Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Morëm fuqi nga Perëndia

Morëm fuqi nga Perëndia

Morëm fuqi nga Perëndia

TREGUAR NGA ESTER GAITANI

«Të kemi rrëmbyer mamanë. Mos bëj gabim të marrësh në telefon policinë. Vetëm prit telefonatën tonë nesër herët në mëngjes.»

KJO ishte telefonata që mori motra e vogël për mamanë tonë, Esterin, një të martë të vitit të kaluar. Mora vesh për telefonatën, sapo u ktheva me burrin, Alfredon, nga një mbledhje në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait. Kur shkuam në shtëpinë e prindërve në qytetin e Meksikos, të afërmit tashmë ishin atje. Motra e vogël dhe vëllai ishin shumë të pikëlluar dhe motrat e mamasë po qanin.

Babai dhe vëllai i madh ishin në një udhëtim të largët për çështje pune. Pasi i morëm në telefon, të gjithë ramë dakord se gjëja më e mirë ishte të lajmëronim policinë. U lutëm për ndihmë gjatë tërë asaj nate stresuese. E ndiem vërtet se Perëndia po na jepte ‘fuqi përtej asaj që është normale’.​—2 Korintasve 4:7.

Mëngjesin tjetër iu përgjigja unë telefonatës së rrëmbyesve. Edhe pse isha shumë nervoze, arrita të flitja me qetësi. Rrëmbyesi donte të fliste me babanë, por i thashë se nuk ishte në qytet. Pastaj burri tha se do të pritnin derisa të kthehej babai që të bisedonin. Më paralajmëroi se, po të mos paguanim një shumë të madhe parash, do ta vritnin mamanë.

Ditën tjetër përsëri iu përgjigja telefonatës. Meqë dukesha e qetë pavarësisht nga kërcënimet, rrëmbyesi më tha: «Nuk e kupton sa e rrezikshme është situata?»

«Sigurisht,​—iu përgjigja.​—Ju rrëmbyet mamanë. Por, ne jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe kemi siguri të plotë se Perëndia ynë do të na ndihmojë. Gjithashtu, Bibla na përgatit për t’i përballuar këto kohë të vështira, në të cilat po jetojmë.»

«Po, po. I di të gjitha këto,​—u përgjigj ai.​—Edhe mamaja jote thotë të njëjtën gjë. Ajo beson te Perëndia i saj dhe ka shumë besim te ju.» Kështu, e kuptuam që mamaja mbante një besim të patundur dhe kjo na forcoi.

Ndihmë për të qëndruar të fortë

Ndërsa ditët kalonin, të bashkëkrishterët na telefononin dhe na dërgonin kartolina dhe e-mail. Vazhdonim të ndiqnim mbledhjet dhe të merrnim pjesë në veprën e predikimit. Gjithashtu, na ngushëllonte leximi i përditshëm i Biblës dhe i literaturës biblike. Mbi të gjitha, lutja na jepte ‘paqen e Perëndisë’.​—Filipianëve 4:6, 7.

Një polic na tha: «Kam nëntë vjet që punoj në rajonin e policisë dhe kam parë shumë familje të dëshpëruara, por ju jeni ndryshe. Ju jeni shumë të qetë. Jam i sigurt se kjo ka të bëjë me Perëndinë që adhuroni.»

Ne i treguam serinë e artikujve «Rrëmbimi: Përse është një kërcënim botëror?» të revistës Zgjohuni!, 22 dhjetor 1999, (anglisht) të cilën e kishim rishikuar. Ai e lexoi dhe na kërkoi kopje të tjera. Gjithashtu, shprehu dëshirën për t’i njohur më mirë Dëshmitarët e Jehovait.

Më në fund, pasi biseduam për 15 ditë, rrëmbyesit e lanë të lirë mamanë. Ishte mirë, edhe pse e kishin izoluar në një dhomë të vogël dhe ia kishin lidhur këmbët me zinxhirë. Sidoqoftë e kishin trajtuar me respekt dhe i kishin dhënë ilaçet që zakonisht i përdorte për diabetin dhe tensionin e lartë të gjakut.

Mamaja na tregoi si ia doli mbanë. «Në fillim,​—pranon ajo,​—isha shumë e frikësuar, por fillova t’i lutesha Jehovait dhe ai nuk më la të dëshpërohesha. Kurrë nuk u ndjeva e vetmuar brenda katër mureve. Zbulova sa real ishte Jehovai për mua; ai kurrë nuk më braktisi. I kërkova ndihmë për të shfaqur frytin e frymës, sidomos durimin.

Falë ndihmës së Perëndisë kurrë nuk qava dhe asnjëherë nuk më zuri paniku. I kalova ditët duke kujtuar vargje biblike, si dhe duke kënduar me zë të lartë këngët e Mbretërisë. Disa herë imagjinoja sikur isha në mbledhjet e krishtere dhe mendërisht merrja pjesë në to. Gjithashtu, imagjinoja sikur predikoja dhe drejtoja studime biblike. E kisha kaq të zënë mendjen me këto gjëra, saqë koha iku shpejt.

Madje, pata rastin t’u dëshmoja rrëmbyesve për besimin tim. I predikoja gjithmonë kujtdo që më sillte ushqim, edhe pse m’i kishin lidhur sytë. Për shembull, një herë i thashë rrëmbyesit se Bibla i kishte parashikuar kohët e vështira që jetojmë dhe se e kuptoja që kishin shumë nevojë për para. I thashë se Perëndia Jehova ka fuqi absolute, por kurrë nuk abuzon me të. Pastaj iu luta të mos abuzonin me mua, por të ishin njerëzorë.

Rrëmbyesi më dëgjoi dhe më tha të mos shqetësohesha, sepse nuk do të më bënin keq. I jam mirënjohëse Jehovait që më mbështeti në ato momente të vështira dhe jam më e vendosur se kurrë që të vazhdoj t’i shërbej si pioniere e rregullt [shërbëtore në kohë të plotë] për aq kohë sa të mundem.»

Pa dyshim që kjo sprovë e afroi si mamanë ashtu edhe të gjithë ne me Jehovain. Nuk gjejmë dot fjalë për të shprehur mirënjohjen që kemi ndaj Tij që mamaja është përsëri në shtëpi. Ngushëllohemi, sepse e dimë se nën Mbretërinë e Perëndisë nuk do të ketë më ngjarje tronditëse si këto. Ndërkohë familja dhe unë mund të dëshmojmë për vërtetësinë e fjalëve të psalmistit të Biblës: «I drejti heq shumë të këqija, por Jehovai e çliron nga të gjitha.»​—Psalmi 34:19.