Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një konflikt që më ndryshoi jetën

Një konflikt që më ndryshoi jetën

Një konflikt që më ndryshoi jetën

TREGUAR NGA MAJKËLL MOLINA

«Republika e Vietnamit i dha nënoficerit Molina Dekoratën e Trimërisë për luftën e Vietnamit,​—raportonte gazeta ushtarake ‘Tester’ e Merilendit, SHBA.​—Më vonë Molina mori një yll të artë, medalja e dytë e nderit për guximin dhe qëndrimin e tij të palëkundur gjatë një përleshjeje me artileri të rëndë. Më 6 qershor 1968, mori një tjetër yll të artë kur parandaloi eliminimin e një patrulle të rëndësishme gjatë një përleshjeje me guerilasit komunistë vietnamezë.»

GJITHSEJ, mora pjesë në 284 misione luftarake ajrore dhe u dekorova me 29 medalje. Tani shërbej si lajmëtar i krishterë në një lloj tjetër lufte, për të cilën Bibla thotë: «Armët e luftës sonë nuk janë sipas mishit.» (2 Korintasve 10:4) Ja se si ndodhi që bëra këtë ndryshim në jetën time.

Çikagoja ndodhet në veri të Ilinoisit, SHBA, dhe gjithnjë e rreh një erë e fortë që fryn nga liqeni Miçigan. Më 1 shkurt 1947, ditën kur linda, jo vetëm që frynte, por bënte acar. Meqë babai kishte shërbyer në Luftën e II Botërore, dy mjekë ushtarakë e ndihmuan nënën të më sillte në jetë. Kur isha dhjetë vjeç, prindërit u transferuan në Los Anxhelos, Kaliforni. Vëllanë, motrën dhe mua na çuan në një shkollë katolike.

Teksa rritesha luaja bejzboll dhe futboll nëpër rrugë e parqe të braktisura, por luaja edhe luftash me pushkë e automatikë druri që i bënim vetë. Vitet 60, kur hyra në shkollë të mesme, ishin vite të ndryshimeve rrënjësore në mentalitetin dhe qëndrimin e njerëzve. Vrasja e udhëheqësve shoqërorë dhe politikë, përfshirë këtu edhe vrasjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara më 1963, protestat, djegia e flamurit amerikan dhe demonstratat e dhunshme, ishin skenat e zakonshme të ditës. Në atë kohë, ashtu si shumica e shokëve të klasës isha i shqetësuar se mos më thërrisnin ushtar.

Pak kohë pas diplomimit në 1966-n, më thirrën për të bërë një vizitë të përgjithshme mjekësore, e cila doli shumë mirë. Megjithatë, në vend që të hyja në ushtri, u futa në marinë. Ngaqë më tërhiqnin helikopterët, dola vullnetar për të marrë pjesë në një skuadër me helikopterë sulmues. Në nëntor të vitit 1967, pak pasi kisha marrë stërvitjen bazë, u gjenda në kryeqytetin e Vietnamit, në Sajgon.

Përvojat e para të luftës

Jo shumë kohë më pas, shkova në një aeroport të vogël, ku ishin katër helikopterë Hjui. Disa nga skuadra jonë, e cila përbëhej nga 30 marinarë, fjetën në aeroport, kurse të tjerët u rregulluan në një ndërtesë dykatëshe që ishte gjashtëmbëdhjetë kilometra larg. Natën e parë, u zgjova papritmas nga zhurma e plumbave që goditnin ndërtesën. U rrokullisa nga shtrati dhe qëndrova i shtrirë përdhe për disa sekonda. Kur dëgjova të shtëna lart, u drejtova te shkallët dhe u ngjita në çati. Dikush më dha një pushkë. Luftuam gjithë natën të zbathur e vetëm me të brendshmet.

Pas tri ditë luftimesh të ashpra​—të rrethuar dhe të shkëputur plotësisht nga pjesa tjetër​—mbetëm pa bukë e pa ujë dhe na kishin mbetur pak municione. Oficeri i komandës dha urdhrin: «Sapo të zbardhë, do të vrapojmë drejt aeroportit!» Na u desh të kalonim përmes një qyteti të vogël që ishte përpirë nga flakët. Ndërsa çanim rrugën përmes qytetit dëgjonim të shtënat e armëve dhe të automatikëve. Ngado që hidhje sytë kishte të vrarë.

Ia dolëm të shkonim në aeroport, ku situata ishte po njësoj. Hapëm llogore përqark aeroportit dhe u përpoqëm t’i ndalonim kundërshtarët të përparonin. Herë pas here, guerilasit vietnamezë hynë në territorin tonë dhe pushtuan aeroportin; vranë shumë nga tanët, përfshirë këtu edhe komandantin. Qëndrova në llogore për disa javë, pa bërë dush e pa u ndërruar. Pastaj, një helikopter na çoi në një bazë tjetër ushtarake.

Pas luftimeve në ditët e para, vendosa të stërvitesha të qëlloja me armë nga dera e helikopterit. Pas disa ditësh u bëra pjesë e ekuipazhit të një helikopteri. Misionet luftarake ishin të zakonshme; disa herë fluturoja tre ose katër herë në ditë.

Pasojat e luftës

U trondita kur pashë aq shumë vrasje. Në të njëjtën kohë, mendoja për protestat kundër luftës që po bëheshin në Amerikë. A nuk po luftonim për lirinë? A nuk po rrezikonim jetën tonë që të tjerët të jetonin më mirë? Gjithsesi, pyesja veten ku qëndronte drejtësia në luftë. Cilët do të përfitonin? Vietnamezët? Ata kishin vite që duronin luftën, madje që përpara se të vinim ne. Tani kishte veçse më shumë vdekje dhe vuajtje.

Isha i ri dhe nuk merrja vesh nga politika që fshihej pas luftës. Le që s’kisha as kohë të mendoja për të. Dija vetëm që kisha misione për të kryer me helikopter dhe një detyrë për të përmbushur pasi për këtë isha stërvitur në fund të fundit. Marinarët thoshin: «Jemi stërvitur për të luftuar, jo për të menduar.» I premtova vetes, sidoqoftë, se nëse do të mbetesha gjallë, do të hetoja seriozisht për të gjetur arsyen pse po luftonim.

Lufta në Vietnam më shtyu të bëja diçka që nuk isha përgatitur ta përballoja​—të merrja drogë. Kur isha adoleshent, kisha pirë duhan, birrë e uiski në fundjavë, si dhe shkoja nëpër mbrëmje. Po kurrë s’kisha pirë drogë. Në Vietnam gjërat ndryshuan. Disa nga shokët më thoshin: «Pse jo Majk? Nesër do të vdesësh që do të vdesësh.» Kështu që, disa herë pija edhe unë me ta.

Në luftë s’ka vend për drogat halucinogjene, prandaj u betova se nuk do të pija drogë para se të nisesha me mision. Megjithatë, kur u ktheva në shtëpi, nisa të pija drogë dhe u kapa në rrjetën e saj.

Pas luftës

Kur u ktheva në shtëpi, në Kaliforni, në tetor të 1970-s, pikëpamja ime për jetën kishte ndryshuar rrënjësisht. Pavarësisht se hyra në ushtri që të ndihmoja të fitonim lirinë, kuptova se më kishin shfrytëzuar. Përbrenda zieja nga inati dhe urrejtja. U bëra tip i padëshirueshëm për të gjithë dhe nuk kisha më ndjenja patriotike.

Kaloja ditë të tëra duke pirë marihuanë dhe droga të tjera ndërkohë që rregulloja motorin tim në garazhin e prindërve. Duke u menduar thellë për gjendjen e zymtë ku kisha rënë dhe për çfarë kishte ndodhur në Vietnam, vetëm sa bëhesha keq e më keq. Ndërgjegjja nisi të më trazonte. Më rritej dëshira për të hetuar lidhur me luftën e Vietnamit.

Qeveria u dha veteranëve të luftës ndihmë financiare për t’u arsimuar më tej, kështu që u regjistrova në një kolegj shtetëror. Më vonë hyra në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë, në Los Anxhelos. Atje zura disa shokë që kishin protestuar kundër luftës në Vietnam, si edhe të tjerë që kishin marrë pjesë në luftë. Diskutonim gjatë për luftën dhe kushtet botërore. Asnjëri nga ne nuk kishte përgjigje të kënaqshme; të gjithë ishim të pështjelluar.

Përpjekje për të ndihmuar dhe për të marrë ndihmë

Shumë nga ne kishin probleme emocionale dhe psikologjike. U shtyva të bëja diçka për t’i ndihmuar. Prandaj, në shkollë u specializova për çrregullimet psikologjike. Meqë isha përfshirë në luftë dhe në vrasje, vendosa të punoja për t’i kompensuar të gjitha ato që kisha bërë. Kështu, nisa të punoja në spitalet që kishin pacientë me çrregullime mendore.

Droga qarkullonte në çdo konvikt të universitetit, dhe pashë se ishte rrënja e shumë problemeve. Doja të përparoja me studimet dhe t’i ndihmoja pacientët me probleme psikologjike. Kështu që hoqa dorë plotësisht nga droga, dhe ia kushtova kohën dhe energjitë e mia studimeve dhe punës. Por, si terapist, nuk shihja ndonjë përparim të madh te pacientët e mi.

I zhgënjyer me sistemin dhe me ndërgjegjen që më torturonte, kërkoja lehtësim nga ankthi. Fillova të lutesha dhe të shkoja në kishë. Meshat në Kishën Katolike nuk më mësonin ndonjë gjë kushedi se çfarë. Prandaj nisa të shkoja në kishë, mbrëmjeve. Hyja, ndizja një qiri dhe lutesha përpara figurave. Midis tyre ishin Jezui i varur në një kryq, Maria me një thikë të ngulur në zemër, si edhe figurat e të ashtuquajturve shenjtorë.

Fillova të mendoja: ‘Sa vend i ftohtë dhe i zymtë që është kisha! A mund të jetë me të vërtetë fryma e Perëndisë këtu?’ Kisha nevojë të merrja zemër dhe të gjeja përgjigjet. Boll kisha parë vuajtje. Prandaj, një natë dola nga kisha dhe shkova të lutesha në park. Vështrova yjet dhe mbase për herë të parë në jetën time, u përpoqa sinqerisht të flisja me Krijuesin tim.

Mësoj të vërtetën biblike

Për t’u larguar pak nga stresi i punës në spital, një fundjavë shkova te një mik i vjetër, Geri. Një ditë ndenjëm pak në dhomën e ndenjes duke parë televizorin. Lajmet flisnin për përpjekjet për të akuzuar presidentin Nikson. Folëm për korrupsionin që ekzistonte në çdo fushë të jetës, dhe shpreha mendimin se më kishin mashtruar për sa i përket luftës në Vietnam.

Alva, e shoqja e mikut tim, na dëgjoi rastësisht dhe doli nga kuzhina. Ajo tha se ngjarjet që po diskutonim, ishin përmbushje e profecive të Biblës. «E ç’lidhje kanë problemet e një presidenti me profecitë e Biblës?»​—pyeta unë. Alva shpjegoi se së shpejti, Mbretëria e Perëndisë që është në duart e Krishtit Jezu, do t’i zëvendësojë të gjitha qeveritë e korruptuara. Njerëzit do të jetojnë përgjithmonë në paqe mbi një tokë që do të kthehet në parajsë. (Danieli 2:44; Zbulesa 21:3, 4) Alva përmendi lutjen e Zotërisë, me anë të së cilës kërkojmë të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë, ashtu si në qiell.​—Mateu 6:9, 10.

E kuptova se vërtet kemi nevojë për udhëheqjen hyjnore që të kemi qeveri më të mirë dhe paqe të vërtetë mbi tokë. (Eklisiastiu 8:9; Jeremia 10:23) Lidhur me mundësinë për të jetuar përgjithmonë, mbaja mend se atomet që formojnë trupin tonë, zëvendësohen brenda një kohe shumë të shkurtër. Edhe pse disa nga gjërat që tha Alva më dukeshin si ëndrra me sy hapur, përsëri m’u zgjua kureshtja. Doja të shpaguaja për gjithë ato dëme që kisha shkaktuar dhe t’i ndihmoja ata që vuanin të gjenin lehtësim. Alva më sugjeroi të shkoja në Sallën e Mbretërisë, ku mund të mësoja më shumë.

Bill Akina ishte një shërbëtor në kohë të plotë në kongregacion. Kishte qenë në marinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndaj mund të më kuptonte shumë mirë si ndihesha. Mbi të gjitha, e njihte mirë Biblën. Bashkë me të shoqen iu përgjigjën pyetjeve të shumta që u bëra vetëm duke përdorur Shkrimet. Ndërsa përparoja me studimin, shihja se me gjithë përpjekjet e mira për të ndihmuar të sëmurët në spital, mund t’u jepja vetëm një lehtësim të përkohshëm atyre. Nga ana tjetër, duke i ndihmuar njerëzit të fitonin njohuri të saktë për Biblën, do të thoshte jetë të përhershme për ta nëse do të besonin dhe nëse do të jetonin në harmoni me këtë njohuri.​—Gjoni 17:3.

Me Billin studiuam librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme (anglisht). U pagëzova në simbol të kushtimit tim ndaj Perëndisë, në korrik të vitit 1974. Gjashtë muaj më pas, u bëra pionier, kështu quhen mes Dëshmitarëve të Jehovait ata që shërbejnë si lajmëtarë në kohë të plotë. Në të njëjtën kohë, lashë universitetin dhe punën në spital. Që të mbaja veten, punoja natën nëpër banka si pastrues apo mirëmbajtës. (1 Selanikasve 4:11) Miqtë dhe familja mendonin se kisha luajtur mendsh.

Pasi shërbeva si pionier për një vit në Kaliforni, fillova të mendoja se si mund të bëja më shumë në shërbim të Jehovait. Vendosa si synim veprën e misionarit në territore të huaja. Pas disa vitesh shërbimi si pionier, mora ftesën për të ndjekur Shkollën Biblike Watchtower të Galadit, që atëherë bëhej në Bruklin, Nju-Jork. Isha në klasën e 66-të dhe u diplomova më 11 mars 1979, në qytetin Long-Ajzlënd, Nju-Jork.

Ndryshime në caktim

U caktova në Guatemalë, Amerika Qendrore, ku shërbeva si misionar për gati një vit. Pastaj më ftuan të punoja në një shtypshkronjë të vogël në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në kryeqytet, në Guatemala Siti. Në 1981-shin u martova me Lupitën, një pioniere vendëse; edhe atë e ftuan në zyrën e degës. Më vonë, në 1996-n, shtypshkronja jonë në Guatemala u mbyll, sepse nisëm t’i merrnim botimet nga dega e Meksikës.

Në vitin 1984, na lindi një vajzë, Stefania. Megjithatë, ende mund të shërbeja në zyrën e degës. Kjo vazhdoi edhe pasi Lupita lindi Mishelin në vitin 1987. Nuk ishte e lehtë të jetoja në një shtëpi jashtë zyrës së degës, dhe të ecja gati 10 kilometra çdo ditë për të shkuar në zyrë. Por, ishte një privilegj të shërbeja në këtë caktim, dhe familja më ka mbështetur shumë.

Tani Lupita dhe Stefania janë pioniere, kurse Misheli është lajmëtar i pagëzuar. Këtë vit ai mbaron studimet në një shkollë profesionale, dhe ka si synim të fillojë shërbimin e plotkohor. E di se i gëzojmë këto privilegje të veçanta, jo për shkak të aftësive tona personale, por për shkak të dashamirësisë së pamerituar të Jehovait. Ai është një Perëndi i dashur, dhe përdor çdo njeri që ka një frymë gatishmërie dhe që i drejtohet për udhëheqje.

Disa herë na pyesin se si ia dalim të mbajmë veten ekonomikisht kur të gjithë jemi në shërbimin e plotkohor. Punojmë gjatë periudhës së pushimeve. Por përveç kësaj, gjithnjë jemi përpjekur të kemi një «sy të thjeshtë» për sa u përket gjërave materiale, duke u mbështetur te Jehovai për ndihmë, duke besuar tek ai dhe duke kërkuar vazhdimisht udhëheqjen e tij.​—Mateu 6:25-34; Proverbat 3:5.

Kur mbaja armë në dorë, ndihesha i fortë. Kështu shoh se kam nevojë të punoj vazhdimisht për të zhvilluar përulësinë. Sistemi i Satanait më mësoi të urreja, të vrisja, të isha dyshues, i dhunshëm dhe gjithmonë në pozicion mbrojtjeje. Por Jehovai më mësoi mëshirën dhe dashamirësinë e tij, dhe i jam shumë mirënjohës për këtë. Tani jam i vendosur që të mos mësoj më luftën dhe të kem dashuri e dhembshuri për të gjithë.​—Mateu 5:43-45; Isaia 2:4.

Nuk e kam pasur të lehtë të ndryshoja. Megjithatë, kam mësuar të jem më paqësor. Gjithashtu, me ndihmën e Perëndisë kam arritur të përballoj ëndrrat e frikshme që shoh natën për shkak të gjërave që kam përjetuar në luftë. Mezi pres ditën kur luftërat dhe konfliktet do të pushojnë së ekzistuari. (Psalmi 46:9) Deri atëherë, jam i lumtur që mund të shërbej në veprën jetëshpëtuese, pra t’i ndihmoj të tjerët të njohin Dhënësin tonë të jetës, Perëndinë Jehova.

[Figurat në faqen 12]

Qëlloja me armë nga dera e një helikopteri

[Figura në faqen 14]

Me Bill Akinën dhe gruan e tij, Eluizën, 1978

[Figura në faqen 15]

Duke punuar në shtypshkronjën e degës së Guatemalës, 1982

[Figura në faqen 15]

Duke predikuar me gruan

[Figura në faqen 15]

Sot me Lupitën, Mishelin dhe Stefaninë