Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bletëngrënësit​—Akrobatët shumëngjyrësh të qiejve

Bletëngrënësit​—Akrobatët shumëngjyrësh të qiejve

Bletëngrënësit​—Akrobatët shumëngjyrësh të qiejve

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Spanjë

IMAGJINONI një familje zogjsh puplat e të cilëve reflektojnë pothuajse çdo ngjyrë të ylberit. Në fluturim ata mund t’ua hedhin edhe disa prej insekteve më të shpejta. Gjithashtu disa prej tyre janë ndër llojet e pakta të zogjve që formojnë grupe familjare ku të afërmit ndihmojnë njëri-tjetrin për të rritur të vegjlit. Këto janë vetëm tri nga karakteristikat e shumta tërheqëse të bletëngrënësve.

Megjithatë, ajo që tërheq e para vëmendjen e vëzhguesve të zogjve është pamja plot ngjyra e këtij lloji. Shumë zogj insektngrënës kanë ngjyra të zbehta dhe nuk bien në sy. Por bletëngrënësit japin një shfaqje të pashoqe me ngjyra dhe mjeshtëri ajrore që pak vëzhgues të zogjve do ta harronin. Puplat e tyre mund të jenë me ngjyra të shndritshme jeshile, blu, të kuqe dhe të verdha. Disa lloje, si bletëngrënësi evropian, kanë tërë këto ngjyra, si edhe ngjyra të tjera. Kurse një lloj australian është quajtur me të drejtë bletëngrënësi i ylbertë ose zogu i ylbertë.

Bletëngrënësit jetojnë në shumë vise të Afrikës, Azisë, Australisë dhe të Evropës Jugore. Meqë ata rrallë shihen në kafaze, shfaqjet e tyre mund të shihen vetëm në natyrë të hapur. «Të vëzhgosh këta zogj guximtarë dhe energjikë është një gjë tepër zbavitëse,​—thuhet në botimin në Internet Wildwatch.​—Meqë shumë lloje janë fare të qeta në prani të njeriut, krijohen menjëherë mundësi për të bërë fotografi.»

Bëma të jashtëzakonshme fluturimi

Bletëngrënësit dallohen në veçanti për kapjen e insekteve në fluturim e sipër. Meqë parapëlqejnë insekte të mëdha e që fluturojnë shpejt, si bletët, grerëzat dhe grethat, bletëngrënësit duhet të jenë të shpejtë e të zhdërvjellët. Ndihmon edhe shikimi i mprehtë. Bletëngrënësi evropian mund të pikasë një bletë ose një grerëz 100 metra larg. *

Për të zënë prenë, disa bletëngrënës përdorin teknikën e bombardimit, duke zbritur vrik mbi insektin. Ose më shpesh zënë vend mbi një degë të dalë dhe turren si shigjetë për të rrëmbyer një insekt që kalon. Lloje të tjera përdorin një teknikë edhe më të vështirë. Në fillim ata fluturojnë pas insektit dhe poshtë tij nga ana që ai nuk mund të shohë​—shpesh pothuajse rrafsh me tokën. Më pas rritin shpejtësinë, ngrenë kokën dhe e kapin në ajër insektin me sqepin e tyre të gjatë.

Disa bletëngrënës afrikanë shfrytëzojnë ndihmën e të tjerëve gjatë kërkimit të ushqimit. Ata mund të fluturojnë pranë kafshëve të mëdha, zogjve të tjerë ose edhe pranë automjeteve, të cilët i ndihmojnë të shpërndajnë insektet, e kështu t’i kapin. Madje bletëngrënësi i guximshëm ngjyrë kërmëzi hipën mbi shpinën e strucëve, të dhive ose të zebrave. Këta jo vetëm që janë vende të rehatshme për të, por edhe shpërndajnë karkalecat të cilat ai mund t’i hajë. Edhe zjarret që bien papritur tërheqin tufa të mëdha bletëngrënësish ngjyrë kërmëzi, të cilët denden me karkalecat që përpiqen të shpëtojnë nga flakët. *

Banjë dielli, lëmim dhe larje

Fluturimet e shpejta kërkojnë që puplat të jenë në gjendje të përkryer dhe bletëngrënësi ka një mori teknikash për të hequr parazitët dhe për t’i mbajtur puplat të pastra. Kjo nuk është një gjë e parëndësishme. Një bletëngrënës i zakonshëm do t’ia kushtojë 10 për qind të ditës këtij «zakoni për të pasur më shumë rehati».

Banja e diellit mund ta ngrohë zogun në mëngjes dhe zakonisht bëhet bashkë me lëmimin e pendëve. Nxehtësia e diellit me sa duket i bën parazitët më aktivë, dhe kështu është më e lehtë për t’i hequr. Disa llojeve bletëngrënësish u pëlqen të bëjnë banjë dielli në grup, gjatë së cilës shumë zogj marrin një qëndrim të ngjashëm me njëri-tjetrin. Me sqepat drejt diellit dhe me krahët e hapur ata ngjajnë si një grup turistësh në plazh.

Larja është më e rrallë dhe zakonisht është një zhytje e shpejtë në ujë në fluturim e sipër. Në zonat e thata, bletëngrënësit duhet t’ia dalin mbanë me një banjë në pluhur. Më pas zogjtë gjithmonë kalojnë kohë duke lëmuar puplat dhe duke u kruar. Kjo rutinë e përditshme është mënyra kryesore se si heqin parazitët, të cilët janë një problem i përhershëm për krijesat që i bëjnë foletë në tokë, si për shembull bletëngrënësit.

Në shoqëri me të tjerët

Pjesa më e madhe e bletëngrënësve janë shumë të shoqërueshëm. Mjaft lloje rriten në koloni të mëdha, disa prej të cilave mund të kenë më shumë se 25.000 zogj. Këto vende shpesh ndodhen në brigje të mëdha ranore ku zogjtë mund të gërmojnë lehtë vrimat e foleve. Të ndërtojnë fole ku ndodhen kolonitë, u siguron zogjve mbrojtje të mëtejshme nga grabitqarët dhe bashkëpunimi i ngushtë mes tyre i ndihmon të gjejnë shpejt një zonë me rezerva të bollshme ushqimi. Edhe kur kërkojnë ushqim, bletëngrënësit e shoqërueshëm rrinë bashkë, duke komunikuar nëpërmjet klithjeve të tyre të mprehta.

Te disa lloje, si bletëngrënësi ballëbardhë, farefisi bashkëpunon në rritjen e të vegjëlve. * Ata që ndihmojnë janë zakonisht pasardhës të zogjve prindër dhe falë bashkëpunimit të tyre mund të rritet me sukses dyfishi i numrit të të vegjëlve. «Ndihmësit kontribuojnë në të gjitha detyrat e riprodhimit: ata ndihmojnë për të gërmuar folenë, për të ngrohur vezët dhe, ç’është më e rëndësishmja, për të ushqyer të vegjlit»,​—shpjegon një libër. (Kingfishers, Bee-Eaters and Rollers.)

Grupeve familjare të bletëngrënësve u pëlqen në veçanti të rrinë ulur bashkë. Çdo zog rri kaq afër një tjetri, saqë japin përshtypjen sikur po shtyhen për të dalë fotografi të gjithë bashkë. Disa herë shumë zogj afrohen drejt njëri-tjetrit duke qëndruar në të njëjtën degë. Pa dyshim ky zakon i ndihmon të ruajnë nxehtësinë e trupit gjatë netëve të ftohta.

Zogj tërheqës me një pikë të dobët

Kohët e fundit bletëngrënësit kanë filluar të specializohen në ngrënien e karkalecave, sidomos në Afrikën Perëndimore ku karkalecat migrues dhe shkatërrues janë me bollëk. Bletëngrënësi ngjyrë kërmëzi ka ndryshuar madje mënyrën e shtimit dhe të migrimit për të përfituar nga ky ushqim i bollshëm. Tani ai ndjek karkalecat migrues teksa lëvizin në mizëri përgjatë lumit Niger.

Gjithsesi, siç nënkuptohet edhe nga emri, bletëngrënësit i kanë pikë të dobët bletët​—ushqimi i tyre i preferuar. Prandaj, sigurisht që nuk janë zogjtë e preferuar të bletërritësve. Por ana pozitive është se bletëngrënësit hanë edhe grerëzat dhe grethat që kanë si pre bletët. Kurse në vjeshtë ata ushqehen me bletët e moshuara të cilat ka më shumë mundësi të infektojnë kosheren me ndonjë sëmundje.

Manuali i zogjve të botës (anglisht) thotë: «Sot bletëngrënësit admirohen anembanë nga vëzhguesit e zogjve për puplat e tyre të shumëllojshme dhe të bukura.» Disa vende të rritjes janë bërë një stacion mbresëlënës për turistët në safarët afrikanë.

Kështu, nëse jetoni në zona ku mund të ketë bletëngrënës, pse të mos lini pak kohë për të gëzuar shfaqjen e pashoqe që ofrojnë këta akrobatë shumëngjyrësh të qiejve?

[Shënimet]

^ par. 7 Kur kapin insekte me thumb, si bleta ose grerëza, bletëngrënësit bëjnë kujdes të mos i gëlltitin pa u hequr helmin. Zakonisht ata ulen në një degë të rehatshme dhe me kujdes fërkojnë në të barkun e insektit për të nxjerrë helmin. Madje ata mbyllin sytë për një çast që të mos u vejë në sy ndonjë çurg i vogël helmi.

^ par. 9 Për shkak të këtij zakoni, në Afrikën Perëndimore një emër vendës për bletëngrënësin ngjyrë kërmëzi ka kuptimin «kushëriri i zjarrit».

^ par. 16 Në Kenia, një koloni me rreth 400 bletëngrënës ballëbardhë kishte 60 grupe familjare. Studiuesit e përshkruajnë strukturën e tyre shoqërore si ndoshta një nga më të ndërlikuarat që është studiuar deri tani ndër llojet e zogjve.

[Figura në faqen 23]

Bletëngrënësi i vogël, Afrika Lindore

[Figura në faqen 23]

Bletëngrënësi i ylbertë, Australi

[Figura në faqen 23]

Bletëngrënësi i Somalisë, Kenia

[Figura në faqen 23]

Bletëngrënësi ballëbardhë, Afrikë

[Figura në faqen 24]

Bletëngrënës evropianë, Spanjë

Një skenë ku mashkulli që i vjen rrotull një femre, po i jep një insekt-lejlek

[Figura në faqen 24]

Bletëngrënës, Izrael

[Figura në faqen 24]

Bletëngrënës ngjyrë kërmëzi, Botsvanë

[Figura në faqen 25]

Bletëngrënës ngjyrë kërmëzi, Botsvanë

[Burimi]

©kevinschafer.com

[Figura në faqen 25]

Bletëngrënës ngjyrë kërmëzi, Singapor