Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbyllet hendeku: Zgjidhja e vërtetë

Mbyllet hendeku: Zgjidhja e vërtetë

Mbyllet hendeku: Zgjidhja e vërtetë

NË MBARË botën, qindra milionë njerëz luftojnë çdo ditë për të mbijetuar, megjithëse janë në kulmin e varfërisë. Duket qartë që njerëzimi ka nevojë për një qeveri të drejtë e të pakorruptueshme që dëshiron sinqerisht ta zhdukë këtë padrejtësi. Veç kësaj, kjo qeveri duhet të jetë e fuqishme për t’i realizuar synimet e saj të mira. A mund të presim vërtet nga njerëzit që të formojnë një qeveri të tillë?

Historia provon vërtetësinë e paralajmërimit të Biblës: «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim.» (Psalmi 146:3) A keni vërejtur se t’u besosh qeverive ose udhëheqësve njerëzorë, shpesh çon në zhgënjim? Pra, te kush mund të shpresojmë?

Miliona njerëz janë lutur që një qeveri e drejtë t’i japë fund padrejtësisë. Ndoshta edhe ju keni bërë lutjen model që na mësoi Jezui: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. Na e jep bukën për këtë ditë dhe na i fal mëkatet, sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh. E mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.»​—Mateu 6:9-13.

A është kjo Mbretëri, ajo për të cilën kemi nevojë? A është e drejtë dhe e pakorruptueshme? A është aq e fuqishme sa të realizojë qëllimet e mira që ka? Pa dyshim që po. Perëndia që formoi këtë qeveri, ‘Ati ynë që është në qiej’, është «një Perëndi i drejtë e Shpëtimtar» dhe ‘i drejtë në të gjitha veprat që ka bërë’. (Isaia 45:21; Danieli 9:14) Për të thuhet: «Sytë e tu janë tepër të pastër për të parë të keqen.» (Habakuku 1:13) Pra, mund të jemi të sigurt se qeveria e tij nuk do të korruptohet kurrë. E meqë «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai», e dimë se ai interesohet për mirëqenien e çdo njeriu në tokë.​—Veprat 10:34, 35; Romakëve 2:11.

Mbretëria e Perëndisë po vepron

Megjithëse është një qeveri qiellore, Mbretëria e Perëndisë do të drejtojë punët në tokë, që qëllimet e Perëndisë të bëhen realitet. Kjo përfshin edhe zëvendësimin e qeverive të papërsosura njerëzore me një qeveri të përsosur të formuar nga Perëndia. Te Danieli 2:44 jepet ky premtim: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»

Nën drejtimin e Mbretërisë së tij, vullneti i Perëndisë, më në fund, do të bëhet si në qiell edhe në tokë. Sa inkurajuese është të dimë se do të ketë një qeveri që do të fshijë të gjitha gjurmët e pabarazisë që kanë çuar në krijimin e ndryshimeve ekstreme mes të varfërve e të pasurve! Nuk do të jenë më disa që kanë e shumë të tjerë që nuk kanë.

Sa të lumtur ndihemi kur mësojmë se qeveria qiellore e Perëndisë tashmë po vepron që të zgjidhë përgjithmonë këto probleme! Kronologjia biblike dhe ngjarjet botërore tregojnë qartë se viti 1914 është koha kur u formua në qiell qeveria e Perëndisë. * Kështu, ajo ka një shekull që po përgatit themelin për një botë të re të drejtë.

Ata që kanë pranuar se Mbretëria është vendosur dhe po i binden drejtimit të saj sot, janë të paanshëm. Dëshmitarët e Jehovait predikojnë thuajse në çdo vend. Banorëve të këtyre vendeve, pavarësisht nga pasuria ose varfëria, po u jepet mundësia të mësojnë si të fitojnë jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Dëshmitarët nuk lejojnë që vlera e pjesëtarëve të kongregacionit, të matet me gjendjen ekonomike. Njerëzit nuk vlerësohen nga pasuria. Përkundrazi, ata respektohen për atë që janë. U jepet më shumë rëndësi vlerave shpirtërore sesa atyre materiale.

A do t’ju pëlqente të dinit se si mund të jetoni nën drejtimin e kësaj qeverie të drejtë? Atëherë, filloni që sot të merrni njohuri. Mësoni se si ta keni këtë shpresë për të gëzuar jetën kur bota të mos jetë e ndarë në të pasur e në të varfër.

[Shënimi]

^ par. 9 Shih librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, faqet 95-107, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

Të pasur e të varfër, të gjithë vëllezër

▪ Në fund të Luftës së II Botërore, shumë nga Dëshmitarët e Jehovait në Evropë dhe në Azi kishin nevojë për ushqime, rroba e strehim. Dëshmitarët nga vendet e tjera u dërguan tonelata me rroba dhe ushqime vëllezërve të tyre në besim në Evropë, Filipine e Japoni. Dëshmitarët nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja dërguan ndihma në Angli, Austri, Belgjikë, Çekosllovaki (sot Republika e Çekisë dhe Sllovakia), Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Poloni dhe Rumani.

[Figurat]

Shtetet e Bashkuara

Zvicër

Gjermani

▪ Më vonë, në verën e vitit 1994, një grup vullnetarësh Dëshmitarë nga Evropa u erdhën menjëherë në ndihmë vëllezërve dhe motrave të tyre të krishtere në Afrikë. Për refugjatët nga Ruanda u ngritën kampe të organizuara mirë dhe qendra mjekësore. U dërguan sasi të mëdha me rroba, batanije, ushqime dhe literaturë biblike për të ndihmuar mbi 7.000 veta, gati trefishi i numrit të Dëshmitarëve të Jehovait që ishin në atë kohë në Ruandë.

▪ Dy vjet më vonë, në vitin 1996, në rajonin lindor të Republikës Demokratike të Kongos shpërtheu lufta. Të mbjellat u shkatërruan, rezervat e ushqimeve u vodhën dhe furnizimet u bllokuan. Shumë njerëz hanin vetëm një herë në ditë, dhe kjo çoi në kequshqyerje dhe sëmundje. Dëshmitarët e Jehovait në Evropë u përgjigjën pa humbur kohë. Një grup me Dëshmitarë, ndër ta edhe mjekë, shkuan me avion dhe morën me vete ilaçe dhe para. Deri në qershor të vitit 1997, Dëshmitarët në Belgjikë, Francë dhe Zvicër kishin dhuruar 500 kilogramë ilaçe, 10 tonë biskota me përmbajtje të lartë proteinike, 20 tonë ushqime, 90 tonë rroba, 18.500 palë këpucë dhe 1.000 batanije​—që të gjitha këto shkonin rreth 1.000.000 dollarë.

▪ Përveçse i ndihmojnë njerëzit të plotësojnë nevojat materiale, Dëshmitarët e Jehovait janë edhe më të interesuar që t’i ndihmojnë frymësisht ata. Kjo duket nga dëshira e tyre për të ndërtuar Salla të Mbretërisë të cilat përdoren si qendra për të mësuar për Perëndinë. Në vitin 1997 u raportua: «Me përkrahjen e vëllezërve nga vendet e tjera, vetëm për katër muaj Shoqata [Watch Tower] ka ndihmuar për ndërtimin e 413 Sallave të Mbretërisë dhe për ristrukturimin e 727 të tjerave në 75 vende.» Në vitin 2003 u bë ky raport: «Ndër vendet evropiane që përfituan nga masat e marra për të ndihmuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vendet me burime të kufizuara, është Rumania, ku janë ndërtuar 124 Salla Mbretërie që nga korriku i vitit 2000. Duke përdorur një projekt standard pothuajse për të gjitha Sallat e Mbretërisë, në vitin 2001, në Ukrainë u ndërtuan 61 salla, kurse në vitin 2002 edhe 76 të tjera. Me ndihmën e kontributeve në para për Fondin e Sallave të Mbretërisë, qindra salla janë ndërtuar në Bullgari, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni, Moldavi, Rusi e Serbi.»

[Figurat]

Kroaci

Bullgari

Rumani

[Figura në faqen 7]

Vullnetare që po kujdeset për dy refugjatë jetimë

[Burimi]

© Liba Taylor/Panos Pictures

[Figura në faqen 10]

Dëshmitarët e Jehovait po përhapin një mesazh shprese

[Figura në faqen 10]

Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë varfërinë