Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nëse ushqimet mbarojnë

Nëse ushqimet mbarojnë

Nëse ushqimet mbarojnë

NË DISA vende të botës, për banorët e qyteteve është normale të gjejnë prodhime bujqësore sa të duan e me çmime të përballueshme sa herë të shkojnë në dyqan ose në treg. Kur ka me bollëk, blerësit nuk mendojnë gjatë se si prodhohen e shpërndahen këto ushqime. Megjithatë, në kohë krize, fillojnë të mendojnë sa punë duhet që t’i kenë trastat plot kur të kthehen nga dyqani. Nëse për ndonjë arsye dyqanet rrezikojnë të mos furnizohen, pasojat mund të jenë shkatërrimtare.

Vini re ç’ndodhi në një vend me probleme ekonomike në Afrikën e Veriut. Si pasojë e ndërprerjes së ndihmave financiare për fermerët, çmimi i bukës u rrit dyfish brenda natës. Në shenjë proteste, turma të zemëruara vërshuan si të tërbuara nëpër rrugë, duke thyer xhamat e dyqaneve e duke sulmuar bankat dhe postat. Trazirat u përhapën në mbarë vendin dhe u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Në një rast, në përpjekje për të shtypur revoltën, forcat e policisë hapën zjarr mbi turmat. Sipas njoftimeve, u vranë 120 veta dhe u plagosën shumë të tjerë.

Ajo që ndodhi në Britani, në shtator të vitit 2000, tregon se furnizimi me ushqime mund të jetë problem edhe për vendet me ekonomi të qëndrueshme. Protestuesit kundër çmimeve të larta të karburantit, bllokuan daljet e rafinerive të naftës dhe nuk i lejuan kamionët të dilnin. Brenda disa ditësh pikat e karburantit shteruan, makinat e kamionët nuk kishin karburant, dhe kjo paralizoi sistemin e shpërndarjes së ushqimeve. Në mbarë vendin, dyqanet dhe supermarketet që zakonisht varen vetëm nga furnizimi aty për aty, i kishin raftet bosh.

Në vendet në zhvillim, ka një varg problemesh që lidhen me shpërndarjen e ushqimit. Sipas botimit Ushqim për qytetet (anglisht), nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), janë një sërë arsyesh​—përfshirë edhe thatësirën, krizat ekonomike, trazirat civile dhe luftën​—për shkak të të cilave «ndodh mjaft shpesh që sistemi i shpërndarjes së ushqimeve të jetë pa rendiment ose të bllokohet. Kur ndodh kjo, ata që vuajnë, janë të varfrit, pavarësisht se pasojat mund të ndihen vetëm në një zonë ose mund të jenë të përkohshme.»

Analistët mendojnë se zgjerimi i shpejtë i zonave urbane, do të paraqitë «probleme të jashtëzakonshme» për furnizuesit dhe shpërndarësit e ushqimeve. Parashikohet se aty nga viti 2007, më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të jetojë në qytet. Sipas FAO-s, «furnizimi [i banorëve të qyteteve] me ushqim të sigurt dhe çmime të përballueshme do ta tendosë kaq shumë zinxhirin e furnizimeve e të shpërndarjes së ushqimeve, sa do të këputet fare».

Të kemi ushqim në dyqane e në tryezat tona është një çështje thelbësore. Por, a mund të jemi të sigurt që sistemi i furnizimit me ushqime do të na sigurojë gjithnjë ushqim? Përse specialistët shqetësohen që ky sistem po ngarkohet përtej kapacitetit? A do të vijë një ditë kur askush nuk do të ketë pse të shqetësohet për ushqimin?

[Figura në faqen 3]

Plaçkitje gjatë një krize për ushqime

[Burimi]

BETAH/SIPA