Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve

Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve

Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve

PAVARËSISHT nga terminologjia e përdorur, vendet shumë të zhvilluara, vendet industriale dhe me ekonomi të përparuar gëzojnë një nivel të lartë jetese, kurse vendet që janë më pak të industrializuara, pra më pak të zhvilluara ekonomikisht, kanë një nivel jetese më të ulët. Është sikur t’u përkitnin dy botëve të ndryshme.

Sigurisht, këto dy botë mund të ekzistojnë edhe brenda të njëjtit shtet. Mendoni për vendet e pasura që u përmendën në artikullin e kaluar. Edhe atje ka të pasur e të varfër. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, gati 30 për qind e të ardhurave të vendit përfundojnë në llogarinë e familjeve më të pasura, që përbëjnë 10 për qind të të gjitha familjeve. Nga ana tjetër, 20 për qind e familjeve, që përbëjnë pjesën më të varfër, duhet ta përballojnë jetën duke marrë vetëm 5 për qind të të ardhurave të përgjithshme. Mbase edhe në vendin tuaj është një situatë pak a shumë e ngjashme, sidomos nëse ka pak nga shtresa e mesme. Por edhe në vendet ku shtresa e mesme është disi e madhe, deri tani qeveritë nuk kanë mundur të mbyllin plotësisht hendekun ekonomik midis të pasurve e të varfërve.

Asnjë botë nuk është ideale

Për asnjërën nga këto dy botë nuk mund të thuhet me të drejtë se gjendja është ideale. Mendoni pak për problemet e njerëzve që jetojnë në vendet e varfra. Shërbimet shëndetësore janë mjaft të kufizuara. Ndërkohë që 9 vendet më të pasura, të paraqitura në kutinë që gjendet në këtë faqe, kanë 1 mjek për 242 deri në 539 banorë, 18 vendet më të varfra kanë shumë më pak, vetëm 1 mjek për 3.707 deri në 49.118 banorë. Pra, kuptohet pse në vendet më të pasura jetëgjatësia mesatare është 73 vjet a më tepër, kurse në shumicën e vendeve të varfra, jetëgjatësia është nën 50 vjeç.

Në vendet e varfra mundësitë për t’u arsimuar janë tejet të pakta, e shpesh kjo i çon fëmijët drejt një jete me varfëri. Mungesa e arsimimit pasqyrohet në numrin e analfabetëve. Në 7 nga 9 vendet më të pasura, ata që dinë shkrim e këndim përbëjnë 100 për qind të popullsisë (në 2 vendet e tjera, kjo shifër është 96 dhe 97 për qind). Kurse, në 18 vendet më të varfra, kjo shifër shkon maksimumi në 81 për qind dhe minimumi në 16 për qind. Në 10 prej këtyre vendeve kjo shifër është nën 50 për qind.

Por edhe banorët e vendeve të pasura kanë problemet e veta. Ndërsa banorët e vendeve të varfra vuajnë nga mungesa e ushqimit, ata që jetojnë në bollëk, vdesin ngaqë hanë tepër, e ky problem sa vjen e rëndohet. Libri Luftë me ushqimet (anglisht) thotë se «Për sa i përket ushqimit, ngrënia me tepri është bërë problemi kryesor në nivel botëror, dhe kështu i ka zënë vendin të ushqyerit të keq.» Edhe revista The Atlantic Monthly thotë: «Rreth nëntë milionë amerikanë vuajnë nga ‘dhjamosja patologjike’ që do të thotë se janë 45 kilogramë ose më shumë mbipeshë. Problemet shëndetësore që lidhen me peshën, bëjnë që çdo vit në këtë vend, 300.000 njerëz të vdesin para kohe.» I njëjti artikull thotë se «së shpejti dhjamosja mund të bëhet problemi më shqetësues në botë për shëndetin publik, duke ia kaluar edhe urisë, edhe sëmundjeve ngjitëse». *

Vërtet, shtetasit e vendeve të pasura kanë nivel jetese më të lartë, por nga ana tjetër i japin më shumë rëndësi pasurisë, sesa miqësive, e kështu e vrasin mendjen si të kenë, e jo si të jetojnë. Ata e matin rëndësinë dhe vlerën e njeriut sipas punës, rrogës ose pasurisë, dhe jo sipas kulturës, mençurisë, zotësive a cilësive.

Duke theksuar se një jetë e thjeshtë është çelësi i lumturisë, në titullin e një artikulli të një reviste javore gjermane, Focus, ngrihej kjo pyetje: «Po sikur të kemi ca më pak?» Artikulli thoshte: «Pavarësisht nga rritja e vrullshme e mirëqenies, shumë njerëz në botën Perëndimore nuk janë më të lumtur tani nga ç’kanë qenë dhjetëvjeçarë më parë. . . . Çdokush që e ka zemrën te gjërat materiale, ka më tepër të ngjarë të përfundojë i palumtur.»

Një ekuilibër i përsosur

Po, faktet provojnë se të dyja botët, si ajo e të pasurve, ashtu edhe ajo e të varfërve, ndonëse kanë disa anë të mira, kanë edhe të këqijat e tyre. Ndërkohë që bota e të varfërve mund të jetë tepër e thjeshtë, bota e të pasurve mund të jetë tejet e ndërlikuar. Sa mirë do të ishte sikur këto dy botë të mësonin nga njëra–tjetra! Por, a është realiste të mendojmë se mund të arrihet ky ekuilibër i përsosur?

Nga pikëpamja njerëzore, ndoshta mendoni se, ndonëse do ta dëshironin, ky synim është përtej aftësisë së njerëzve. E në fakt, historia e ka provuar diçka të tillë. Gjithsesi, gjendja nuk është e pashpresë. Mbase nuk ju ka shkuar ndër mend zgjidhja më logjike e problemit. Cila është ajo?

[Shënimi]

^ par. 7 Shih Zgjohuni! të 8 nëntorit 2004, faqet 3-12.

[Diçitura në faqen 6]

«Së shpejti dhjamosja mund të bëhet problemi më shqetësues në botë për shëndetin publik, duke ia kaluar edhe urisë, edhe sëmundjeve ngjitëse.»​—The Atlantic Monthly

[Grafiku në faqen 5]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Vendet janëradhitur sipasrendit alfabetik

Nëntë vendet më të pasura

Jetëgjatësia e meshkujve (vite) Ata që dinë të shkruajnë e të lexojnë (%)

Belgjikë

75,1 100

Danimarkë

74,9 100

Islandë

78,4 100

Japoni

78,4 100

Kanada

76,4 96,6

Luksemburg

74,9 100

Norvegji

76,5 100

SHBA

74,4 95,5

Zvicër

77,7 100

Tetëmbëdhjetë vendet më të varfra

Jetëgjatësia e meshkujve (vite) Ata që dinë të shkruajnë e të lexojnë (%)

Benin

50,4 37,5

Burkina-faso

43 23

Burundi

42,5 48,1

Çad

47 53,6

Etiopi

47,3 38,7

Guineja-bisau

45,1 36,8

Jemen

59,2 46,4

Madagaskar

53,8 80,2

Malavi

37,6 60,3

Mali

44,7 40,3

Mozambik

38,9 43,8

Niger

42,3 15,7

Nigeri

50,9 64,1

Rep, dem, e Kongos

49 80,7

Ruandë

45,3 67

Sierra-leone

40,3 36,3

Tanzani

43,3 75,2

Zambie

35,3 78

[Burimi]

Burimi: 2005 Britannica Book of the Year.

[Burimi i figurës në faqen 4]

© Mark Henley/Panos Pictures