Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i diskriminon Bibla gratë?

A i diskriminon Bibla gratë?

Pikëpamja e Biblës

A i diskriminon Bibla gratë?

TERTULIANI, teolog i shekullit të tretë, i përshkroi njëherë gratë si «porta nga hyn djalli». Të tjerë e kanë përdorur Biblën për t’i paraqitur gratë si më pak të rëndësishme se burrat. Si rezultat, shumë veta mendojnë se Bibla i diskriminon gratë.

Elizabeta Kedi Stentëni, pioniere në luftën për të drejtat e grave në Shtetet e Bashkuara, shekulli i 19-të, mendonte se «Bibla dhe Kisha kanë qenë pengesat më të mëdha në rrugën drejt emancipimit të gruas». Për pesë librat e parë të Biblës, Stentëni tha njëherë: «S’kam parë libra të tjerë që të mësojnë kaq shumë për nënshtrimin dhe poshtërimin e gruas.»

Ndonëse sot, disa veta mund të kenë pikëpamje kaq ekstreme, përsëri shumë të tjerë mendojnë se disa pjesë të Biblës mbështetin diskriminimin e grave. A është i drejtë ky përfundim?

Si konsiderohen gratë në Shkrimet Hebraike?

«Do të digjesh nga dëshira për tët shoq, dhe ai do të sundojë mbi ty.» (Zanafilla 3:16) Kritikët kapen pas kësaj pike duke thënë se Perëndia e dënoi Evën dhe pranoi që burri të sundonte mbi gruan. Megjithatë, ky nuk është pohim i qëllimit të Perëndisë, por një pohim i pasojave të trishtueshme të mëkatit dhe të hedhjes poshtë të sovranitetit të Perëndisë. Abuzimi i gruas është pasoja e drejtpërdrejtë e papërsosmërisë njerëzore, jo e vullnetit të Perëndisë. Është e vërtetë se në shumë kultura gratë janë sunduar nga burrat e tyre, shpesh në mënyra shumë të ashpra. Por ky nuk ishte qëllimi i Perëndisë.

Adami dhe Eva u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Për më tepër, morën të njëjtin urdhër nga Perëndia që të ishin të frytshëm, të mbushnin tokën e ta sundonin. Duhet të bashkëpunonin si një skuadër. (Zanafilla 1:27, 28) Qartë, në atë kohë asnjëri nuk po sundonte mizorisht mbi tjetrin. Zanafilla 1:31 thotë: «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.»

Në disa raste, tregimet e Biblës nuk e tregojnë pikëpamjen e Perëndisë. Ato mund të jenë thjesht rrëfime historike. Në tregimin e Lotit që u ofroi sodomitëve vajzat e tij, nuk thuhet nëse ishte një veprim i moralshëm ose jo dhe as nuk thuhet si e gjykoi Perëndia. *​—Zanafilla 19:6-8.

Ç’është e vërteta, Perëndia urren të gjitha format e shfrytëzimit dhe të abuzimit. (Dalja 22:22; Ligji i përtërirë 27:19; Isaia 10:1, 2) Ligji i Moisiut dënonte përdhunimin dhe prostitucionin. (Levitiku 19:29; Ligji i përtërirë 22:23-29) Kurorëshkelja ishte e ndaluar dhe dënimi për këtë ishte vdekja për të dyja palët. (Levitiku 20:10) Në vend që t’i diskriminonte gratë, Ligji i vlerësonte dhe i mbronte ato nga shfrytëzimi që mund t’u bëhej dhe që ishte shumë i përhapur në kombet përreth. Një grua e zonja judeje, respektohej dhe vlerësohej shumë. (Proverbat 31:10, 28-30) Kur izraelitët dështonin të zbatonin ligjet e Perëndisë për sa i përket shfaqjes së respektit për gratë, ky ishte faji i tyre, jo vullneti i Perëndisë. (Ligji i përtërirë 32:5) Në fund, Perëndia e gjykoi dhe e dënoi kombin si një të tërë për mosbindjen e tij flagrante.

A është nënshtrimi diskriminim?

Çdo shoqëri mund të funksionojë mirë vetëm atëherë kur ka rregull dhe organizim. Kjo kërkon ushtrimin e autoritetit. Ndryshe do të mbizotëronte kaosi. «Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes.»​—1 Korintasve 14:33.

Apostulli Pavël shpjegon rregullin e kryesisë në familje: «Kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Korintasve 11:3) Kushdo, përveç Perëndisë, i nënshtrohet një autoriteti më të lartë. Fakti që Jezui ka një krye, a do të thotë se po diskriminohet? Sigurisht që jo! Prandaj edhe pse në Shkrime janë caktuar burrat që të marrin drejtimin në kongregacion dhe në familje, kjo nuk i diskriminon gratë. Që gjithçka të shkojë mbarë në familje dhe në kongregacion, është e nevojshme që gratë dhe burrat të luajnë rolet përkatëse me dashuri dhe respekt.​—Efesianëve 5:21-25, 28, 29, 33.

Jezui gjithnjë i trajtoi gratë me respekt. Ai nuk pranoi të ndiqte traditat diskriminuese dhe rregullat që mësonin farisenjtë. Foli me gra që nuk ishin judeje. (Mateu 15:22-28; Gjoni 4:7-9) I mësoi gratë. (Luka 10:38-42) Doli në mbrojtje të tyre që burrat të mos i linin. (Marku 10:11, 12) Ndoshta hapi më revolucionar i asaj kohe ishte se Jezui i pranoi gratë brenda rrethit të miqve të tij më të ngushtë. (Luka 8:1-3) Si personifikimi i përsosur i të gjitha cilësive të Perëndisë, Jezui tregoi se individët e të dyja sekseve janë njësoj në sy të Perëndisë. Në fakt, mes të krishterëve të hershëm, si burrat, ashtu edhe gratë morën dhuratën e frymës së shenjtë. (Veprat 2:1-4, 17, 18) Për të mirosurit, që kanë shpresën për të shërbyer si mbretër dhe priftërinj me Krishtin, nuk do të ketë dallim gjinie në momentin që ringjallen për jetën qiellore. (Galatasve 3:28) Autori i Biblës, Jehovai, nuk i diskriminon gratë.

[Shënimi]

^ par. 9 Shih Kullën e Rojës, 1 shkurt 2005, faqet 25, 26.

[Figura në faqen 18]

Ndryshe nga shumë bashkëkohës të tij, Jezui i trajtoi gratë plot respekt