Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë të bësh kur ngec në trafik?

Çfarë të bësh kur ngec në trafik?

Çfarë të bësh kur ngec në trafik?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FILIPINE

RREZIK! Një epidemi ka pllakosur në shumë qytete. Nuk është një sëmundje ngjitëse dhe as ndonjë mizëri insektesh të pangopura e shkatërrimtare. Por gjithsesi, kërcënon shëndetin e miliona njerëzve. Ç’të jetë? Epidemia e bllokimit të trafikut automobilistik!

Sipas studiuesve, nëse të ndodh shpesh të ngecësh në trafik për shkak të bllokimit të tij, kjo mund të të sjellë dëme për shëndetin. Madje, nga një studim i kohëve të fundit, me sa duket ka dalë se, të paktën një orë pasi dikush ngec në trafik, ekziston rreziku i infarktit të zemrës. Gazeta The New Zealand Herald thotë se «gazet që dalin nga tubat e shkarkimit të makinave, zhurma dhe stresi, duket se janë shkaqet kryesore të këtij shtimi të papritur të rrezikut».

Ndotësit e ajrit

Një pjesë e madhe e automjeteve prodhojnë okside azoti, si edhe disa substanca kanceroze. Shumë automjete, po sidomos ato me motorë dizel, shkarkojnë në ajër sasi të mëdha grimcash të vogla. Këto përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin e njerëzve. Është llogaritur se deri në tre milionë njerëz vdesin çdo vit si pasojë e ndotjes së ajrit, e pjesa më e madhe e ndotjes shkaktohet nga automjetet. Në një raport thuhet se 10 për qind e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes te fëmijët evropianë është pasojë e ndotjes me këto grimca të imëta, që gjenden në sasi edhe më të mëdha në qytetet ku ka shpesh bllokim trafiku.

Por mendo edhe për rreziqet që i kanosen mjedisit të planetit tonë. Oksidet e azotit dhe dyoksidi i squfurit, të cilat vijnë nga gazet e shkarkimit të automjeteve, janë një faktor që shkakton shiun acid, i cili ndot ujin, dëmton jetën nënujore dhe një shumëllojshmëri të madhe bimësie. Si për t’i keqësuar gjërat më tepër, automjetet prodhojnë dyoksid karboni në sasi kolosale. Këtë gaz fajësojnë më shumë për ngrohjen globale, e cila thuhet se e rrezikon edhe më tepër planetin Tokë.

Më tepër aksidente

Me shtimin e trafikut, shtohet edhe rreziku për jetën njerëzore. Mbi një milion njerëz vdesin çdo vit në aksidente rrugore, dhe kjo shifër sa vjen e rritet. Në disa zona, rreziku është veçanërisht i lartë. Për shembull, disa studiues nga Komisioni Evropian zbuluan se «në 1 milion banorë, 690 vdesin në rrugët e Greqisë, krahasuar me shifrën 120 në Suedi».

Një dukuri jo e këndshme, së cilës i është kushtuar vëmendje e veçantë vitet e fundit, është zemërimi i shoferëve. Po dëgjohen gjithnjë e më shumë lajme ku shoferët shfryjnë zemërimin te shoferët e tjerë. Sipas një sondazhi të bërë nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut Rrugor në Shtetet e Bashkuara, shoferët mendonin se një nga arsyet pse disa shoferë bëhen më agresivë, ishte «shtimi ose bllokimi i trafikut».

Një katastrofë ekonomike

Bllokimi i trafikut sjell edhe humbje në para. Nga një studim doli se vetëm në Los-Anxhelos, Kaliforni, çdo vit shkojnë dëm mbi 4 miliardë litra karburant, si pasojë e vonesave në trafik. Por ka edhe humbje të tërthorta, si për shembull: humbja e mundësive të biznesit, shpenzime shtesë për kujdesin shëndetësor për shkak të ndotjes dhe shpenzime për shkak të shtimit të aksidenteve rrugore.

Po t’i mbledhësh bashkë të gjitha këto, rezulton se trafiku dobëson ekonominë e vendeve. Nga një studim doli se bllokimi i trafikut po u kushton amerikanëve rreth 68 miliardë dollarë në vit, në formën e kohës së humbur dhe të karburantit të shkuar kot. Në Lindjen e Largët, në një raport që doli në gazetën Philippine Star, thuhej: «Vendi po humbet miliarda pesos çdo vit për shkak të bllokimeve të trafikut.» Në Evropë, është llogaritur se humbasin në këtë mënyrë rreth çerek trilion euro.

Si parashikohet trafiku?

Me gjithë përpjekjet e shumta për të gjetur zgjidhje për problemet e trafikut, gjërat vetëm sa janë keqësuar. Nga një sondazh në shkallë kombëtare, që Instituti i Transportit në Teksas bëri në 75 zona urbane të Shteteve të Bashkuara, doli se koha e harxhuar nga vonesat në trafik ishte rritur nga mesatarisht 16 orë në vit që ishte në 1982-shin, në 62 orë në 2000-shin. Sasia e kohës gjatë ditës, kur udhëtarët në përgjithësi mund të ngecin në trafik, u rrit nga 4,5 në 7 orë. Në raport thuhet se «nivelet e bllokimit të trafikut janë rritur në secilën zonë, gjatë kohës që vazhdonte studimi. Koha kur bllokohet trafiku po zgjatet, dhe tani po preken më shumë rrugë se më parë».

Raporte të ngjashme vijnë edhe nga vende të tjera. Studiuesit që punonin nën drejtimin e Komisionit Evropian, nxorën përfundimin: «Po të mos ndryshojmë rrënjësisht mënyrën e udhëtimit, bllokimi i trafikut do të çojë në paralizimin e plotë të qyteteve në dhjetëvjeçarin tjetër.»

Të njëjtat probleme kanë dhe vendet aziatike. Tokioja është famëkeq për sa i përket bllokimit të trafikut, por edhe në qytete të tjera në gjithë Japoninë, trafiku po shtohet gjithnjë e më tepër. Në Filipine janë të zakonshme lajme të tilla, si ky që vijon, i cili u botua në gazetën Manila Bulletin: «Rrugët janë plot e përplot me pika të bllokimit të trafikut, dhe mijëra veta nga rrethinat, që presin të marrin transportin për në punë, rrinë në radhë, ndërsa oraret me trafik të ngjeshur sa vijnë e zgjaten.»

Për të qenë realistë, duket se tani për tani nuk ka ndonjë zgjidhje të plotë për problemin e trafikut. Entoni Daunsi, autor i librit Të ngecësh në trafik: Si të përballosh bllokimin e trafikut në oraret kulmore (anglisht), arriti në këtë përfundim: «Pavarësisht nga strategjitë publike që do të adoptohen në të ardhmen për t’iu kundërvënë bllokimit të trafikut, ka të ngjarë që gjendja të keqësohet në çdo anë të botës. Prandaj, si këshillë të fundit, po ju them: mësohuni me trafikun.»

Ç’mund të bësh?

Me këto që u thanë më lart, ç’mund të bësh për të përballuar këtë problem të bezdisshëm? Nëse je ndër ata miliona njerëz që ngecin shpesh në trafik, ka disa gjëra që mund t’i bësh për të mbrojtur shëndetin tënd fizik e mendor.

▪ PËRGATITU. Shumë njerëz janë të stresuar që më përpara se të ngecin në trafik. Ata zgjohen vonë. Bëjnë dush, vishen dhe hanë me nxitim. Mendimi se janë vonë për në punë, i fut ankthin. Ngecja në trafik vetëm sa ua shton stresin. Nëse mendon se do të ngecësh në trafik, atëherë programo ca kohë më tepër për udhëtimin. Po të dalësh më shpejt, mund të arrish edhe ta shmangësh orarin kur ka trafik. Sipas librit Stresi i punonjësve që udhëtojnë: Shkaqet, pasojat dhe mënyrat si të përballohet (anglisht), «udhëtimi më pak stresues për në punë fillon një ditë ose një natë më parë». Në libër thuhet edhe: «Rrobat, çanta e punës, dreka për vetë punonjësin ose për fëmijët, përgatiten një natë më parë, për të shmangur nxitimin e mëngjesit.» Natyrisht, është e rëndësishme të flini mirë. Për t’u ngritur shpejt në mëngjes, duhet të flini në një orar të arsyeshëm në darkë.

Ka edhe dobi të tjera që vijnë kur ngrihesh shpejt në mëngjes. Për shembull, ndenja ulur për një kohë të gjatë në makinë, në trafik, u shkakton stres muskujve dhe ul elasticitetin e tyre. Nëse ta lejojnë rrethanat, pse të mos bësh ca fizkulturë në mëngjes? Një program i rregullt ushtrimesh do të të përmirësojë shëndetin e përgjithshëm dhe do të të ndihmojë të përballosh stresin fizik që vjen kur ngec në trafik. Gjithashtu, kur ngrihesh pak më shpejt, do të kesh mundësi të hash një mëngjes të shëndetshëm. Të ngecësh në trafik, kur e ke stomakun plot me ushqime të gatshme pa vlera ushqyese, do të të stresojë edhe më tepër.

Mund të shmangësh stresin e mëtejshëm, duke u siguruar që makina jote të jetë në gjendje të mirë. S’ka gjë më të mërzitshme sesa të të prishet makina në mes të trafikut. E kjo sidomos kur moti është i keq. Prandaj, mirëmbaji frenat, gomat, ajrin e kondicionuar (nëse ka), ngrohësin, fshirëset e xhamave, xhamngrohësin dhe gjërat e tjera të rëndësishme. Edhe një aksident i vogël në një trafik të ngjeshur, mund të të stresojë shumë. Dhe, sigurisht, mos harro të kesh mjaft karburant në serbator.

▪ INFORMOHU. Para se të fillosh udhëtimin, mund të jetë e dobishme të informohesh për gjëra të tilla specifike si moti i keq, ndërtimi i ndonjë rruge, mbyllja e përkohshme e rrugës, aksidentet dhe kushtet e tjera të trafikut për atë ditë. Këto të dhëna mund t’i marrësh duke dëgjuar lajmet ose duke lexuar gazetën. Gjithashtu, mbaj një hartë të zonës. Duke i njohur mirë rrugët dytësore që mund të marrësh, ndoshta mund t’i shmangësh pikat e nxehta të trafikut.

▪ REHATOHU. Rregullo ventilimin në makinë, si dhe pozicionin e sedilies, që të jesh sa më rehat. Nëse makina ka radio ose kasetofon për kaseta a për CD, mund të dëgjosh muzikën tënde të preferuar. Ka disa lloj muzike që të qetësojnë dhe mund ta pakësojnë stresin. Këto masa mund të të ndihmojnë edhe për të mbytur paksa zhurmën e mërzitshme të trafikut. *

▪ SHFRYTËZOJE MIRË KOHËN. Një nga gjërat më të dobishme që mund të bësh ndërsa ke ngecur në trafik, është të mendosh për gjëra pozitive. Në vend që të bluash në mendje kushtet e këqija të trafikut, përpiqu të mendosh për aktivitetet e ditës. Nëse je vetëm, gjatë kohës që pret në trafik, ke mundësi të meditosh për gjëra të rëndësishme e madje edhe të marrësh vendime, pa pasur ndonjë ndërprerje.

Po të jesh pasagjer, nëse thjesht rri e shikon radhën e gjatë të makinave para teje, kjo vetëm sa ta shton stresin. Prandaj, planifiko që ta shfrytëzosh mirë këtë kohë. Ndoshta mund të marrësh me vete librin a gazetën tënde të preferuar. Mbase mund të lexosh postën që ke marrë një ditë më parë. Disave u pëlqen të shkruajnë letra ose të bëjnë ndonjë punë në laptop (kompjuterin portativ).

▪ JI REALIST. Në qoftë se jeton në një zonë ku bllokimi i trafikut është problem, atëherë merre parasysh që do të ngecësh në trafik e bëj plane në bazë të kësaj. Në mjaft qytete, bllokimi i trafikut është një problem që do të mbetet. Në librin Të ngecësh në trafik: Si ta përballosh bllokimin e trafikut në oraret kulmore, thuhet: «Është më se e sigurt se një masë e konsiderueshme e bllokimit të trafikut gjatë orëve kulmore, do të mbetet për të ardhmen e parashikueshme, në të gjitha zonat metropolitane që tashmë e kanë këtë problem.» Prandaj, mëso ta pranosh trafikun si pjesë normale të jetës sate dhe bëj ç’të mundesh për të nxjerrë më të mirën prej kësaj situate.

[Shënimi]

^ par. 25 Shumë lexuesve të revistës Zgjohuni! u pëlqen të dëgjojnë regjistrimet audio të kësaj reviste dhe shoqërueses së saj, Kullës së Rojës. Këto i gjen në disa gjuhë, në audiokaseta, CD dhe format MP3.

[Figura në faqen 26]

Shmange trafikun, duke planifikuar që më përpara

[Figura në faqen 26]

Para se të nisësh makinën, zgjidh një kasetë ose CD të përshtatshme

[Figura në faqen 26]

Nëse je pasagjer, gjej ndonjë mënyrë për ta shfrytëzuar mirë kohën

[Figura në faqen 26]

Mos u nevrikos për gjëra që s’mund t’i ndryshosh