Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Më shumë mundësi zgjedhjeje dhe më pak kënaqësi?

Më shumë mundësi zgjedhjeje dhe më pak kënaqësi?

Më shumë mundësi zgjedhjeje dhe më pak kënaqësi?

NJË artikull në revistën Scientific American, thotë se sot njerëzit në Shtetet e Bashkuara kanë «më shumë mundësi zgjedhjeje në fushat e jetës, sesa më parë». Kjo është e vërtetë kur duhet të zgjedhin mallrat, shërbimet, punësimin, madje edhe shoqëritë. Sipas logjikës i bie që sa më tepër mundësi zgjedhjeje të kenë, aq më shumë kënaqësi marrin nga jeta. Megjithatë, edhe pse është për t’u habitur, shpesh kjo gjë sjell vuajtje. Si ka mundësi?

Artikulli vërente se qëndrimi që kemi për mundësitë e zgjedhjeve ndikon në lumturinë që provojmë. Për shembull, disa harxhojnë goxha kohë dhe përpjekje për të bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme në treg duke lexuar me kujdes etiketat dhe duke analizuar produktet e reja. Pastaj i krahasojnë mallrat që kanë blerë me ato që kanë blerë të tjerët. Konsumatorë të tjerë përpiqen të gjejnë diçka të «kënaqshme», pavarësisht se mund të ekzistojnë alternativa edhe më të mira. Këta njerëz nuk vazhdojnë të kërkojnë më kur gjejnë mallin që u plotëson nevojat.

Është e qartë se ata që gjithnjë duan më të mirën, sa më tepër alternativa kanë, aq më të vështirë e kanë të zgjedhin. Pastaj, kur e bëjnë zgjedhjen, siç thotë Scientific American, «shqetësohen për ato mundësi që nuk patën kohë t’i shqyrtonin». Në fund, «janë më pak të kënaqur me jetën, më pak të lumtur, më pak optimistë dhe më shumë të stresuar». Cili është përfundimi? «Ka arsye të forta për të besuar,​—thotë artikulli,​—se në fund të fundit mundësia e pafund e zgjedhjes shkakton përhapjen e epidemisë së palumturisë në të gjithë shoqërinë moderne.»

Megjithatë, autorët e studimit vërejtën se stresi që krijohet në këto raste mund të zvogëlohet. Si?

● Mund të vendosim të kufizojmë alternativat kur vendimi që do të marrim nuk është shumë i rëndësishëm. Për shembull, vini një rregull që të mos hyni në më shumë se dy dyqane kur shkoni të blini rroba.

● Zgjidhni atë që ju plotëson nevojat bazë, në vend që të kërkoni për «më të mirën», e cila është e vështirë të gjendet. Pastaj, mos mendoni më për të.

● Mos mendoni shumë për aspektet tërheqëse të alternativave që keni refuzuar. Mësohuni të përqendroheni te aspektet pozitive të asaj që tashmë keni zgjedhur.

● Ekziston një shprehje: «Mos pretendo shumë, dhe nuk do të zhgënjehesh.» Kjo këshillë është e arsyeshme nëse dëshironi të merrni më shumë kënaqësi në jetë.

[Burimi i figurës në faqen 31]

Burimi: Scientific American