Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rruga e Gjigantëve

Rruga e Gjigantëve

Rruga e Gjigantëve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË IRLANDË

SIPAS një legjende irlandeze, një gjigant nga Irlanda, që quhej Fin Mekulli, donte të luftonte me një gjigant nga Skocia, që quhej Benandoner. Por, kishte një problem. Nuk kishte një varkë aq të madhe, sa të mbante një gjigant e ta çonte te tjetri, që ishte përtej detit. Legjenda thotë se Fin Mekulli e zgjidhi këtë problem, duke ndërtuar në ujë një rrugë lidhëse me kolona guri të stërmëdha.

Benandoneri e pranoi sfidën dhe, duke shfrytëzuar atë rrugë, udhëtoi deri në Irlandë. Ai ishte më trupmadh dhe më i fortë se Fin Mekulli. Kur e pa, gruaja e Fin Mekullit mendoi të përdorte një marifet. Ajo e veshi si bebe burrin e saj gjigant. Kur Benandoneri mbërriti në shtëpinë e tyre dhe pa «beben», u tremb. Nëse bebja ishte kaq e madhe, Benandoneri nuk donte kurrsesi të ndeshej me të atin. Ai ia mbathi me të katra për në Skoci. Për t’u siguruar që Fin Mekulli të mos e ndiqte dot, teksa vraponte, ai e shkatërronte rrugën që linte pas. Gjithçka që mbeti në Irlandë, ishin gurët që sot formojnë Rrugën e Gjigantëve.

Për më shumë se treqind vjet, miliona vizitorë e kanë dëgjuar këtë histori humoristike, si një shpjegim se si u ndërtua Rruga e Gjigantëve. Cili është shpjegimi i vërtetë dhe përse kjo rrugë bën për vete kaq shumë vizitorë? Për këtë, vendosëm ta shihnim me sytë tanë.

Një rrugë për gjigantët

Rruga e Gjigantëve gjendet në bregun verior të Irlandës, rreth 100 kilometra në veriperëndim të Belfastit. Sapo mbërritëm atje, përshkuam atë pak rrugë nga qendra e vizitorëve deri te bregu i detit dhe bëmë një xhiro aty afër. Para syve na u shfaq një pamje e çuditshme​—mijëra kolona të mëdha prej guri, nja 6 metra të larta. Disa kanë llogaritur se janë rreth 40.000 të tilla. Por ajo që na bëri përshtypje nuk ishte numri, por simetria e tyre. Ato ishin secila 38-51 centimetra të gjera, majat e tyre ishin si të sheshta dhe çdonjëra dukej me gjashtë faqe. Ato kanë një formë kaq të rregullt, saqë kur shihen nga sipër, majat e tyre të kombinuara me njëra-tjetrën duken si hoje mjalti. Më vonë zbuluam se gati çereku i kolonave kanë pesë faqe, por ka edhe disa me katër, shtatë, tetë, madje edhe me nëntë faqe.

Rruga e Gjigantëve formohet nga tri pjesë. Më e madhja, e quajtur Rruga e Madhe, fillon në breg, rrëzë shkëmbinjve. Në fillim, ajo duket më shumë si një varg shkallaresh të gurta, gjigante e të parregullta, disa prej të cilave arrijnë deri në 6 metra lartësi. Ndërkohë që shtrihet drejt detit, menjëherë të krijohet ideja e një autostrade për gjigantët, pasi majat e kolonave që duken si hoje, shpejt nivelohen. Në këtë pjesë rruga ngjan si e shtruar me kalldrëm dhe ka një gjerësi nga 20 në 30 metra. Në kohë zbatice, ecëm disa qindra metra në këtë rrugë të gurtë, derisa ajo, pak nga pak, u krodh ndër dallgë, duke u zgjatur drejt Skocisë.

Kolonat e dy pjesëve të tjera, Rruga e Mesit dhe Rruga e Vogël janë grupuar përbri Rrugës së Madhe. Këto duken më shumë si grumbuj gurësh, sesa si rrugë. Majat e tyre të sheshta ua bëjnë të lehtë vizitorëve që të kacavaren nga njëra te tjetra. Për këtë duhet shumë kujdes. Pamë se kolonat afër ujit ishin të lagura dhe rrëshqitje kollaj.

Formacione të tjera gjigante

Ecëm edhe ca përgjatë një rripi toke 6,5 kilometra në vazhdim të vijës bregdetare, i cili në përgjithësi njihej si Kepat e Rrugës dhe pamë mijëra kolona të tjera që dukeshin nëpër shkrepa. Gjatë viteve, njerëzit u kanë vënë emra disa prej këtyre formacioneve. Dy prej tyre kanë emra instrumentesh muzikore. Njëri nga formacionet quhet Organo, ngaqë kolonat e tij të gjata e të rregullta ngjasojnë me gypat e një organoje gjigante. Tjetra, Harpa e Gjigantit ka kolona të stërmëdha e të harkuara që zbresin butë deri në breg.

Emri i gjigantëve përsëritet edhe në raste të tjera. Për shembull, ka emra të tillë, si Tezgjahu i Gjigantit, Qivuri i Gjigantit, Topi i Gjigantit dhe Sytë e Gjigantit. Madje një formacion quhet Çizmja e Gjigantit. Në plazhin që ishte më tutje, përgjatë Rrugës së Gjigantëve, pamë gurin me formë çizmeje. Ai ishte gati dy metra i lartë. Disa kanë llogaritur se gjiganti që sipas legjendës vishte «çizmen», duhet të ketë qenë të paktën 16 metra.

Formacioni tjetër, Majat e Oxhakut, të kujton lidhjen e Rrugës së Gjigantëve me flotën e famshme luftarake spanjolle. I ndarë nga shkëmbi kryesor, për shkak të erozionit dhe faktorëve të motit, ky formacion ka disa kolona që ngrihen mbi një kep të lartë i cili sheh nga bregu ku shtrihet Rruga. Është e lehtë të kuptosh se përse marinarët që i shihnin nga deti, gabimisht, menduan se ishin oxhakët e një kështjelle të madhe. Me sa duket, një anije lufte spanjolle, Hirona, duke u larguar nga disfata që pësoi flota spanjolle më 1588, zbrazi një batare topash drejt këtyre shtyllave, duke i kujtuar si kështjellë armike.

Fundi i Rrugës

Thuhet se Rruga e Gjigantëve u ndërtua për të bashkuar Irlandën me Skocinë. Ku përfundon ajo? Kolona identike bazalti gjenden 130 kilometra në verilindje të ishullit Stafa, një ishull shumë i vogël, i pabanuar, në perëndim të Skocisë. (Emri Stafa do të thotë «Ishulli me shtylla».) Benandoneri, gjiganti skocez që ia mbathi nga Fin Mekulli, quhej edhe Fingol dhe veçoria kryesore e ishullit Stafa,​—guva e madhe në det, e formuar në faqen e brendshme të këtyre kolonave prej bazalti, dhe që shtrihet rreth 80 metra në brendësi të shkëmbinjve​—quhej Guva e Fingolit, pra mori emrin e tij. Përplasja e dallgëve në guvë frymëzoi kompozitorin gjerman, Feliks Mendelsonin, të kompozonte në vitin 1832 uverturën «Hebridet», e njohur edhe si «Guva e Fingolit».

Si u formuan?

Meqë këto kolona uniforme nuk u bënë nga duart e gjigantëve që ishin në armiqësi, atëherë nga erdhën? Zbuluam se përgjigjja e saktë e kësaj pyetjeje lidhet me mënyrën si formohen disa shkëmbinj.

Irlanda e Veriut gjendet në një zonë me formacione gëlqerore kompakte. Aktiviteti vullkanik që ndodh thellë në brendësi të kores së tokës, shumë kohë më parë e shtyu lëndën e shkrirë minerale me temperaturë mbi 1.000 gradë celsius, të dilte përmes të çarave në formacionet gëlqerore. Sapo ra në kontakt me ajrin, ajo u ftoh e u ngurtësua. Po përse nuk u kthye thjesht në një masiv gjigant me formë të çrregullt?

Lënda minerale e shkrirë, ose magma, përbëhet nga shumë elemente kimike, e kështu mund të krijojë një shumëllojshmëri shkëmbinjsh. Shkëmbinjtë e formuar në mënyrë kaq të menjëhershme në Rrugën e Gjigantëve ishin prej bazalti. Ndërkohë që magma ftohej ngadalë, tkurrej, dhe për shkak të përbërjes së saj kimike, në sipërfaqen e jashtme u formuan të çara me formë të rregullt gjashtëkëndore. Teksa magma ftohej dalëngadalë nga brenda, të çarat përparonin më poshtë, e kështu u formua moria e kolonave prej bazalti në formë stilolapsi.

‘E ku maten dot me këtë arkitektët!?’

Kolona të tilla nuk ka vetëm në Irlandë ose në Skoci. Megjithatë, në shumë vende të tjera të botës, shpesh duhen goxha përpjekje që t’i shohësh nga afër. Rrallë ndodh të gjenden kaq shumë kolona gjashtëkëndëshe të ruajtura mirë, në një vend ku mund të shkojë gjithkush për t’i parë.

Në fund të shekullit të 18-të, sër Xhozef Benksit i bëri kaq përshtypje bukuria mahnitëse e disa kolonave që zbuloi në ishullin Stafa, saqë tha: «Ç’janë katedralet ose pallatet që kanë ndërtuar njerëzit në krahasim me këtë! . . . E ku maten dot me këtë arkitektët!?»

Edhe ne na ngjalli admirim vizita në Rrugën e Gjigantëve, një nga mrekullitë natyrore të Irlandës. U endëm mes kësaj arkitekture natyrore dhe medituam për fuqinë dhe aftësinë krijuese të Krijuesit dhe Arkitektit të Madh, Perëndisë Jehova.

[Figura në faqen 15]

Një dukuri natyrore​—Shumica e kolonave të gurta janë gjashtëkëndëshe

[Burimi]

Me mirësjelljen e NITB-së

[Figura në faqet 16, 17]

Kolonat prej bazalti shtrihen për gati gjashtë kilometra në vijën bregdetare

[Figura në faqen 17]

Çizmja e Gjigantit, rreth 2 metra e lartë

[Figura në faqen 17]

Këto kolona 12 metra të larta ngjasojnë me gypat e një organoje gjigante

[Burimet e figurave në faqen 16]

Sipër, majtas: Me mirësjelljen e NITB-së; poshtë: © Peter Adams/Index Stock Imagery