Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Qeshni se ju bën mirë

«Shkencëtarët kanë llogaritur se kur qesh me gjithë shpirt vetëm për tridhjetë sekonda, është njësoj si të kesh bërë 45 minuta pushim total,​—raporton revista javore polake Przyjaciółka.​—Një e qeshur shpërthyese spontane është baraz me tri minuta ushtrime aerobike, kurse dhjetë buzëqeshje të ngrohta janë baraz me dhjetë minuta ushtrime intensive në një pajisje fizkulture.» Dobi të tjera që vijnë nga e qeshura janë trefishimi i sasisë së ajrit që mbush mushkëritë, si dhe përmirësimi i qarkullimit të gjakut, i tretjes, i metabolizmit, i funksionimit të trurit dhe eliminimi i substancave të dëmshme. Revista sugjeron se që të jeni me humor të mirë, gjëja e parë që duhet të bëni sapo të ngriheni në mëngjes, është t’i buzëqeshni vetes, bashkëshortit ose bashkëshortes suaj dhe fëmijëve. «Mësoni të jeni të qeshur,​—shton revista.​—Mundohuni të shihni anët pozitive të gjërave edhe kur gjendeni në situata të vështira.»

Dielli i pasdites dhe gjumi i natës

Një studim i bërë kohët e fundit për zakonet e gjumit të 56 bebeve të shëndetshme, i botuar në gazetën Journal of Sleep Research, zbuloi se «bebet që bënin gjumë të qetë natën, kishin qëndruar më gjatë në diellin e pasdites». Kurse kur i nxirrnin jashtë në mëngjes ose në mbrëmje, nuk kishte ndonjë ndryshim se si e bënin gjumin natën. Drejtuesja e studimit, dr. Ivana Herrisoni e Universitetit Xhon Murs në Liverpul të Britanisë​—vetë një nënë​—vendosi të studionte efektin e dritës te gjumi i bebeve, sepse studimet e mëparshme tregonin se të moshuarit flenë më mirë natën kur rrinë shumë jashtë në dritën e diellit.

Po përhapet sëmundja e Çagasit

Sëmundja e Çagasit shkaktohet nga një parazit që transmetohet nga jashtëqitja e një insekti që thith gjakun, që zakonisht quhet insekti që puth. Kjo sëmundje është karakteristikë e zonave rurale të Meksikës dhe të Argjentinës. Gazeta The Herald e Meksikës, raporton se mesatarisht nga një milion e gjysmë deri në dy milionë meksikanë, janë të infektuar me këtë parazit. Megjithatë, sëmundja e Çagasit po përhapet edhe në pjesë të tjera të botës. Një mënyrë është me anë të transfuzioneve të gjakut. Biologu meksikan Bert Kohlmani, shpjegon: «Tashmë kemi marrë raporte nga Australia, Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja për infektime nga transfuzionet e gjakut. Emigrantët nga Amerika, që zakonisht janë të shëndetshëm, japin gjak dhe asnjë nga banorët e vendeve të tjera nuk mendon të bëjë analizat se mos gjaku është i infektuar me sëmundjen e Çagasit.» Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se në Hemisferën Perëndimore, 16 deri 18 milionë njerëz janë të infektuar me këtë sëmundje dhe 100 milionë të tjerë rrezikojnë jetën. Sot për sot, nuk ka ndonjë kurë për sëmundjen e Çagasit, që shpesh është vdekjeprurëse.

Vjelja e taksave

Për t’i nxitur banorët të paguanin taksat e papaguara të pronave prej 1,15 milionë dollarësh, zyrtarët e Raxhamundrit, Indi, premtuan heqjen e gjobave dhe të interesit, siç raporton shërbimi i lajmeve Rojter. Kur kjo përpjekje dështoi, zyrtarët punësuan 20 grupe me daulltarë që t’u binin daulleve përpara dyerve të taksapaguesve që e kishin lënë pas dore pagimin e detyrimeve. Komisioneri bashkiak T.S.R., Anjanejulu, tha se daulltarët «u binin daulleve para shtëpive të borxhlinjve, dhe kur njerëzit nga kurioziteti dilnin jashtë u shpjegonin borxhin dhe detyrën që kishin për ta shlyer sa më shpejt të ishte e mundur. Nuk pushonin derisa njerëzit të vendosnin të paguanin». Kjo metodë e pazakontë funksionoi. Pasi daulltarët u ranë daulleve pa pushim për një javë, qyteti mblodhi 18 për qind të taksave të papaguara.

Feja në Rusi

Në të kaluarën, në Rusi mendohej se ishin kryesisht gratë, pleqtë dhe ata me pak arsim që besonin te Perëndia. Megjithatë, siç raporton gazeta ruse Rossiyskaya Gazeta, sot shifrat tregojnë një rritje të numrit të të rinjve, të burrave dhe të atyre me arsim të lartë që besojnë. Nga viti 1989 deri 1991, vetëm 30 për qind e popullsisë e identifikuan veten si ortodoksë. Por pas 1999-s, shifra u rrit mbi 50 për qind. Kohët e fundit, sociologët rusë zbuluan se 30 për qind e rusëve besojnë në jetën pas vdekjes, 24 për qind në parajsë dhe në ferr dhe 28 për qind në mrekullitë e bëra me fuqi të mbinatyrshme. Gati një e treta e të intervistuarve pohuan: «Besoj se Perëndia ekziston dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë.» Raporti thotë se po në të njëjtën kohë, «30 për qind e rusëve besojnë në astrologjinë dhe 50 deri 55 për qind besojnë tek ëndrrat profetike dhe tek oguret».

Kisha greke fillon të përdorë greqishten moderne

I shqetësuar se shumë besimtarë grekë që shkonin në kishë nuk i kuptonin vargjet e Biblës të lexuara gjatë meshave në greqishten e lashtë, kryepeshkopi i Greqisë, i udhëzoi kishat e Athinës të përdornin edhe greqishten moderne. «Besëlidhja e Re është lexuar në gjuhën origjinale helene ‘koine’, ose ndryshe gjuha e zakonshme, një version i gjuhës së folur greke nga fundi i shekullit të katërt p.e.s. deri në shekullin e pestë të e.s.»,​—shpjegonte gazeta Kathimerini. Raporti pohonte se kryepeshkopi ishte «në ankth se veçanërisht të rinjtë nuk e kuptojnë këtë formë të greqishtes, dhe nuk i ndjekin dot meshat». Sipas një programi eksperimental, që gazeta e quante «një hap të madh për Kishën që kapet fort pas traditave të saj», vargjet e Biblës lexoheshin më parë në greqishten koine dhe pastaj në atë të ditëve të sotme. Megjithatë, s’kaloi as një vit dhe gazeta raportoi se kisha «kishte hequr dorë» nga kjo përpjekje «për ta bërë më të kuptueshëm leximin e Besëlidhjes së Re».

Miqtë e zënë në Internet shtojnë divorcet

Gazeta britanike Guardian Weekly raporton se sitet në Internet që bashkojnë shokët e vjetër të shkollës, po «shtojnë prishjen e martesave, pasi burrat dhe gratë të mërzitur me njëri-tjetrin, kontaktojnë me të dashurat o të dashurit e dikurshëm». Duke komentuar se si kjo praktikë ndikon në numrin e divorceve mes britanikëve, që në vitin 2004 arriti shifrën më të lartë për shtatë vitet e kaluara, Kristina Northëm, zëdhënësja e shoqatës së organizimit të martesave Relate, tha: «Plot njerëz kanë mbresa të bukura nga lidhja e parë që kanë pasur në shkollë ose në kolegj. Nëse nuk janë të lumtur me partnerin që kanë, fillojnë të mendojnë se si do të kishte qenë nëse nuk do të ishin ndarë nga i dashuri ose e dashura e parë.» Gazeta thoshte se tani të martuarit që nuk janë të lumtur, e kanë më të lehtë se kurrë të «hyjnë në Internet dhe të nisin lidhje romantike, në vend që t’i zgjidhin problemet emocionale që kanë me njëri-tjetrin si bashkëshortë».

Kujdes nga shkallët!

Sipas revistës The Week të Shteteve të Bashkuara, përdorimi i shkallëve «shkakton më shumë plagosje në vit, sesa aksidentet me automjete». Raporti i kësaj gazete shton: «Çdo vit, vdesin mesatarisht 1.091 amerikanë që përdorin shkallët, dhe plagosen 769.400 të tjerë.» Si ndodh që këtyre u pengohen këmbët dhe rrëzohen? «Zakonisht njerëzit nuk arrijnë ta matin tamam largësinë e njërës shkallë nga tjetra, prandaj e hedhin këmbën gabim»,​—thotë The Week.