Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të bëjmë një dasmë tradicionale?

A duhet të bëjmë një dasmë tradicionale?

Të rinjtë pyesin . . .

A duhet të bëjmë një dasmë tradicionale?

«Ishte e fejuara ime, Sindi, ajo që tha e para të iknim dhe të martoheshim në një ceremoni me shumë pak njerëz, pa u thënë të gjithë miqve dhe kushërinjve. Kur biseduam, të dy mendonim se kështu do të harxhonim më pak kohë dhe energji e nuk do të stresoheshim dhe aq.»​—Aleni. *

NËSE je në moshë për martesë dhe dashuron dikë, ndoshta të pëlqen ideja që të ikni e të martoheni pa e marr vesh njeri. Në disa rrethana, mbase çiftit i duket më mirë t’ia mbathin e të martohen, pa u thënë as prindërve. Cilat parime mund të të ndihmojnë të vendosësh se ç’duhet të bësh? *

A është tradita kryesorja?

Ndonëse martesa njihet në shumë kultura, zakonet e dasmës ndryshojnë mjaft. Për një çift të krishterë, nuk është kryesore të ndjekin pikë për pikë traditën. (Romakëve 12:2) Gjëja që dëshirojnë më fort, është që periudha e njohjes dhe martesa e tyre t’i sjellin nder Perëndisë Jehova.​—1 Korintasve 10:31.

Meqë martesa është një lidhje që nderohet, shumica e çifteve nuk duan ta mbajnë sekret. Në shumë vende, çiftet Dëshmitarë të Jehovait, zakonisht e bëjnë ceremoninë e martesës në Sallën e Mbretërisë. * Pastaj, sipas dëshirës, mund të shtrojnë një drekë a darkë me familjen e miqtë ku mund të ketë dhe muzikë. S’ka nevojë që raste të tilla të bëhen tepër të mëdha. Gjithsesi, duhet pranuar se, të bësh një ceremoni martese dhe një dasmë, është stresuese dhe kërkon goxha para. Për shembull, në Shqipëri, dasmat mund të kushtojnë disa milionë lekë.

Për të pakësuar shpenzimet dhe për të pasur më pak stres, disa çifte zgjedhin një mënyrë më të thjeshtë. Sindi thotë: «U thamë prindërve se nuk do të bënim një dasmë tradicionale, sepse donim diçka të thjeshtë dhe pa shumë shpenzime. Prindërit e mi na siguruan se i kuptonin rrethanat tona dhe ishin dakord me ne. Ata na mbështetën vërtet.» Nga ana tjetër, kur i fejuari i Sindit, Aleni, u tregoi prindërve të tij planet që kishin për martesën, ata nuk arrinin ta kuptonin këtë vendim. «Mendonin se ishte faji i tyre,​—thotë Aleni,​—se mos kishin bërë ndonjë gjë, që na kishte shtyrë të merrnim këtë vendim. Por nuk ishte aspak kështu.»

Edhe prindërit e tu mund të mërziten nëse vendosni të bëni diçka fare të thjeshtë, mbase ngaqë duan të ftojnë sa më shumë njerëz që të gëzojnë së bashku në këtë ditë të veçantë. Por, ç’të themi nëse po mendon të martohesh pa ua thënë fare prindërve, ngaqë e di se ata nuk e çojnë nëpër mend që ti të martohesh?

Merr parasysh mendimin e prindërve

Ndoshta prindërit nuk duan, sepse mendojnë se je tepër i ri për të marrë një vendim kaq të rëndësishëm. Mbase kanë frikë se dëshirat e tua do të ndryshojnë teksa piqesh dhe shpejt do të pendohesh për zgjedhjen që ke bërë. Ose mendojnë se je në moshë për martesë, por shohin disa të meta në karakterin e njeriut që do. Madje, mund të të ndalojnë të martohesh, sepse njeriu që ke zgjedhur, nuk ka të njëjtat bindje fetare me ty.

Nëse prindërit e tu janë të krishterë të vërtetë, ka të ngjarë që shqetësimi i tyre të bazohet në Bibël. Kanë plotësisht të drejtë të shprehin çdo frikë që mund të kenë. Ç’është e vërteta, nëse nuk do ta bënin këtë, Jehovai do t’i quante të pakujdesshëm e të padhembshur. Veç kësaj, është për të mirën tënde të dëgjosh edhe mendimin e tyre.​—Proverbat 13:1, 24.

Le ta ilustrojmë: kur blen ndonjë veshje, shpesh kërkon edhe mendimin e dikujt tjetër, nëse të shkon ose jo. Mbase nuk je gjithnjë në një mendje me ta, por, gjithsesi, do të doje që shokët e ngushtë të ta thoshin nëse ajo veshje nuk bën për ty. Ti ua di për faleminderit, se po të ndihmojnë të mos i harxhosh kot paratë. Atëherë, sa më shumë duhet ta vlerësosh mendimin e familjarëve kur zgjedh shoqen e jetës. E ndërsa veshjen mund ta ndërrosh ose ta hedhësh, Jehovai pret që bashkëshorten ta mbash për gjithë jetën. (Mateu 19:5, 6) Nëse zgjedh dikë që nuk është tamam një pjesë plotësuese për personalitetin tënd dhe nuk të ndihmon nga ana frymore, kjo lidhje do të të sillte shumë më tepër probleme se sa sikleti që ndien kur vesh një rrobë që nuk të rri mirë. (Zanafilla 2:18; Proverbat 21:9) E si pasojë, ndoshta do të humbasësh mundësinë për të gjetur lumturinë e vërtetë.​—Proverbat 5:18; 18:22.

Vërtet, ndoshta disa prindër nisen nga arsye egoiste kur nuk duan që fëmija të martohet. Për shembull, një arsye mund të jetë ta mbajnë ende nën kontroll fëmijën e tyre. Sidoqoftë, para se t’i shpërfillësh shqetësimet e tyre, duke i quajtur arsye egoiste, dhe të ikësh fshehurazi për t’u martuar, pse të mos i shqyrtosh gjërat për të cilat ata nuk janë dakord?

Arsye për të pasur kujdes

Është një fakt që dëshirat e tua do të ndryshojnë teksa piqesh. Apostulli Pavël shkruan: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.» (1 Korintasve 13:11) Po kështu, tiparet e një njeriu, që të tërheqin kur je adoleshent, ka të ngjarë mos të të pëlqejnë më kur të rritesh edhe ca. Prandaj, Bibla këshillon të presësh derisa ‘të kalosh lulen e rinisë’​—vitet kur dëshirat seksuale arrijnë kulmin​—e pastaj të bësh hapin e rëndësishëm të zgjedhjes së bashkëshortit a bashkëshortes.​—1 Korintasve 7:36.

Po sikur prindërit të gjejnë të meta te njeriu që ke zgjedhur? Nga përvoja, prindërit i kanë stërvitur më mirë aftësitë perceptuese për të dalluar të drejtën nga e gabuara. (Hebrenjve 5:14) Kështu, ata mund të dallojnë të meta serioze në karakterin e personit me të cilin dëshiron të martohesh, edhe pse ti nuk i sheh. Vër re parimin që shkroi burri i mençur, Solomoni: «Kush flet i pari në çështjen e vet ligjore, duket se ka të drejtë, por ndërhyn tjetri dhe me siguri e heton fund e krye.» (Proverbat 18:17) Po kështu, personi që ke zgjedhur mund të të ketë bindur se është njeriu i duhur për ty. Por, pasi prindërit e tu e ‘hetojnë fund e krye’ ndoshta vënë në dukje disa gjëra që ia vlen t’i marrësh parasysh.

Për shembull, ata me vendosmëri mund të të kujtojnë se Bibla u thotë të krishterëve të vërtetë që të martohen «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39) Ndoshta do ta kundërshtosh këtë duke thënë se njeh edhe të tjerë të cilët janë martuar me dikë që nuk ishte e krishterë, e megjithatë, tani të dy po i shërbejnë të lumtur Jehovait. Vërtet, raste të tilla ka, por sidoqoftë, janë tepër të rralla. Po të martohesh me dikë që nuk ka të njëjtin besim si ti, jo vetëm që po shpërfill normat e Jehovait, por edhe po e vë veten në një rrezik të madh frymor.​—2 Korintasve 6:14. *

Një arsye jo e mençur për t’u martuar

Disa të rinj kanë ikur nga shtëpia dhe janë martuar, sepse kanë kryer imoralitet dhe kanë menduar se martesa do t’i qetësonte ndërgjegjen. Ose kanë shpresuar të mbulonin pasojat e mëkatit, siç është një shtatzëni e padëshiruar.

Nëse do të martoheshe për të fshehur një mëkat, vetëm sa do ta rëndoje fajin me një faj tjetër. Solomoni paralajmëroi: «Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.» (Proverbat 28:13) Babai dhe nëna e Solomonit, Davidi dhe Betsheba, mësuan se ç’marrëzi ishte të përpiqeshin të fshihnin sjelljen e tyre imorale. (2 Samuelit 11:2–12:25) Në vend që ta fshehësh mëkatin, fol me prindërit dhe me pleqtë e kongregacionit. Kjo kërkon guxim, por ji i sigurt se Jehovai do të të falë nëse pendohesh. (Isaia 1:18) Pasi të fitosh sërish një ndërgjegje të pastër, do të jesh më në gjendje të marrësh një vendim të arsyeshëm për martesën.

Të mos ndiesh keqardhje më vonë

Duke sjellë ndër mend martesën e tij, Aleni thotë: «Vendimi për një dasmë të thjeshtë bëri që ky rast të mos ishte shumë stresues. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është se nuk i ndihmova familjarët e mi t’i kuptonin më mirë arsyet për vendimin tonë.»

Nëse një çift i pjekur do të bëjë ose jo një dasmë tradicionale, ky është një vendim që u takon atyre. Megjithatë, kur merr vendime për martesën, mos u nxito, por fol me prindërit dhe ‘shqyrtoji hapat e tu’. Kështu, nuk do të ndiesh keqardhje më vonë.​—Proverbat 14:15.

[Shënimet]

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 4 Ndonëse në artikull përdoret gjinia mashkullore, këshillat vlejnë si për djemtë, ashtu edhe për vajzat.

^ par. 7 Në shtetet ku vetëm autoritetet bashkiake janë të autorizuara të lidhin një martesë, këto vende adhurimi shpesh përdoren për të mbajtur një fjalim të shkurtër. Në të trajtohen parimet biblike që shërbejnë si themel për një martesë të mirë. Sigurisht, nuk paguhet qira për të përdorur Sallën e Mbretërisë.

^ par. 18 Për një shqyrtim më të hollësishëm të kësaj teme, shih revistën Kulla e Rojës e 1 korrikut 2004, faqet 30, 31 dhe 1 nëntor 1989, faqet 18-22 (anglisht).

[Figura në faqen 23]

Kur merr vendime për martesën, fol me prindërit