm ndjenjat.

Megjithatë, pyet veten: ‘A e dinë ata me të cilët bisedoj se kush jam unë në të vërtetë? A janë me të vërtetë të interesuar për mirëqenien time afatgjatë?’ Zakonisht ata që kujdesen më shumë për shëndetin tënd emocional dhe frymor janë pikërisht pjesëtarët e familjes, apo jo? Nëse prindërit po mundohen të jetojnë sipas standardeve të Biblës, janë shumë të interesuar të flasin me ty. (Efesianëve 6:4) Nëse ua shpreh mendimet dhe ndjenjat me respekt, për çudi ata mund të të përgjigjen më ngrohtë nga ç’pret ti.​—Luka 11:11-13.

Shmang rreziqet

Mbase ke një arsye të fortë për t’u futur në një chat room, për shembull kur duhet të punosh për një detyrë që të është dhënë në shkollë. * Nëse është kështu, mund të sigurohesh që chat rooms nuk do të bëhen një lak për ty, duke ndjekur disa masa paraprake të thjeshta.

Së pari, shmang përdorimin e Internetit kur kompjuterin e ke në dhomën tënde dhe je vetëm. Do të ishte njësoj sikur të endeshe kuturu në një rrugë të errët në një qytet të huaj. Kështu do t’i hapje vetes telashe. Në vend të kësaj, mbaje kompjuterin në një pozicion që të tjerët të të shohin kur e përdor.

Së dyti, fol më shumë me prindërit duke u treguar se në çfarë siti do të futesh dhe arsyet pse ke nevojë të hysh në një chat room të veçantë. Gjithashtu, vendos një kohë të caktuar sa do të rrish, dhe ji i vendosur ta zbatosh këtë.

Së treti, që të mbrohesh nga ngacmimet seksuale, instalo programe kompjuterike që kontrollojnë automatikisht përmbajtjen e mesazheve që të vijnë dhe që fshijnë ato me përmbajtje të papërshtatshme. Nëse je futur në Internet dhe të vijnë ftesa të tilla ngacmuese, tregojua menjëherë prindërve ose mësuesit. Në disa vende, të rriturit që e dinë se je minoren dhe përsëri të ngacmojnë me mesazhe provokuese ose materiale të tjera pornografike, janë duke kryer një akt kriminal. Prandaj kjo duhet raportuar në polici.

Po ashtu, kurrë mos ia jep emrin, adresën, emrin e shkollës që ndjek, ose numrin e telefonit dikujt që e takon në chat room. Dhe asnjëherë mos prano ndonjë ftesë për t’u takuar ballë për ballë.

Ndonëse janë shkruar mijëra vjet më parë, fjalët e mbretit të mençur Solomon janë të përshtatshme për rreziqet që paraqesin chat rooms: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»​—Proverbat 22:3.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 21 Shih Zgjohuni! e 22 janarit 2000 (anglisht) faqja 20.

[Figura në faqen 18]

Është e mençur t’u tregoni prindërve se në cilin chat room do të hyni