Vështirësia për të ushqyer qytetet
Vështirësia për të ushqyer qytetet
«Detyra për të ushqyer siç duhet qytetet nëpër botë, është një problem që sa vjen e bëhet më i ngutshëm dhe që kërkon një bashkëpunim të koordinuar midis prodhuesve të ushqimeve, transportuesve, drejtuesve të kompanive dhe morisë së shitësve me pakicë.»—ZHAK DJUF, DREJTOR I PËRGJITHSHËM I ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR USHQIMIN DHE BUJQËSINË (FAO).
SPECIALISTËT në fushën e shpërndarjes së ushqimeve, arrijnë deri atje sa thonë që sigurimi i ushqimeve për zonat urbane, mund të bëhet «problemi më i madh i njerëzimit» në shekullin e 21-të.
Të sigurosh ushqim për të gjithë do të thotë t’u japësh «mundësi të gjithë njerëzve të kenë gjithmonë ushqim të mjaftueshëm që të bëjnë një jetë të shëndetshme e me aktivitet». Ushqimi që gjendet sot në mbarë botën, do të mjaftonte për të plotësuar kërkesat e popullsisë së tokës, po të shpërndahej sipas nevojave. Por realiteti është ndryshe. Gati 840 milionë veta shkojnë në shtrat të uritur çdo natë. Shumë prej tyre jetojnë në qytete. Shqyrtoni disa aspekte të këtij problemi.
Qytete gjigante e të pangopura
Me zgjerimin e qyteteve, fushat përreth, që dikur shfrytëzoheshin për bujqësi, pak nga pak po zhduken, pasi po përdoren për shtëpi të reja, për industri dhe rrugë. Si pasojë, tani të mbjellat po rriten gjithnjë e më larg qyteteve që ushqehen me to. Zakonisht, në qytete nuk rriten të mbjella për ushqime ose janë të pakta, kurse mishi vjen nga zonat e largëta fshatare. Në shumë vende në zhvillim janë të papërshtatshme rrugët ku transportohen prodhimet nga fermat në qytete. Kjo do të thotë se duhet
më tepër kohë për transportin, se gjatë rrugës do të prishen më shumë ushqime dhe, si përfundim, blerësit do t’i marrin me çmime më të larta, ndërkohë që një pjesë e madhe është e varfër.Disa qytete në vendet në zhvillim, tashmë janë të mëdha e do të bëhen edhe më të mëdha. Brenda vitit 2015, Bombei (i quajtur ndryshe Mumbai) parashikohet të ketë 22,6 milionë banorë, Delhi 20,9 milionë, Meksiko 20,6 milionë dhe San-Paolo 20 milionë. Është llogaritur se një qytet me dhjetë milionë banorë, siç është Manila ose Rio-de-Zhanejro, duhet të importojë gati 6.000 tonë ushqime çdo ditë.
Kjo nuk është punë e lehtë dhe gjërat nuk po lehtësohen, sidomos në zonat që po zgjerohen me të shpejtë. Për shembull, qyteti i Lahorës, në Pakistan, jo vetëm që ka një lindshmëri të lartë (2,8 për qind), por ka edhe atë që përkufizohet si një përqindje e lartë «alarmuese» migrimi nga zonat fshatare. Në shumë vende në zhvillim, po vihet re që miliona banorë po vërshojnë drejt qyteteve tashmë të tejmbushura, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, të një pune, të bollëkut dhe të shërbimeve të ndryshme. Për shkak të migrimit, në të ardhmen e afërt, pritet që qyteti i Dakës, në Bangladesh, të shtohet me një milion banorë a më tepër në vit. Sipas këtyre parashikimeve, aty nga viti 2025, në Kinë, ku tani dy të tretat i zë popullsia fshatare, do të mbizotërojë popullsia qytetare. Parashikohet që në të njëjtën kohë, në qytetet e Indisë të jetojnë 600 milionë veta.
Shpërngulja e njerëzve drejt qyteteve po ndryshon strukturën e përgjithshme të
popullsisë në mjaft pjesë të botës. Për shembull, në Afrikën Perëndimore, në vitin 1960, vetëm 14 për qind e popullsisë jetonte në zonat urbane. Rreth vitit 1997, popullsia qytetare ishte 40 për qind, dhe aty nga viti 2020, mendohet se kjo shifër do të arrijë në 63 për qind. Parashikohet që brenda një dhjetëvjeçari, popullsia urbane në cepin më lindor të Afrikës, të dyfishohet. Gjithashtu, në të ardhmen e afërt, mendohet se 90 për qind e rritjes së popullsisë në vendet në zhvillim do të jetë në qytete.Kërkohet punë kolosale për të shtuar furnizimin me ushqime në qytete, për të ushqyer gjithë këto gojë të uritura. Kjo kërkon përpjekje të organizuara të mijëra fermerëve, ambalazhuesve, kamionistëve, tregtarëve dhe administratorëve, si edhe mijëra automjete. Megjithatë, në disa vende, rritja e kërkesës për ushqim nga zonat urbane po i tejkalon mundësitë që kanë zonat përreth për t’i furnizuar. Për më tepër, në mjaft qytete në vendet në zhvillim, shërbime si transporti dhe struktura si magazinat, tregjet dhe thertoret tashmë po shfrytëzohen përtej kapacitetit.
Varfëri e përhapur
Furnizimi me ushqim i popullsisë që sa vjen e rritet, vështirësohet edhe më tepër kur varfëria është e përhapur. Në shumë qytete të mëdha në vendet në zhvillim, të tilla si: Daka, Fritauni, Guatemala Siti, Lagosi dhe La Pazi, tashmë përqindja e varfërisë arrin në 50 për qind a më tepër.
Kur diskutojnë për furnizimin e këtyre popullsive, analistët bëjnë ndryshimin midis asaj që ofrohet dhe asaj që njerëzit kanë mundësi të blejnë. Ushqimi mund të jetë në treg, pra mund të ofrohet, por kjo nuk ka vlerë për të varfrit e qyteteve nëse nuk e përballojnë dot çmimin. Është vënë re se, kur të ardhurat e disa banorëve të qyteteve rriten, ata kërkojnë dhe konsumojnë një sasi më të madhe dhe një llojshmëri artikujsh ushqimorë. Nga ana tjetër, të varfrit e qyteteve e kanë të vështirë të blejnë ushqime aq sa të plotësojnë nevojat dhe kërkesat e tyre. Këto familje të varfra ndoshta harxhojnë 60 deri në 80 për qind të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime.
Mbase çmimet do të ishin më të ulëta nëse ushqimet do të bliheshin me shumicë; megjithatë, kjo është e pamundur po të mos kesh para. Madje shumë familje nuk arrijnë të plotësojnë as sasinë minimale të vlerave ushqyese, dhe pasojë e pashmangshme e kësaj, është kequshqyerja. Për shembull, në qytetet afrikane poshtë Saharasë, thuhet se kequshqyerja është «një problem i rëndë dhe i përhapur».
Në rrezik janë sidomos të porsaardhurit nga zonat rurale, të cilët e kanë të vështirë të përshtaten me qytetin—kryesisht nënat e vetme, nëpunësit e rinj të administratës, që paguhen me vonesë për shkak të problemeve financiare të qeverisë, të gjymtuarit, të moshuarit dhe të sëmurët. Grupe të tilla shpesh jetojnë në lagjet periferike dhe u mungojnë kushtet minimale, si elektriciteti, uji, kanalizimet e ujërave të zeza, rrugët dhe vendet për hedhjen e plehrave. Në këto lagje, një numër i madh njerëzish strehohen në banesa të përkohshme ose me kushte të pasigurta. Miliona veta që rropaten për të siguruar gjërat e domosdoshme në kushte të tilla, ndiejnë çdo avari në sistemin e furnizimit me ushqime. Shpesh, ata e kanë larg tregun më të afërt dhe nuk kanë ç’të bëjnë tjetër, veç të paguajnë
shtrenjtë për ushqime me cilësi të dobët. Janë vërtet në pikë të hallit.Kushte të rrezikshme e antihigjienike
Në mjaft zona nuk është e pazakontë që rritja urbane të jetë pa një plan dhe e jashtëligjshme. Pasojat janë një mjedis antihigjienik, i rrezikshëm dhe me shumë krime. Një botim i FAO-s, Ushqim për qytetet (anglisht) thotë se «autoritetet e qyteteve në vendet në zhvillim, po mundohen të përballojnë rritjen e shpejtë të popullsisë në një mjedis që është i përshtatshëm vetëm për një pjesë të banorëve».
Në pjesën më të madhe të Afrikës, shpesh, tregjet nuk ngrihen sipas një plani, por njerëzit shesin ku t’u vijë për mbarë. Tregtarët i shesin mallrat kudo që ka kërkesa. Tregjeve që ngrihen në këtë mënyrë, u mungojnë edhe kushtet më elementare.
Në Kolombo, Sri-Lankë, tregjet e shumicës e të pakicës janë ngritur në vende të papërshtatshme dhe kanë një dyndje të madhe njerëzish. Shoferët e kamionëve ankohen se u duhen orë të hyjnë e të dalin nga tregu kryesor. Vendet për parkim, ngarkim dhe shkarkim janë të pamjaftueshme.
Në vende të tjera, tregjet nuk janë të mirëmbajtura e nuk janë të organizuara siç duhet. Kushtet antihigjienike që krijohen nga mbeturinat organike dhe inorganike, mbartin rreziqe shëndetësore. «Këto probleme,—thotë kryetari
i bashkisë në një qytet në Azinë Jugore,—bëjnë që cilësia e jetesës të bjerë vazhdimisht.»Përfundimet e një sondazhi rreth produkteve blegtorale që shiten në një qytet në Azinë Juglindore, tregojnë se sa serioze janë problemet që lidhen me çështje të higjienës e të mjedisit. Në këtë vend është normale që mishi «të vihet në tokë në kontakt me pluhurin dhe ujin e pistë». Nga analizat u pa se 40 për qind e kampionëve të mishit të derrit dhe 60 për qind e kampionëve të mishit të viçit, ishin të infektuar me salmonelë. Gjithashtu, 100 për qind e kampionëve të mishit të viçit kishte mikrobin e E. colit. Veç kësaj, u pa që ushqimet ishin ndotur me metale toksike, si plumbi dhe mërkuri.
Ngaqë furnizimi me ushqime nuk është i mjaftueshëm, i sigurt dhe i rregullt, banorët e qyteteve përpiqen të mbjellin çdo pëllëmbë tokë, siç bëjnë shumë veta në Kano të Nigerisë. Por shumica prej tyre nuk e kanë tokën e vet. Kështu, ata rrezikojnë t’i dëbojnë dhe t’ua shkatërrojnë të mbjellat që rritin me aq mund.
Olivio Arxhenti, specialist për sigurinë e ushqimit të qyteteve në FAO, tregoi çfarë zbuloi në një zonë urbane bujqësore në Meksikë, pranë një lumi ku derdheshin ujërat e zeza të një fshati aty afër. Bujqit vendës përdornin ujin e lumit për të ujitur perimet dhe llumin e tij për të përgatitur vendet për të mbjellë. «I pyeta autoritetet, nëse ishin të vetëdijshëm për rrezikun,—shkruan Arxhenti,—dhe më thanë se nuk bënin dot asgjë, pasi nuk kishin mjetet financiare ose teknike.» Probleme të tilla ndeshen vazhdimisht në vendet në zhvillim.
Qytete që luftojnë t’ia dalin mbanë
Është e pafundme lista e problemeve që duhet të përballojnë qytetet që po zgjerohen me të shpejtë. Organizatat ndërkombëtare, planifikuesit dhe autoritetet po bëjnë ç’të munden për t’i zgjidhur. Ndër strategjitë e tyre janë nxitja e prodhimit fshatar, krijimi i lehtësirave që njerëzit të blejnë këtë prodhim, si dhe ndërtimi i rrugëve të reja, i tregjeve dhe i thertoreve. Ata e kuptojnë nevojën që të nxitin investimet private për ndërtimin e magazinave, të lehtësojnë
marrjen e kredive nga bujqit, tregtarët dhe transportuesit e të vënë rregullat e duhura për tregtimin dhe higjienën. Megjithatë, analistët thonë se, pavarësisht nga përpjekjet e bëra, shumë autoritete vendëse nuk arrijnë t’i kuptojnë e t’i trajtojnë siç duhet këto çështje. Edhe kur e bëjnë këtë, burimet që kanë në dispozicion, janë të pamjaftueshme për të zgjidhur problemet.Problemet e stërmëdha që po hasin qytetet, sidomos në vendet në zhvillim, kanë çuar në paralajmërime për marrjen e masave urgjente. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve për Politikat e Ushqimit, në Uashington D.C., «nëse nuk marrim masa tani, popullsia urbane do të vazhdojë të rritet dhe këto probleme [uria, kequshqyerja dhe varfëria] vetëm sa do të shtohen bashkë me të». Lidhur me të ardhmen e qyteteve në vendet e varfra, Zhanis Perlmani, presidente e Projektit për qytetet gjigante, një rrjet ndërkombëtar organizatash që kanë si qëllim të gjejnë zgjidhje për problemet e qyteteve, thotë: «Kurrë më parë nuk ka pasur një situatë të tillë për të ushqyer, strehuar, punësuar dhe transportuar kaq shumë njerëz në zona kaq të populluara, duke pasur kaq shumë kufizime financiare dhe të mjedisit. Qytetet po arrijnë kufijtë e kapacitetit për të mbajtur njerëz.»
Megjithatë, ka arsye të vlefshme për të besuar se problemet e furnizimit dhe të shpërndarjes së ushqimeve, së shpejti do të zgjidhen.
[Kutia në faqen 5]
QYTETE NË ZGJERIM
▪ Për 30 vitet e ardhshme, parashikohet që rritja e popullsisë në mbarë botën të ndodhë pothuajse vetëm në qytete.
▪ Pritet që rreth vitit 2007, më shumë se gjysma e popullsisë së botës të jetojë në zonat urbane.
▪ Numri i njerëzve që jetojnë në qytete në mbarë botën, parashikohet të rritet çdo vit mesatarisht 1,8 për qind; me këtë ritëm, brenda 38 vjetësh, popullsia në qytete do të dyfishohet.
▪ Në vitin 2015, numri i qyteteve me pesë milionë banorë e më shumë, pritet të rritet nga 46 që ishte në vitin 2003, në 61.
[Burimi]
Burimi: Perspektiva e urbanizimit në botë—Rishikim për vitin 2003 (anglisht), Departamenti i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Ekonomike dhe Shoqërore, Ndarja demografike
[Kutia në faqen 6]
SHKAQE DHE PASOJA TË FURNIZIMIT TË PASIGURT
▪ «Anembanë botës, tashmë është provuar se sa herë që çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm, në qytete ka pasur trazira politike dhe paqëndrueshmëri sociale.»—Zhak Djuf, drejtor i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë.
▪ Në vitin 1999, uraganet Xhorxh dhe Miç goditën Karaibet dhe Amerikën Qendrore, duke shkaktuar rrënime të mëdha, ndërprerje të veprimtarive normale dhe mungesa në ushqime.
▪ Protestat kundër çmimeve të larta të karburantit në Ekuador, në vitin 1999, dhe në Britani, në vitin 2000, sollën ndërprerje serioze të furnizimit me ushqime.
▪ Një ndër mjerimet që sjell lufta, është edhe mungesa në ushqime.
[Kutia dhe figura në faqen 7]
SI MILIONA TË TJERË
KONSUELO bashkë me 13 fëmijët e saj, jetojnë në një fshat (që tregohet sipër) të përbërë nga familje që kanë zaptuar toka, në periferi të Limës, Peru. Tre nga fëmijët e saj vuajnë nga tuberkulozi. «Jetonim në male,—thotë ajo,—por një natë, qindra banorë nga fshati ynë zbritën në qytet. Mendonim se në Limë, fëmijët tanë do të arsimoheshin dhe do të kishin këpucë. Do të bënin një jetë më të mirë.» Kështu fshatarët bënë rrogoza dhe një natë të gjithë shkuan në qytet e ndërtuan kasolle prej kashte. Në mëngjes, autoritetet panë se zaptuesit e paligjshëm të tokës ishin shumë, e s’i dëbonin dot.
Shtëpia e Konsuelos ka një vrimë të madhe në çati dhe dysheme dheu. Ajo thotë për shpendët që ka rreth shtëpisë: «Po rris këta zogj pule që t’ua shes të pasurve. Më duheshin para që t’i blija këpucë vajzës. Por tani, duhet t’i përdor për të paguar spitalin dhe ilaçet.»
I vetmi ushqim që ka Konsuelo janë disa qepë. Është e vështirë të gjesh punë dhe ajo nuk ka para as për të blerë ujë rregullisht. Në shtëpinë e saj të varfër nuk ka as ujë të rrjedhshëm dhe as banjë. «Përdorim këtë kovë. Pastaj, natën, u them fëmijëve ta derdhin diku,—thotë ajo.—S’kemi ç’bëjmë tjetër.»
Konsuelon nuk e ndihmon as burri, të cilin e sheh rrallë. Ajo është në të 30-at, por duket shumë më e madhe. Një intervistuese thotë: «Sytë e saj të vegjël e të zinj duken pa jetë në fytyrën e saj paksa të fryrë. Ata janë pa shpresë.»
[Burimet]
Burimi: In Context
Fotografi e AP-së/Silvia Izquierdo
[Kutia në faqen 9]
«A DUHET TË SHKOJ NË QYTET?»
ÇDOKUSH që mendon të shkojë në qytet, bën mirë të marrë parasysh një sërë faktorësh. «Një nga gjërat që të tërheq më shumë, është shpresa për një jetë më të mirë, në krahasim me mundësitë që ofrojnë zonat fshatare»,—thuhet në botimin e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë Ushqim për qytetet. Megjithatë, «përmirësimi mund të mos vijë menjëherë, ndoshta duhet të kalojë një brez ose më shumë».
Faktikisht, mjaft njerëz që shpërngulen nga zonat fshatare në qytete, gjenden pa shtëpi, pa punë dhe më të varfër se përpara, e për më tepër, tani jetojnë në një vend të panjohur. Nëse po mendoni të bëni një hap të tillë, a jeni të sigurt se kështu do të ndihmoni familjen? Puna në qytet, nëse do të arrini të gjeni, shpesh paguhet pak. Presioni për të punuar me orë të zgjatura, sa për të siguruar bukën e gojës, a do t’ju bëjë ju dhe familjen tuaj të lini pas dore veprimtari që i konsideroni të rëndësishme?—Mateu 28:19, 20; Hebrenjve 10:24, 25.
Disa prindër kanë vendosur që vetë të shkojnë në qytet, kurse familjet t’i lënë në fshat. A është e mençur kjo? Prindërit e krishterë e kanë për detyrë të sigurojnë gjërat materiale për familjen, por si do të ndikonte emocionalisht dhe frymësisht te familja kjo ndarje? (1 Timoteut 5:8) A do të mundeshin baballarët t’i rritnin fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait»? (Efesianëve 6:4) A do të bënte largimi i burrit nga gruaja, që çifti të rrezikonte nga ana morale?—1 Korintasve 7:5.
Sigurisht, vendimi për t’u larguar nga fshati është diçka personale. Por, para se të marrin këtë vendim, të krishterët duhet të peshojnë të gjithë faktorët dhe me lutje të kërkojnë drejtimin e Jehovait.—Luka 14:28.
[Figurat në faqet 8, 9]
Qytetet vuajnë nga kushtet antihigjienike dhe trafiku i rënduar
Indi
Nigeri
Meksikë
Bangladesh
[Figura në faqen 8]
Në shumë familje të varfra në qytete, duhet të punojnë edhe fëmijët
[Burimet e figurave në faqen 8]
Indi: © Mark Henley/Panos Pictures; Niger: © Olivio Argenti; Mexico: © Aubrey Wade/Panos Pictures; Bangladesh: © Heldur Netocny/ Panos Pictures; fotografia poshtë: © Jean-Leo Dugast/Panos Pictures