Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtëpi me «pallto gëzofi»

Shtëpi me «pallto gëzofi»

Shtëpi me «pallto gëzofi»

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Ukrainë

DYQANET, shtëpitë dhe ndërtesat me zyra anembanë Ukrainës janë të zbukuruara me një shtresë të quajtur shuba, e cila do të thotë «pallto gëzofi». Shuba është një shtresë tradicionale që bëhet pas suvatimit të ndërtesës dhe ngjan me gëzofin e brendshëm të palltos me lëkurë deleje. Zotërinjtë që banojnë në shtëpi madhështore e çmojnë bukurinë e shubës, e madje edhe fermerët e varfër shpenzojnë shumë për t’i zbukuruar shtëpitë e tyre të thjeshta me këtë «pallto gëzofi».

Zakonisht, duhen gati dy vjet për të mësuar teknikat e shubës. Zanatçiu i shubës ka pak vegla dhe këto janë të thjeshta. Ato janë: një kovë për të mbajtur çimenton e njomë, një fshesë e shkurtër dhe një shkop druri ose metali. Megjithatë, zanati i bërjes së shubës nuk është aspak i lehtë.

Shuba nuk është vetëm një lloj suvatimi. Ajo përfshin një shumëllojshmëri modelesh, vizatimesh, ngjyrash dhe trashësish. Zanatçiu mund të bëhet mjeshtër në artin e veshjes së shtëpive me shubë vetëm nëse ka një sy të mprehtë për të dalluar se cilat lloj punimesh artistike do t’i përshtateshin ndërtesës.

Vizatimet e ndryshme ose modelet gjeometrike që do të përdoren, mund të bëhen në mur përpara se të vendoset çimentoja. Për t’i dhënë kontrast formave përdoren çimento me ngjyra të çelura dhe të errëta, në trashësi të ndryshme. Pasi thahet, shuba spërkatet me bojë që të bëhet më e bukur dhe më e larmishme.

Me njërën dorë zanatçiu e fut fshesën në çimento. Pastaj e përplas fort pas shkopit, të cilin e mban në dorën tjetër. Çimentoja ngjitet në mur. Po të punojë me një ritëm të njëjtë, një zanatçi mund të veshë nga 20 deri në 25 metra katror mur në ditë.

Megjithëse duhet shumë punë për të vënë shubën, duhen pak përpjekje për t’i mirëmbajtur shtëpitë që vishen me të. I zoti i shtëpisë duhet vetëm të heqë pluhurin një herë në vit, duke i larë muret me pak ujë dhe pastaj të lyejë ndonjë pjesë ku ka dalë boja. Këto hapa do ta sigurojnë se shuba do të ruhet për një kohë të gjatë. Në fakt, shumë shtëpi duken akull të reja, megjithëse mbajnë një «pallto» 20-vjeçare.

Një zanatçi pati rastin t’i shfaqte aftësitë e tij përtej kufijve. Ai shkoi për vizitë te një mik në Balingen të Gjermanisë, i cili i kërkoi t’ia vishte shtëpinë me shubë. Megjithëse shuba është e zakonshme në Ukrainë, për këtë qytet ajo ishte një gjë e re.

Kur shtroi shubën, zanatçiu tërhoqi vëmendjen e të gjithë fqinjëve. Një sipërmarrës ndërtimi u çudit kur e pa dhe nuk e besonte se një bukuri e tillë mund të krijohej me vegla kaq të thjeshta. Shoferët zgjatnin kokën që t’i hidhnin një sy ndërsa ecnin ngadalë afër saj, dhe një gazetar bëri fotografi për gazetën lokale. Pasi shtëpia përfundoi, qyteti i dha një çmim.

A do të dukej bukur shuba në lagjen tuaj? Ndoshta një «pallto gëzofi» e bukur dhe e re do ta mbante pak më ngrohtë shtëpinë.

[Figura në faqen 23]

Shtëpia e veshur me shubë në Balingen të Gjermanisë, e cila fitoi një çmim

[Figura në faqen 23]

Veglat e një zanatçiu të shubës përfshijnë një fshesë të shkurtër dhe një shkop druri

[Figura në faqen 23]

Të veshësh një shtëpi me shuba kërkon shumë aftësi