Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fuqia e gazetave

Fuqia e gazetave

Fuqia e gazetave

Kur Lufta I Botërore i dha fund monarkisë në Gjermani, në Berlin e mori pushtetin një qeveri social-demokrate. Komunistët u përpoqën ta rrëzonin qeverinë e re. Si komunistët, ashtu edhe qeveria mendonin se të kishe në dorë shtypin, do të thoshte të kishe nën kontroll jo vetëm opinionin publik, por edhe vetë njerëzit. Kështu filloi një betejë e ashpër për të marrë pushtetin mbi shtypin.

GJATË shekujve të kaluar, gazetat kanë ndikuar te kultura e politika, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në tregti dhe kanë ndikuar në jetën e miliona njerëzve. Po në jetën tuaj, ç’rol luajnë ato?

Në vitin 1609, me sa duket, Gjermania u bë vendlindja e gazetës së parë në Evropë. Sot, në disa vende, gati 3 në çdo 4 veta mbi moshën 14-vjeçare e lexojnë çdo ditë gazetën. Ndërsa në disa vende në zhvillim, për çdo 1.000 banorë ka më pak se 20 kopje të gazetave të përditshme, Norvegjia ka më shumë se 600. Në mbarë botën janë rreth 38.000 gazeta që konkurrojnë për numrin e lexuesve.

Kudo, gazetat e informojnë publikun për çështje të rëndësishme. Por nuk bëjnë vetëm kaq. Ato japin informacione rreth të cilave shumë njerëz formojnë opinionet e veta. «Leximi i përditshëm i gazetës,​—thotë Diter Ofenhoizëri i Komisionit Gjerman për UNESCO-n,​—ndikon në qëndrimin, sjelljen e madje edhe në vlerat tona morale themelore.»

Historianët thonë se gazetat kanë ndezur, mbështetur dhe përligjur luftërat. Ata përmendin Luftën Franko-Prusiane të periudhës 1870-1871, Luftën Amerikano-Spanjolle të vitit 1898 dhe Luftën e Vietnamit në vitet 1955-1975. Shumë tregtarë, shkencëtarë, yje të artit dhe politikanë kanë hyrë në telashe për shkak të ndonjë skandali të botuar në gazeta. Në skandalin Uotergejt, në mesin e viteve 70, gazetarët që merreshin me zbulimin e korrupsionit, u bënë shkas për një sërë ngjarjesh që e detyruan të jepte dorëheqjen presidentin e Shteteve të Bashkuara, Riçard Niksonin. Po, për mirë a për keq, duhet marrë parasysh që shtypi mund të ketë një pushtet të madh.

Si u bë kaq i pushtetshëm? Sa të besueshme janë ato që lexojmë në gazeta? Si të bëjmë kujdes, që gazetat të na sjellin dobi?

[Figura në faqen 3]

Beteja në Berlin për të marrë pushtetin mbi shtypin, pas Luftës I Botërore