Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kundroni më nga afër fikun e Indisë

Kundroni më nga afër fikun e Indisë

Kundroni më nga afër fikun e Indisë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë

Fiku i Indisë është një kaktus i shëmtuar që, për shekuj me radhë, ka qenë pjesë e jetës së popullsisë meksikane. Kjo bimë gjendet edhe në vende të tjera të Amerikës​—si dhe në zonat e thata përreth botës​—por dobitë e saj mbase nuk kuptohen menjëherë, ngaqë nga jashtë është plot me gjemba. Fiku i Indisë mund të rritet gati 5 metra. Ka kërcej të sheshtë në formë vezake që janë tërë gjemba dhe bën kokrra të ëmbla si dardha.

Milpa Alta, afër qytetit të Meksikos, është një vend ideal për të rritur fiq Indie. Fermerët vendës kanë kohë që e eksportojnë në vende të ndryshme të botës. Madje çdo vit, Milpa Alta organizon një panair, që u jep njerëzve mundësinë të provojnë një larmi gatimesh të përgatitura me fiq Indie.

Në Meksikë, një blerës mund të gjejë pa problem fiq Indie në dyqanet e vogla dhe në supermarketet moderne. Shiten të pastruar dhe gati për t’u përdorur.

Mirë është të jenë të freskët dhe të butë që të përdoren për t’u ngrënë. Meksikanët i përgatitin në shumë mënyra dhe i servirin me lloj-lloj mishrash. Pjata më e zakonshme përmban kërcej të pjekur në skarë që shërbehen me biftek, kurse, një mëngjes i shijshëm do të ishte vezë të rrahura të skuqura me copa fiku.

Përveç këtyre, me kërcejtë mund të përgatitet një sallatë e shijshme. Në fillim zihen dhe pastaj priten në kubikë të vegjël, i shtohen domate të gjalla të prera hollë, qepë e koriandër, dhe pastaj trazohen në një tas me vaj ulliri, uthull e kripë. Ndonëse në fillim duket sikur nuk kanë shije​—madje duken të shëmtuar për shkak të cipës së tyre si të qullët​—kur bashkohen me salcat meksikane pikante, bëhen aq të shijshëm sa të lëpish gishtat.

Fermerët me përvojë i presin dhe i pastrojnë shumë shpejt dhe me mjeshtëri. Nëse vendos t’i këputësh vetë me dorën tënde, duhet të kesh kujdes nga gjembat e shumtë. Bën mirë të vësh doreza llastiku.

Është zbuluar se fiku i Indisë ka veti kuruese. Instituti Kombëtar Meksikan i Ushqimit, kur përshkruan dobitë e tij për shëndetin e njeriut, midis të tjerave thotë se mund të ulë nivelin e kolesterolit total dhe numrin e lipoproteinave LDL. Disa e rekomandojnë për të mbajtur nën kontroll diabetin. Ndërsa shkencëtarët vazhdojnë ta studiojnë fikun e Indisë, mund të dalin në pah të tjera dobi shëndetësore.

Ndërkohë, pse të mos provoni një vakt tradicional meksikan me këtë bimë? Do të shihni se fiku i Indisë është më tërheqës nga ç’duket!