Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Mjekët S’ka shumë që lexova serinë «T’i kuptojmë mjekët». (22 janar 2005) Faleminderit që i keni përcjellë kaq qartë ndjenjat që provojnë mjekët. Unë jam infermiere dhe e kam parë vetë që pacientët nuk e kuptojnë tamam personelin mjekësor. Shpresoj që kjo seri do të ndihmojë shumë veta t’i kuptojnë më shumë mjekët dhe ta vlerësojnë punën e tyre.

L. K., Rusi

Një mjek më tha se e kishte lexuar me shumë interes revistën. Ai lavdëroi kërkimet që ishin bërë dhe tha se ishte shumë dakord me gjithçka që ishte shkruar në atë seri. Faleminderit për këta artikuj të mrekullueshëm.

H. C., Gjermani

Kur isha shtruar në spital, mendoja vetëm për veten. Kjo revistë më ndihmoi të kuptoj stresin që provojnë mjekët. Që tani e tutje, kur të shkoj prapë te mjeku, nuk do të flas për sëmundjen vetëm nga pikëpamja ime, por do të ndjek këshillën që ishte në kutinë «Bashkëpunoni me mjekun». Dua të jem një pacient që i kuptoj më shumë mjekët.

Xh. M., Japoni

Jam mjek dhe plak kongregacioni. Rraskapitem emocionalisht nga numri i madh i pacientëve që vizitoj çdo ditë. Duke qenë se jam një Dëshmitar i Jehovait, kam mbajtur një qëndrim të ekuilibruar për sa i përket karrierës. Bëj çmos të jem sa më i efektshëm në punë pa humbur kohë a energji kot. Kështu që kam kohë të mjaftueshme për ta kaluar në shtëpi me gruan e fëmijët, si edhe për aktivitetet e krishtere në kongregacion. Revista Zgjohuni! më ndihmon të jem i ekuilibruar dhe të qëndroj i përqendruar në gjërat vërtet të rëndësishme.

P. R., Shtetet e Bashkuara

Nuk jam dakord me pohimin se «disa avokatë parashtrojnë ca pretendime të kota që të pasurohen». Zakonisht avokatët nuk paditin pa vendimin e një gjykatësi ose të një marrëveshjeje zyrtare nga të dyja palët. Për të fituar një çështje, ata duhet të provojnë se ka pasur një shkelje të ligjit në standardin e kujdesit mjekësor. Duke qenë se kam mbi 30 vjet që merrem me rastet e shkeljeve gjatë ushtrimit të profesionit, mund t’ju them se kam shtyrë qindra raste përpara se të pranoja ndonjë.

Xh. M., Shtetet e Bashkuara

«Zgjohuni!» përgjigjet: Pohimi ynë se «disa avokatë parashtrojnë ca pretendime të kota» nuk diskutonte se sa i përhapur është ky problem. Ne donim të thoshim se shpeshtësia e çështjeve gjyqësore për shkeljet gjatë ushtrimit të profesionit është një burim i vërtetë ankthi për mjekët. Sigurisht që raste të tilla ndodhin. Megjithatë, komentet e lexuesit janë me vend. Sistemi ligjor vendos kufij që ua bëjnë të pamundur avokatëve​—nëse nuk ka gjë të gabuar​—të parashtrojnë pretendime të kota.

Të rinjtë pyesin Jam 11 vjeçe. Më pëlqeu jashtë mase artikulli «Të rinjtë pyesin . . . Ç’duhet të bëj kur dikush më hapet për problemet e veta?» (22 janar 2005) Kam një shoqe në shkollë që ka pasur një fëmijëri tronditëse, dhe më ka treguar gjithçka nga jeta e saj. Si për t’i keqësuar më tej gjërat, këtë javë që kaloi i vdiq gjyshi. Gjeta shumë pika në këtë artikull që do të më ndihmojnë ta ngushëlloj. Më jep shumë zemër fakti që Jehovai e kupton plotësisht se çfarë po kalojnë të rinjtë.

A. H., Shtetet e Bashkuara

Jam 14 vjeçe dhe shumë nga moshataret e mia vijnë të më kërkojnë këshilla. Ndonjëherë e shoh se nuk është e përshtatshme t’i ndihmoj për ndonjë problem. Me respekt u shpjegoj pse nuk mund t’i ndihmoj, dhe disa herë diskutoj me to informacione që bazohen në Bibël. Tani ato më pyesin për fenë time. Kjo më dha idenë që në një detyrë me gojë që më është caktuar, të diskutoj temën: «Kush janë me të vërtetë Dëshmitarët e Jehovait dhe çfarë besojnë ata?»

B. D., Kanada