Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si lindi në kohët tona industria e diamanteve

Si lindi në kohët tona industria e diamanteve

Si lindi në kohët tona industria e diamanteve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKËN E JUGUT

GJITHÇKA filloi në janar të vitit 1871. Adrian van Vejku, një fermer që e donte shumë Biblën, jetonte bashkë me familjen në një rajon gjysmë të thatë të Afrikës së Jugut, të njohur si Grikualand-Uesti. Por jetës së tij të qetë i erdhi fundi, pasi një turmë të huajsh mbërritën në fermën e tij dhe ngritën çadrat aty. Van Vejku nuk u besonte syve ndërsa shihte nga karrigia në verandën e vet se çfarë po ndodhte!

S’kaluan veçse pak ditë dhe në pronën e tij mbërritën me mijëra burra, deri ku i kapte syri! Madje, disa u vendosën edhe në oborrin e përparmë të shtëpisë së tij, duke vënë kufijtë aty pa i marrë leje dhe, madje, pa e përshëndetur fare! Po ç’kishte ndodhur? Çne gjithë ky entuziazëm? Sa ishte hapur fjala se në fermën e Van Vejkut kishte diamante, kishin filluar ethe të reja.

Si lindën ethet e diamantit?

Rreth 12 vjet më përpara, pranë lumit Val, nja 70 kilometra në veri të fermës së Van Vejkut, u gjet një diamant pesë karatësh. Ai që e gjeti, ia shiti priftit që drejtonte Misionin e Shoqatës Berlineze, për pesë paunde angleze. Për këtë zbulim të parë diamantesh nuk ka më asnjë të dhënë tjetër. Por, ndërsa fjala filloi të hapej, njerëzit nisën të hetonin.

Historia jonë vazhdon rreth nëntë vjet më vonë dhe ngjarjet zhvillohen në fermën e Skalk van Nikerkut, përgjatë lumit Oranxh, disa kilometra në jug të vendit ku ai bashkohet me lumin Val. Familja Jakobs e kishte shtëpinë në fermën e Van Nikerkut. Fëmijët e familjes Jakobs luanin shpesh një lojë me pesë guralecë. Një nga gurët që kishin, ishte i shndritshëm dhe e kishte gjetur vëllai i madh, Erasmi.

Një ditë, në vitin 1867, Van Nikerku shkoi për vizitë te familja Jakobs. Zonja Jakobs e dinte se atij i pëlqenin gurët e çmuar, prandaj i tregoi për gurin e shndritshëm me të cilin luanin fëmijët e saj. «Natën, nën dritën e qiririt, ai gur shndrit shumë bukur»,​—i tha ajo. Pasi e pa nga të katër anët, Van Nikerkut i lindi një mendim entuziast. «Kam një parandjenjë se ky është diamant!»​—tha i gëzuar. I ra ndër mend se kishte lexuar diku për një metodë se si mund të provoje nëse një gur ishte diamant. Prandaj, e kaloi gurin në sipërfaqen e xhamit të dritares së pasme të asaj shtëpie të thjeshtë. U shtang nga habia kur pa vragën e thellë që la guri në xham, dhe i kërkoi të falur zonjës së shtëpisë për xhamin e dëmtuar. * Zonja Jakobs ia dha me kënaqësi gurin Van Nikerkut, dhe nuk pranoi pagesë për të.

Që në vizitën tjetër në qytetin e afërt, Houptaun, Van Nikerku ia tregoi gurin disa miqve të vet, por asnjëri prej tyre nuk e thoshte dot me siguri se ishte diamant. Guri kaloi dorë më dorë nga njerëz të besuar e pastaj me postë, derisa arriti në duart e një mjeku, dr. Athërstounit, nga Grahamstauni. Ai i kërkoi ndihmë një mësuesi. Në laboratorin e shkollës, u bënë eksperimente për të parë peshën e tij specifike dhe u zbulua se ajo përkonte me peshën specifike të diamantit. Pastaj, ia dhanë gurin një argjendari vendës, i cili më kot u përpoq ta hante me limën e tij. U pyetën edhe të tjerë, por të gjithë arritën në të njëjtin përfundim me Van Nikerkun. Atëherë, dr. Athërstouni i konfirmoi me anë të një letre se guri ishte diamant dhe peshonte 21,25 karatë. Van Nikerkut i dhanë 350 paunde për gurin, të cilat menjëherë i ndau me zonjën Jakobs. Gurit i vunë një emër shumë të përshtatshëm, Eureka, që tregon «triumfin për një zbulim».

Një bari dhe një fermer i ndershëm

Tani historia vazhdon dy vjet më vonë, në një zonë pak më poshtë vendit të bashkimit të lumenjve Oranxh dhe Val. Atje, një bari afrikan me emrin Bui, po kulloste dhentë kur pa në tokë diçka që shkëlqente. U përkul dhe mori një gur të shndritshëm në formën e arrës, që e futi në xhep. Ai kishte dëgjuar se në atë zonë njerëzit po interesoheshin për disa lloj gurësh, prandaj, gjatë kohës kur po kërkonte punë, ia ofroi në fillim një fermeri, e pastaj një tregtari. Ata i thanë të shkonte në fermën e Van Nikerkut.

Së fundi, Bui mbërriti në fermën e Van Nikerkut dhe i tregoi gurin. Menjëherë, Van Nikerku e kuptoi se ndoshta po shihte një diamant më të madh e më me vlerë se ai që i kishte dhënë zonja Jakobs. E pyeti bariun e thjeshtë se çfarë kërkonte në këmbim të atij guri. «Zotëri,​—iu përgjigj me respekt Bui,​—më jep çfarë mendon ti se është e drejtë.» Pa ngurruar fare, Van Nikerku i dha pothuajse çdo gjë që kishte​—500 dele, 10 qe, qerren me të cilën çonte perimet në qytet e madje edhe kalin me gjithë samar, mbi të cilin kishte hipur! Sa për Buin, me siguri që ai e konsideronte veten shumë të pasur: gjithë këto gjëra vetëm për një gur të shndritshëm në formë arre!

Pa vonuar, Van Nikerku shkoi në Houptaun për të shitur diamantin. Atje, një grup tregtarësh, të mahnitur, pranuan t’i jepnin 11.300 paunde për gurin 83,5 karatësh. Me kalimin e kohës, diamanti u bë i njohur si Ylli i Afrikës së Jugut. * Diamanti, pasi u pre dhe u lëmua, u bë pjesa kryesore e gjerdanit të bukur që mund të shihni në këtë faqe. Me t’u përhapur në botën e jashtme fjala për këtë diamant, mosbesimi i njerëzve u zhduk dhe mijëra veta nga vende të ndryshme, që nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, Anglia, Evropa dhe Australia, u dyndën në Afrikën e Jugut për të kërkuar pasuri.

Fillojnë ethet

Fillimisht, njerëzit nisën të gërmonin për diamante përgjatë lumenjve Oranxh dhe Val. Pastaj, në vitin 1870, doli fjala se po bëheshin zbulime të mëdha në fermat që ishin më në brendësi, në zonën midis dy lumenjve. Kështu, ata që gërmonin nëpër lumenj, u drejtuan për në zonën ku ndodhej ferma e Adrian van Vejkut. Ky, si edhe fqinjët e tij, nuk e dinin se fermat e tyre ndodheshin mbi disa vullkane të shuara. Diamantet u zbuluan në tokën e ashtuquajtur ‘të kaltër’, brenda «oxhaqeve» të vullkaneve të lashta.

Ndërkohë, mbinë aty-këtu fshatra me çadra të ngritura nxitimthi, të cilat më vonë u zëvendësuan me baraka prej llamarine. Këto fshatra, pa ujë të mjaftueshëm dhe infrastrukturë, ishin shumë primitivë. Të sapoardhurit duhej të luftonin me renë e pluhurit, me tufat e mizave, me ditët e verës kur temperatura arrinte deri në 40 gradë celsius, kurse netët e dimrit disa herë ishin nën zero. Gjithë këto parehati i duronin vetëm nga shpresa se do të bëheshin të pasur.

Ç’u bë me Adrian van Vejkun pasi fermën e tij e pushtuan kërkuesit e diamanteve? Në fillim, ai u dha leje të punonin një pjesë të fermës së tij, në këmbim të një page të vogël mujore. Por, dora-dorës që në fermë vinin gërmues të tjerë, u bë shumë rrëmujë, dhe Van Vejku nuk e kontrollonte dot më situatën. Prandaj, kur një shoqëri minerare i ofroi 2.000 paunde për fermën e tij, ai pranoi me kënaqësi, firmosi dokumentet dhe u largua për në vende më të qeta.

Jo larg fermës së Van Vejkut ndodhej një fermë tjetër, pronarët e së cilës ishin dy vëllezër, me mbiemrin De Biër. Me këtë mbiemër u regjistruan Minierat e Bashkuara De Biërs, që ende funksionojnë dhe janë prodhueset më të mëdha të diamanteve në botë. Qyteti Kimberli tani ndodhet në zonën ku më parë ishin ato ferma të thjeshta. Puna në fermën e vëllezërve De Biër u bë shumë intensive dhe njerëzit hapën një gropë kaq të thellë e të gjerë, sa u bë e njohur si Gropa e Madhe.

Para se të bëheshin zbulimet e hershme të diamanteve në Afrikën e Jugut, këta gurë të çmuar nxirreshin nëpër miniera në Indi e Brazil. Por nuk arrihej të nxirreshin aq shumë, sa për të plotësuar kërkesat e tregut botëror. Me zbulimin e sasive të mëdha të diamanteve në Afrikën e Jugut, lindi industria moderne e diamanteve.

[Shënimet]

^ par. 8 Edhe sot, rreth një shekull më vonë, ky xham me vragën e thellë, mund të shihet në Muzeun Kolzberg të Afrikës së Jugut.

^ par. 13 Emri i këtij diamanti, nganjëherë ngatërrohet me emrin e një tjetri, të quajtur Ylli i Afrikës.​—Shih kutinë «Miniera ‘Premier’», në faqen 16.

[Kutia dhe figurat në faqet 16, 17]

MINIERA «PREMIER»

Në vitin 1903 u hap një minierë diamantesh rreth 30 kilometra në lindje të Pretories, në Afrikën e Jugut. U quajt miniera «Premier», domethënë «kryesore, e para». Dy vjet më vonë, kur gropa e minierës ishte 10 metra e thellë, një minator tregoi me gisht një objekt të shndritshëm në murin shkëmbor. Përgjegjësi i tij, me kujdes, zbriti poshtë dhe e nxori objektin, duke e prerë me biçak. Në dorë po mbante diamantin më të madh të papërpunuar që ishte nxjerrë ndonjëherë; ishte sa grushti i dorës së njeriut. Ky diamant i madh prej 3.106 karatësh mori emrin e atij që zbuloi minierën, Tomas Kallinanit. Kur u pre, nga diamanti i Kallinanit u nxorën 9 gurë të çmuar të mëdhenj dhe 96 të vegjël. Një prej këtyre gurëve, Kallinani I ose ndryshe Ylli i Afrikës, është diamanti më i madh i prerë në botë. Zbukuron skeptrin mbretëror britanik, siç mund ta shihni në këtë faqe. Edhe pas një shekulli, miniera «Premier» e mban lart emrin që i vunë, duke nxjerrë shumë diamante të mëdha e me cilësi të lartë.

[Figurat]

Skeptri mbretëror britanik

Diamanti Kallinan i papërpunuar, me madhësi sa grushti i dorës së njeriut

[Kutia dhe figura në faqen 17]

DISA TË DHËNA PËR DIAMANTET

◆ Diamantet janë mineralet natyrore më të forta që njeh njeriu.

◆ Diamantet formohen nga karboni, ashtu si edhe grafiti që përdoret për lapsat. Por, pse diamantet janë të fortë, kurse grafiti është kaq i butë? Ndryshojnë nga mënyra se si janë lidhur atomet e karbonit.

◆ Diamantet peshohen në karatë. Një karat është i barabartë me 0,2 gram.

◆ Shpesh duhen kaluar në sitë rreth 400 tonë shkëmb, zhavorr dhe rërë, për të nxjerrë një karat diamant.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

GROPA E MADHE NË KIMBERLI

Gjatë periudhës katërvjeçare nga 1869-a deri në 1873-shin, popullsia rreth e qark qytetit të sotëm të Kimberlit u rrit nga një grusht fermerësh në pothuajse 50.000 banorë. Shumë prej këtyre ishin në kërkim të pasurisë dhe vinin nga të katër anët e botës. Mijëra veta e bënë më këmbë rrugën prej 1.000 kilometrash që nga porti i Kejptaunit. Me kazma e lopata, ata e kthyen një kodër në gropën më të madhe që është hapur ndonjëherë nga njeriu. Kur, më në fund, gërmimi u ndërpre, krateri kishte një thellësi prej 240 metrash. Gërmimi i nëndheshëm vazhdoi deri në thellësinë prej 1.097 metrash. Deri në vitin 1914, kur u ndërpre çdo lloj gërmimi atje, ishin hequr «25 milionë tonë dhé», sipas Standard Encyclopaedia of Southern Africa. I njëjti burim shton se, nga gjithë ky dhé e shkëmb, u nxorën tre tonë diamante, me vlerën më shumë se 47.000.000 paunde [69.500.000 euro].

[Figura në faqen 17]

Dr. Athërstouni

[Figura në faqen 17]

Skalk van Nikerku

[Figura në faqen 17]

Diamanti Eureka

[Burimi]

De Beers Consolidated Mines Ltd.

[Figura në faqen 18]

Ylli i Afrikës së Jugut

[Figurat në faqet 18, 19]

Gropa e Madhe në vitin 1875. Litarët u përdorën nga qindra pretendentët e minierave, për të zbritur punëtorët në gropë dhe për të ngritur lart kampionet e dheut ku kishte diamante

[Figurat në faqen 19]

Ethet e diamantit çuan në ngritjen e kampeve minerare të ndërtuara me nxitim

[Burimet e figurave në faqen 16]

Kurora ©/The Royal Collection © 2005, Madhëria e saj, Mbretëresha Elizabeta II; Fotografia: www.comstock.com

[Burimi i figurës në faqen 16]

Fotografi nga Fox Photos/Getty Images

[Burimi i figurës në faqen 17]

Portretet: Nga libri The Grand Old Days of the Diamond Fields by George Beet

[Burimi i figurës në faqen 18]

Fotografitë: De Beers Consolidated Mines Ltd.

[Burimi i figurës në faqen 19]

Fotografitë: De Beers Consolidated Mines Ltd.