Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hikama—Një ushqim i lehtë dhe i shëndetshëm meksikan

Hikama—Një ushqim i lehtë dhe i shëndetshëm meksikan

Hikama—Një ushqim i lehtë dhe i shëndetshëm meksikan

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë

Gjethet dhe bishtajat e hikamës, një bishtajore përdredhëse, nuk ta hapin oreksin. Kjo është diçka e mirë, pasi ato nuk janë të ngrënshme. Thesari i ngrënshëm gjendet nën sipërfaqe: ai është zhardhoku i bimës.

Meksikanët e hanin hikamën që në lashtësi. Emri i saj vjen nga gjuha nahuatl dhe do të thotë «që shijohet». Të shkon goja lëng sapo sheh fotografinë e një ushqimi të lehtë e të mirënjohur meksikan, i cili bëhet me feta hikame të gjallë, me kripë dhe lëng limoni sipër, ku shtohet një lloj piperi i kuq i bërë pluhur.

Çfarë shije ka hikama? Disa thonë se ajo vjen pak si shije molle dhe pak si shije gështenje. Bima e hikamës rritej në fillim në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore, por u përhap edhe në vende të largëta si: Filipine, Kinë dhe Nigeri. Sot ajo kultivohet në shumë vende dhe gatuhet në mënyra të ndryshme: piqet në skarë, bëhet turshi, përdoret në sallatë dhe bëhet supë.

Në kuzhinën orientale hikama përdoret në vend të gështenjës. Një veçanti e kësaj perimeje është se mbetet e fortë edhe pas gatimit. Kjo është e vërtetë sidomos për hikamën e qumështit, e cila ndryshe nga hikama e ujit, nxjerr një lëng që ngjan si qumësht. Është interesante se të dyja llojet mund të vijnë nga e njëjta farë.

Hikama është një ushqim i lehtë shumë i mirë. Është ushqyese, freskuese, e lëngshme, kërcet nëpër dhëmbë, tretet lehtë dhe ka pak kalori. Analiza që bëri një institut ushqimor tregoi se 100 gramë patatina përmbanin 540 kalori, ndërsa e njëjta sasi hikame kishte vetëm 40! Gjithashtu, ajo përmban kalcium, fosfor dhe vitaminë C.

Siç e përmendëm, përveç zhardhokut, pjesa më e madhe e bimës së hikamës nuk është e ngrënshme, por kjo nuk do të thotë se pjesët e tjera të saj s’janë të dobishme. Farat e bishtajave përmbajnë një sërë përbërësish, me të cilët përgatitet një insekticid i efektshëm. Ato përdoren si të tilla pasi shtypen dhe kthehen në pluhur. Farat përdoren edhe në disa produkte dermatologjike. Kurse kërcejtë kanë fibra të forta që mund të përdoren për të bërë rrjeta peshkimi.

Zhardhokët e hikamës arrijnë madhësi të ndryshme, nga ato me peshë më pak se 300 gramë deri në më shumë se 1 kilogram. Mund të ruhen në frigorifer për afro tri javë. Për t’i përdorur, vetëm duhet t’i lash, t’i qërosh dhe t’i heqësh shtresën e jashtme fijezore, përveç rastit kur janë shumë të reja.

Prandaj nëse hikama rritet në vendin tuaj, përse të mos e provoni si një ushqim të lehtë? Mund t’ju bëjë mirë për shëndetin!