Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Miqësitë ndikojnë te zemra
«Pasja e miqve dhe e marrëdhënieve të mira me familjen, bën që të zvogëlohet rreziku i infarktit të zemrës ose i apopleksisë»,—pohon gazeta spanjolle Diario Médico. Prej kohësh, mjekët i kanë konsideruar nivelin e kolesterolit, presionin e gjakut dhe peshën e trupit si faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në gjendjen e zemrës. Por, sipas një studimi të kohëve të fundit, me rreth 500 gra që kishin dhembje në kraharor, duhet marrë parasysh edhe se sa e ngushtë është marrëdhënia me familjarët dhe numri i miqve. Ky studim tregoi se «gratë që kishin marrëdhënie të ftohta me të tjerët, rrezikonin dyfish të vdisnin [para kohe] në krahasim me ato që ishin më të shoqërueshme». Çarl Xh. Pepine, bashkautor i këtij studimi, shton se «u vu re që rreziku [për apopleksi ose infarkt] ishte më i vogël, madje edhe nëse një grua kishte vetëm një ose dy shoqe të ngushta».
Një sfungjer i çuditshëm
Gazeta gjermane Die Welt, raporton se studiuesit në Universitetin e Shtutgartit, Gjermani, kanë zbuluar kohët e fundit një sfungjer të bardhë, në formë sferike që shfaq disa veçori të çuditshme. Sfungjeri është shumë i vogël, por mund të lëvizë disa centimetra në ditë, duke qenë kështu sfungjeri më i shpejtë nga të gjithë ata që janë zbuluar deri më sot. Gjatë tkurrjeve ritmike, organizmi nxjerr ujin nga trupi, duke e zvogëluar madhësinë e trupit deri në 70 për qind. Kur fryhet—duke thithur ujë—bashkë me ujin futen edhe lëndë ushqyese, edhe oksigjen i tretshëm. Studiuesit zbuluan se tkurrjet e sfungjerit bëheshin më të forta kur brenda në akuarium i hidhnin krustace të vogla. Studiuesi Majkëll Nikeli thotë se «kjo është shumë e pazakontë», pasi sfungjeri «nuk ka sistem nervor». Si i kontrollon ai lëvizjet e tij ose si e dikton praninë e krijesave të tjera, edhe pse nuk ka sistem nervor? Studiuesit po e studiojnë me shumë vëmendje sfungjerin, duke shpresuar që ta zbulojnë se si i kryen ai të gjitha këto.
Po pakësohen krustacet në Antarktik
Dejvid Adami, raportonte në gazetën londineze Guardian se krustacet e vogla, që ngjajnë si karkaleca e që janë jetësore për zinxhirin ushqimor të jetës detare, janë pakësuar 80 për qind në Antarktik që nga vitet 70 të shekullit të 20-të. Këto lloj krustacesh ushqehen me algat që strehohen në ujin nën akull, por temperatura mesatare e ajrit përqark Gadishullit Antarktik, është rritur 2,5 gradë celsius që nga vitet 50, duke shkrirë një pjesë të akullit. Angës Atkinsoni, i Anketës Britanike për Antarktikun, thotë: «Nuk arrijmë ta kuptojmë plotësisht se si lidhet shkrirja e akullit të detit me ngrohtësinë, por mendojmë se kjo mund të jetë një nga shkaqet e pakësimit të krustaceve.» Skuadra analizoi shifrat e sakta të peshkimit të nëntë vendeve që punuan në Antarktik që nga viti 1926 deri më 1939, dhe që nga viti 1976 deri më 2003. Ata thonë se tani janë vetëm një e pesta e krustaceve që ekzistonin tridhjetë vjet më parë.
Të flasësh me fishkëllima
Barinjtë e La Gomerës, në ishujt Kanarie, përdorin një gjuhë që njihet me emrin silbo që bazohet te fishkëllimat. Duke përdorur një kod që përbëhet nga dy zanore dhe katër bashkëtingëllore, të cilat fishkëllehen në tone të ndryshme, barinjtë arrijnë të komunikojnë edhe në largësi shumë të mëdha. Kohët e fundit, studiuesit përdorën një aparat me rezonancë magnetike për të krahasuar aktivitetin e trurit të pesë njerëzve që flitnin vetëm spanjisht, me atë të pesë barinjve që flitnin edhe spanjisht, edhe silbo. Siç pohon gazeta spanjolle El País, studiuesit zbuluan se kur barinjtë komunikonin me fishkëllima, «truri i tyre lëshonte të njëjtat sinjale sikur të ishin duke folur normalisht». Raporti citonte fjalët e njërit prej studiuesve, i cili thotë: «Rezultatet janë një tjetër provë që tregojnë se njeriu është shumë i zhdërvjellët në aftësinë gjuhësore dhe kap një larmi formash.»
Rritet kostoja e përkthimeve
Në maj të vitit 2004, Bashkimi Evropian u zgjerua duke anëtarësuar edhe dhjetë kombe të tjera, duke e çuar kështu në 25 numrin e përgjithshëm. Megjithatë, ky zgjerim solli probleme gjuhësore, që rezultuan në shtimin e kostove. Të 20 gjuhët që përdoren në këto 25 vende, konsiderohen zyrtare. Kështu, dokumentet duhet të përkthehen në secilën gjuhë. «Përpara zgjerimit,—raporton revista franceze Valeurs Actuelles,—në vitin 2003, Komisioni Evropian përktheu 1.416.817 faqe.» Megjithatë, numri i faqeve të përkthyera do të rritet shumë tani e tutje. Me nëntë gjuhë të reja, kombinimet e mundshme të përkthimeve (për shembull, nga gjuha malteze në atë finlandeze, ose nga gjuha estoneze në greqisht) janë rritur nga 110 deri në 380. Gjetja e përkthyesve të aftë është e vështirë. Robert Roui i Komisionit Evropian në shërbimet e përkthimit thotë se buxheti për përkthimin—që sot për sot është 550 milionë euro—po rritet jashtëzakonisht dhe «mund të arrijë deri në 808 milionë euro».
Tymi nëpër kisha
The Sydney Morning Herald raporton se tymi i qirinjve dhe i temjanit, mund të rrezikojë shëndetin e priftërinjve dhe të atyre që shkojnë në kishë, të cilët rrinë për një kohë të gjatë brenda kishave me shumë pak ajrosje. Gazeta thotë se, një studim zbuloi se niveli i tymit në dy kisha ishte «20 herë më i lartë sesa ajri që konsiderohet i pastër për t’u thithur sipas standardeve evropiane për ajrin e ndotur». Raporti e përngjasonte nivelin e ndotjes së ajrit në kishë me ajrin që «gjendet në rrugët ku kalojnë 45.000 makina në ditë». Një nga autorët e këtij studimi paralajmëron se po të rrihet rregullisht në këto ambiente të ndotura, mund të shtohet rreziku për kancer në mushkëri ose sëmundje të tjera të mushkërive.
Monument për kafshët e përdorura në luftë
Gazeta The Times raporton se në qendër të Londrës u përurua «një monument kombëtar për kafshët që shërbyen, vuajtën dhe u vranë përkrah forcave britanike dhe forcave aleate në luftërat dhe konfliktet që u zhvilluan përgjatë shekujve». Monumenti është një skulpturë bronzi që paraqit një kalë, një qen dhe dy mushka, të rrethuara nga një mur i gdhendur me figura të kafshëve të tjera që shërbyen në luftëra të ndryshme. Për shembull, në Luftën I Botërore, u vranë rreth tetë milionë kuaj, si edhe një numër pa hesap mushkash dhe gomarësh. Gazeta Guardian raporton se gjatë Luftës I Botërore, ushtarët përdornin xixëllonjat për të lexuar natën hartat. Një qen i jashtëzakonshëm, Robi, i quajtur «qeni-parashutë», kreu më shumë se 20 hedhje me parashutë në Afrikën e Veriut dhe në Itali. Gjithashtu, gazeta The Times pohon se gjatë Luftës II Botërore, edhe një pëllumb që quhej Sher Ami «çoi jo pak, por 12 mesazhe, dhe nuk dështoi asnjëherë». Megjithatë, sipas një burimi, llogaritet se rreth 200.000 pëllumba u vranë gjatë asaj lufte.