Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të ketë një botë pa uri?

A do të ketë një botë pa uri?

A do të ketë një botë pa uri?

PËRFYTYRONI si ndihet një baba i dashur kur sheh fëmijët e tij të vuajnë nga kequshqyerja. I pikon në zemër. Nëse një prind ndihet kështu, atëherë mendoni si duhet të ndihet Ati ynë i dashur qiellor. Ai e di sa po vuajnë qindra milionë veta që gjenden në këtë situatë.

Pavarësisht nga synimet e mira të njerëzve për t’i siguruar ushqim botës së uritur, sot, në fillim të shekullit të 21-të, uria po shtohet. Megjithatë, Ati ynë qiellor, Jehovai, mund dhe do të bëjë diçka për ta zhdukur urinë përgjithnjë. Nga e dimë këtë?

Bibla shpjegon se, kur Perëndia vuri Adamin dhe Evën në kopshtin e Edenit, u siguroi gjithçka duhej që të ishin të sigurt, të kënaqur e të ushqyer mirë. Perëndia u tha: «Ju kam dhënë gjithë bimësinë që jep farë, e cila është në sipërfaqen e tërë tokës.» Qëllimi i Jehovait ishte që fëmijët e Adamit dhe të Evës ‘të mbushnin tokën’ dhe i gjithë njerëzimi të kishte ushqime të mira me bollëk.​—Zanafilla 1:28, 29.

Ndonëse çifti i parë u rebelua ndaj Krijuesit dhe i humbi bekimet e tij, qëllimi që Perëndia kishte për njerëzimin, nuk ka ndryshuar. Bibla e quan Jehovain, Ai «që u jep . . . bukë të uriturve» dhe përmban shumë profeci që tregojnë se ai do t’i zhdukë të gjitha problemet që lidhen me furnizimin me ushqime.​—Psalmi 146:7.

Kur dishepujt i kërkuan Jezuit një shenjë, ose provë, që të kuptonin se kur do ta vendoste Mbretërinë e tij dhe kur do të ndërhynte në çështjet e tokës, Jezui tregoi kushtet që do t’i paraprinin këtyre ngjarjeve. Një nga këto është ‘mungesa e ushqimit’. Një shqyrtim i kujdesshëm i fjalëve të Jezuit na siguron se vuajtjet e njerëzve do të përfundojnë së shpejti. *​—Mateu, kapitulli 24.

Lidhur me Parajsën që do të sjellë Perëndia, Psalmi 72:16 profetizon: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.» Në Izraelin e lashtë, gruri zakonisht rritej në lugina. Megjithatë, në kushtet parajsore të përshkruara në këtë profeci, edhe farat e mbjella në tokat më të thata, djerrë, e jo prodhuese, do të japin prodhim me bollëk. Një studiues i Biblës thotë: «Në kohën e Mesisë do të ishte sikur ngado të kishte fusha ku valëvitet gruri, madje edhe në majë të maleve. Do të ishte sikur kodrat të mbilleshin deri në majë, kështu që e gjithë toka do të mbulohej me të mbjella që të kënaqin syrin.»

Sa ndryshon e ardhmja që parathotë Bibla nga jeta e miliona njerëzve sot! Po, Perëndia premton se në të ardhmen, «toka do të japë prodhimin e saj. Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë».​—Psalmi 67:6.

Nëse doni të dini se si ju dhe të afërmit tuaj mund t’i gëzoni këto bekime e shumë të tjera që thuhen në profecitë entuziazmuese të Biblës, mos ngurroni të flitni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose të shkruani në njërën nga adresat e përshtatshme në faqen 5 të kësaj reviste.

[Shënimi]

^ par. 6 Për të shqyrtuar se si janë plotësuar profecitë e Jezuit, shihni kapitullin e 11-të të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura që zë gjithë faqen 10]