Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Të rinjtë dhe celularët

«Të rinjtë britanikë e kanë të pamundur ta organizojnë jetën nëse nuk kanë celularë»,​—raporton gazeta londineze Daily Telegraph. Disa studiues ia hoqën celularët për dy javë një grupi të rinjsh nga mosha 15 deri 24-vjeçare. «Ishte një përvojë e çuditshme,​—thuhet në raport.​—Të rinjtë u detyruan të bënin disa gjëra deri diku jo të zakonshme për ta, si për shembull të bisedonin me prindërit, të shkonin në shtëpinë e miqve të tyre dhe të takonin prindërit e shokëve të tyre.» Profesor Majkëll Hjumi, i Universitetit të Lankasterit, Angli, i përshkruan bisedat e zakonshme të të rinjve në celularë, si «një mënyrë për të mos e vënë veten në siklet dhe për të krijuar identitetin e tyre». Sipas gazetës, një adoleshente kur nuk kishte telefonin ndihej «nervoze dhe e stresuar». Kurse një tjetër adoleshent ndihej i izoluar dhe «i duhej që më parë të linte takim për t’i takuar njerëzit» në vend që «t’u fliste miqve kur t’i donte qejfi [atij]».

Mos po kursejnë ca si shumë ujë gjermanët?

Siç raporton gazeta Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, në Gjermani, sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe ai i grumbullimit të ujërave të zeza ka probleme, sepse konsumatorët kursejnë shumë ujë. Në të kaluarën, parashikohej të harxhohej më shumë ujë, prandaj u bënë kanalizime sipas nevojave. Në të njëjtën kohë, banorët nxiteshin që ta kursenin ujin, sepse kështu do të ruhej mjedisi dhe burimet natyrore. Si rrjedhim, ra konsumimi i ujit. Tani problemi qëndron se, «në shumë vende, uji i pijshëm qëndron nëpër tuba», siç thotë Ulrik Omiken i shoqërisë German Gas and Water Boards Association. «Kur uji qëndron për një kohë të gjatë në një vend, gërryen tubat dhe ndotet me thërrmija metalesh.» Po ashtu, kur në kanalet e ujërave të zeza nuk ka ujë mjaftueshëm, materialet e forta grumbullohen dhe fillojnë të kalben. E vetmja zgjidhje është pastrimi i kanalizimeve të ujit të pijshëm dhe të ujërave të zeza me ujë të bollshëm, ndonëse pa u shpërdoruar.

Operacionet Cezariane dhe alergjitë

«Në të ardhmen mund të shfaqen probleme nga operacionet Cezariane, të cilat nuk i kemi marrë parasysh më parë,​—thotë Sibila Koleckoja, e Universitetit Ludvig Maksimilian, Munih, Gjermani.​—Jam kundër kryerjes [së tyre] për të gjitha arsyet jo mjekësore.» Studiuesit thonë se lindjet me këtë operacion mund të jenë një faktor për shtimin e rasteve me astmë dhe alergji. Një studim me 865 bebe që ishin ushqyer të gjitha vetëm me gji për katër muajt e parë, tregoi se ata që kishin lindur me operacion, kishin më shumë probleme me tretjen dhe kishin më shumë të ngjarë të kishin alergji nga disa lloj ushqimesh. Sipas New Scientist, «shpjegimi mund të jetë se bebet e lindura me operacion nuk kanë mundësi të marrin bakteriet e dobishme gjatë lindjes normale; prania e tyre në aparatin tretës luan një rol kyç në zhvillimin e sistemit imunitar».

«‘Fjala e fundit’ për zbukurimin e shtëpive»?

«Turistët dhe biznesmenët perëndimorë që blejnë në mënyrë të paligjshme lëkurë tigri në Kinë, janë përgjegjës për vrasjen e njërës nga llojet më të rrezikuara në botë»,​—thotë gazeta The Sunday Telegraph e Londrës. Popullata e tigrit në gjendje të lirë ka rënë nga rreth 100.000 që ishin një shekull më parë, në më pak se 5.000 sot. Numri më i madh i tyre jeton në Indi; disa të tjerë në vende të tjera të Azisë Jugore, si edhe në Lindjen e Largët. Agjencia Hetuese për Ambientin, një institucion që merret me punë vullnetare në Londër, raporton se blerësit i shohin lëkurët «si ‘fjala e fundit’ për zbukurimin e shtëpive, por janë duke i çuar tigrat drejt zhdukjes. . . . Këto kafshë janë kaq të rrezikuara, saqë edhe një i vetëm është jetësor për mbijetesën e llojit». Nga viti 1994 deri në 2003-shin, u konfiskuan 684 lëkurë tigrash, por mendohet që shifra të jetë vetëm një pjesëz e lëkurëve të shitura.

Mikroçip identifikimi

Sipas revistës Journal of the American Medical Association (JAMA),«enti i SHBA-së për Ushqimin dhe Ilaçet ka miratuar një mikroçip identifikimi që vendoset brenda trupit të njeriut» si një mjet për të parë të dhënat mjekësore të pacientëve. Prodhuesit rekomandojnë që mikroçipi, i cili është sa një kokërr orizi, të futet nën lëkurën e pacientit në pjesën e sipërme të krahut. Duke kaluar një skaner sipër vendit ku është vendosur mikroçipi, personeli mjekësor mund të lexojnë numrin e tij identifikues. Pastaj ky numër të përdoret për të lexuar informacionet e ruajtura më parë në kompjuter me anë të një lidhjeje të sigurt në Internet. Siç thotë JAMA, teknologjia e re «mund të ndihmojë që të merren sa më shpejt informacionet mjekësore të pacientëve që janë në gjendje kome ose që nuk janë në gjendje të flasin», dhe «mund të përdoret gjithashtu për sigurinë, aplikimet financiare dhe për identifikimin e personave».

Jetojnë bashkë pa u martuar

«Kanadezët po e pranojnë gjithnjë e më tepër bashkëjetesën si një hap paraprak drejt martesës»,​—raporton gazeta Vancouver Sun. Alan Mirabeli, drejtor ekzekutiv i Institutit Vanier për Familjen në Otava, thotë: «Ky brez kanadez nën moshën 35-vjeçare, ka përjetuar një numër të lartë ndarjesh dhe divorcesh të prindërve të tyre më shumë se çdo brez tjetër. Prandaj nuk nxitohen për t’u martuar.» Raporti thotë se një sondazh kombëtar i drejtuar me 2.100 kanadezë të moshës 18 deri 34-vjeçare, zbuloi se «22 për qind e tyre . . . bashkëjetonin, kurse 27 për qind ishin të martuar. Një studim i mëparshëm i këtij instituti zbuloi se në vitin 1975, 61 për qind ishin të martuar, kurse vetëm një për qind bashkëjetonte».

Një vit me kushte ekstreme të motit

«Me katër uragane të fuqishme në Karaibe dhe me tajfunet vdekjeprurëse që goditën dhunshëm Azinë, viti 2004 u rendit i katërti për nga nxehtësia, duke konfirmuar kështu një prirje e cila vazhdon që nga viti 1990. Që nga ai vit janë regjistruar 10 vitet më të nxehta të historisë»,​—thotë një raport i Associated Press. Viti i kaluar ishte gjithashtu më i kushtueshmi për sa u përket dëmeve që u shkaktuan nga moti. Vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe në Karaibe, llogaritet se uraganet shkaktuan një dëm me vlerë mbi 34 miliardë euro. Stuhitë dhe temperaturat e larta në disa zona, përkuan me dimër jashtëzakonisht të ashpër diku gjetkë. Për shembull, në Argjentinën Jugore, si edhe në Kili dhe Peru, në qershor dhe korrik bëri një i ftohtë acar, madje ra edhe dëborë. Sipas raportit, «shkencëtarët thonë se temperaturat e larta për një kohë të gjatë, ka të ngjarë të vazhdojnë të sjellin çrregullime në klimën globale».