Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Stresi Seria «Lehtësim nga stresi!» erdhi në kohën e duhur. (8 shkurt 2005) Artikulli doli pikërisht atëherë kur po mendoja se do të pësoja një krizë nervore, pasi nuk po e përballoja dot më stresin. Gjendja ime ndryshoi si nata me ditën falë këshillave tuaja.
Anonim, Shtetet e Bashkuara
Kohët e fundit u diagnostikova me depresion. Prandaj pohimi: «Është e përshtatshme të kujdeseni për nevojat tuaja», më ngrohu zemrën. Ilustrimi që tregonte se duhet të ‘mbushim depozitën tonë bankare’, ishte shumë i goditur. Ndihesha përtokë emocionalisht, por që tani e tutje do të përpiqem t’i kuptoj caqet e mia.
U. O., Japoni
Sapo jam kthyer nga një seminar, në të cilin bëra një prezantim të shkurtër lidhur me përballimin e stresit. Isha në gjendje të flitja për shkaqet pse krijohet stresi, për pasojat, si edhe çfarë mund të bëhet për ta luftuar atë, falë informacionit që gjendej te kjo revistë e mrekullueshme.
U. L., Gjermani
Celularët Faleminderit për artikullin «Celulari: Mik apo armik?» (8 shkurt 2005) Jam 14 vjeçe dhe kam qenë shumë e varur pas celularit. Artikulli më ndihmoi të kuptoj se telefoni nuk duhet të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën time, sidomos po të mbahen parasysh pasojat e dëmshme që sjell te shëndeti. Faleminderit për këta artikuj interesant.
M. B., Rumani
Fokat harp Dua t’ju shpreh vlerësimin nga zemra, për artikujt e këndshëm dhe edukues që shkruani në Zgjohuni! Pasi lexova artikullin «Të vegjlit e dëborës të Ishujve Magdalenë», u dashurova pas këtyre kafshëve kaq të dashura. (8 janar 2005) Figurat më ndihmuan të kuptoj rritjen e tyre interesante. Ky artikull jo vetëm më nxiti të falënderoj Jehovain, i cili krijoi këto krijesa, por edhe më shtoi dëshirën për të jetuar në parajsë. Kam pasur ca probleme stresuese dhe s’mund ta shpreh dot me fjalë se sa më inkurajoi ky artikull që të ngroh zemrën. Ju lutem vazhdoni të botoni artikuj të tillë.
N. S., Japoni
Kuajt e detit Ma dha revistën tuaj një Dëshmitar i Jehovait, dhe dua t’ju shpreh mirënjohjen time për artikullin «Kërcimtarët e detit». (22 dhjetor 2004) Kohët e fundit mora një notë shumë të mirë në një detyrë shkolle për kuajt e detit, pasi përdora informacionin që shkruhej në artikullin tuaj. Falë revistës Zgjohuni!, kam mësuar më shumë për shkencën dhe teknologjinë dhe veçanërisht për Perëndinë. Faleminderit për këtë revistë të mrekullueshme.
T. P., Indonezi
Është shkruar . . . Më kënaqi shumë artikulli «Është shkruar: Do ta shoh përsëri.» (22 dhjetor 2004) Jam 11 vjeçe dhe deri tani nuk kam pasur guximin t’u flitja të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Por, pasi lexova përvojën e Rosalia Filipsit, kuptova se Jehovai do të më mbështetë. Dua të bëhem një lajmëtare e guximshme e lajmit të mirë, ashtu si Rosalia.
P. P., Poloni
Jam 27 vjeç, dhe para 24 vjetësh nëna ime ra në gjumin e vdekjes. Që kur u bëra Dëshmitar i Jehovait, kam pasur shpresën e fortë se do ta shoh përsëri. Ju jam shumë mirënjohës për këta lloj artikujsh. I jam mirënjohës Jehovait, ju botuesve të Zgjohuni! dhe Rosalisë që na tregoi edhe ne përvojën e saj të bukur.
A. F., Venezuelë