Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Takohemi te pusi»

«Takohemi te pusi»

«Takohemi te pusi»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MOLDAVI

NUSJA vështron e nervozuar teksa merret ujë nga pusi dhe derdhet në rrugë. Por ajo qesh e kënaqur ndërsa dhëndri e merr në krahë dhe ecën nëpër rrugën e lagur. Miqtë dhe familjarët mblidhen që të shikojnë dhe që të brohorasin për të sapomartuarit, teksa kryejnë ritualin e lashtë. Ky zakon i rrallë martese tregon qartë se në Moldavi, një pus është më shumë se vetëm një gropë me ujë.

Moldavia, e cila ndodhet në Evropën Juglindore, kufizohet në veri, në lindje e në jug me Ukrainën, ndërsa në perëndim me Rumaninë. Sipërfaqja e saj tokësore është 34.000 kilometra katrorë.

Megjithëse në Moldavi ka rreth 3.100 lumenj, shpesh për shkak të thatësirës lumenjtë nuk i plotësojnë siç duhet nevojat e 4.300.000 banorëve. Për të plotësuar sasinë e pamjaftueshme të ujërave sipërfaqësore, më tepër se 20 për qind e furnizimeve ujore të kombit vijnë nga puset. Është llogaritur se ka 100.000 deri në 200.000 puse anembanë pjesës moldave të pellgut të lumit Prut.

Puset e zbukuruara, të cilat ndodhen në mënyrë të volitshme përgjatë rrugëve dhe rrugicave të Moldavisë, qëndrojnë gati për të shuar etjen e udhëtarëve të lodhur. Në shumë fshatra pusi është edhe një vend për të takuar miqtë dhe për të biseduar për ngjarjet e ditës.

Respekt tradicional për ujin

Në Moldavi respekti për ujin e pusit tregohet në mënyra të ndryshme. Për shembull, banjat ndërtohen në njëfarë largësie nga pusi i familjes, dhe për ta mbajtur ujin të pastër ndalohet të derdhësh përsëri në pus ujin e tepërt. Nëse nxirret më shumë ujë se sa duhet, uji i tepërt duhet derdhur në tokë ose në një enë pranë pusit. Po ashtu konsiderohet mungesë edukate të pështysh pranë një pusi. Madje tradita e ndalon që debatet të bëhen pranë një pusi.

Puset nxitin frymën e bashkëpunimit mes moldavëve. Hapja e një pusi është një ngjarje për të gjithë komunitetin dhe konsiderohet po kaq e rëndësishme sa edhe ndërtimi i një shtëpie të re. Kjo pasqyrohet në thënien vendëse: njeriu që nuk ka arritur të ndërtojë një shtëpi, të rritë një djalë, të hapë një pus dhe të mbjellë një pemë, e ka çuar dëm jetën. Kur përfundon një pus, të gjithë njerëzit në komunitet që morën pjesë për përgatitjen e tij, ftohen në një banket të madh.

Shqetësime për mjedisin

Shumica e puseve në Moldavi furnizohen me ujë nga një rezervë ujore që gjendet 5 deri 12 metra nën tokë. Një rezervë tjetër ujore gjendet në thellësinë 150 deri 250 metra. Pavarësisht nga masat mbrojtëse tradicionale, pjesa më e madhe e ujërave nëntokësore të Moldavisë është ndotur nga mbeturinat industriale dhe bujqësore në të kaluarën. Në Raportin për Zhvillimin Njerëzor të Republikës së Moldavisë, të Kombeve të Bashkuara për vitin 1996, thuhej se nitratet dhe bakteriet patogjene kishin ndotur «gati 60% të puseve në Moldavi». Gjithsesi vitet e fundit cilësia e ujit të puseve është përmirësuar si rrjedhojë e rënies së prodhimit industrial dhe e pakësimit të sasisë së lëndëve kimike dhe të karburanteve që depërtonin në rezervat ujore.

Nëse vizitoni Moldavinë, nuk ju duhet të hidhni ujë në rrugë për të bërë një bisedë miqësore. Madje mund të dëgjoni ngjarjet e ditës teksa shuani etjen me një gotë ujë të freskët. Gjithçka që ju duhet është një moldav mikpritës që t’ju ftojë të takoheni te pusi.

[Kutia dhe figurat në faqet 26, 27]

NJË ZANAT TRADICIONAL

Oljeku është një zanatçi llamarinash dhe bën streha pusesh me zbukurime që kur mbaroi shkollën. Ai thotë: «Mendoj se e kemi në gjak punimin e llamarinave. Në fillim të shekullit të kaluar gjyshi mësoi zanatin e metalpunuesit nga një prej shumë zanatçinjve hebrenj të llamarinës që jetonin në komunitetin e madh hebraik jashtë fshatit të tij, Lipkani. Pas masakrës së Luftës së Dytë Botërore ata pak zanatçinj që kishin mbetur nuk ishin hebrenj. Pikërisht në atë kohë babai mësoi zanatin dhe ma la edhe mua.»

Ndërsa u jep formë trajtave të ndërlikuara që zbukurojnë strehët e puseve, Oljeku përdor vegla të thjeshta dhe pak modele; si edhe traditë e imagjinatë. Aftësitë e tij vlerësohen shumë nga banorët vendës. Oljeku thotë: «Klientët e mi zakonisht bëjnë pazar për çdo punim që bëjnë te të tjerët, por kur u bëj unë strehë pusi, zakonisht janë të kënaqur të paguajnë çmimin që u kërkoj.»

[Hartat në faqet 26, 27]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

UKRAINË

MOLDAVI

RUMANI

Deti i Zi