Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mënyrë e veçantë të ecuri!

Një mënyrë e veçantë të ecuri!

Një mënyrë e veçantë të ecuri!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË

Keni dëgjuar ndonjëherë për ecjen nordike? Në Finlandë, kjo ecje është bërë një nga ushtrimet më të përhapura. Përdoren disa shkopinj, që janë të ngjashëm me ato të skive. Si u zhvillua dhe cilat janë dobitë e kësaj lloj ecjeje?

KUR sheh dikë duke ecur në këtë mënyrë, mund të të duket sikur po sheh një skiator që i bie vendit kryq e tërthor, por pa skitë. Faktikisht, ata që shpikën ecjen nordike, ishin skiatorët e garave kur filluan të stërviteshin më shumë gjatë verës dhe të përdornin shkopinjtë e skive. Në vitet 80, ecja me shkopinj iu sugjerua atletëve të tjerë si një ushtrim mjaft i efektshëm. Nga fundi i viteve 90, njerëzit në përgjithësi nisën të ecnin me shkopinj. Anketa Gallup e vitit 2004, tregoi se 760.000 finlandezë​—19 për qind e popullsisë​—bënin ecje nordike të paktën një herë në javë. «Ecja nordike është bërë ushtrimi i dytë më i përhapur në Finlandë, pas ecjes normale»,​—thotë Tuomo Jantuneni, drejtori ekzekutiv i Suomen Latusë, organizatës që drejtoi këtë anketë. Ecja nordike i ka qëndruar kohës. Vitet e fundit, është futur gradualisht edhe në vende të tjera.

Mjaft njerëz i njohin shumë mirë dobitë e ecjes normale, por cilat janë avantazhet e ecjes me shkopinj? «Një dobi e madhe është se ushtrohet pjesa e sipërme e trupit, përfshirë muskujt e krahëve, të kurrizit dhe të barkut,​—thotë mjeku terapist dhe specialist për ecjen nordike, Xharmo Ahonen.​—Gjithashtu, shtendos muskujt e qafës dhe të shpatullave, tendosja e të cilëve është e zakonshme tek ata që punojnë në zyra.»

Ecja nordike vë në punë më shumë muskuj sesa ecja normale, e si pasojë digjen më tepër kalori. Përdorimi i shkopinjve nxit ecjen e shpejtë dhe shton rrahjet e zemrës. Por nuk mbaron me kaq. Ata që e rekomandojnë këtë ushtrim, thonë se, kur shkopinjtë përdoren ashtu siç duhet, e ndihmojnë dikë të ecë drejt, duke përmirësuar qëndrimin e trupit. «Po ashtu, ecja nordike lehtëson tensionin që krijohet te kyçet, sepse pesha e trupit bie më tepër te shkopinjtë»,​—thotë Ahoneni. Një njeri që ushtron ecjen nordike thotë se shkopinjtë e ndihmojnë të ruajë ekuilibrin kur ecën në sipërfaqe të rrëshqitshme. Ja përse, gjatë dimrit, të moshuarit ecin në këtë mënyrë të re, pasi shpesh toka është me akull ose e mbuluar nga bora.

[Kutia në faqen 20]

Dëshironi ta provoni?

Ecja nordike nuk do pajisje të kushtueshme. Ato që ju duhen, janë vetëm një palë këpucë të rehatshme dhe një palë shkopinj të përgatitur enkas për këtë punë, që të jenë të përshtatshëm për gjatësinë tuaj. Nëse ecni në sipërfaqe të fortë, mbështillni majat e mprehta metalike të shkopinjve me një material prej gome. Ecja nordike nuk është shumë e vështirë për t’u mësuar. Ju mund t’ia merrni dorën. Megjithatë, nëse jeni fillestar, do të bënit mirë të merrnit disa këshilla nga një që është specialist në këtë fushë.