Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A pëlqen Perëndia disa kombe më tepër se të tjerat?

A pëlqen Perëndia disa kombe më tepër se të tjerat?

Pikëpamja e Biblës

A pëlqen Perëndia disa kombe më tepër se të tjerat?

SHUMË njerëz mendojnë se Perëndia e pëlqen kombin e tyre më tepër se kombet e tjera. Por, çfarë do të thoshin, po t’u kërkonin prova për këtë? Disa mund të tregonin ngjarjet që kanë ndodhur në historinë e kombit të tyre, si për shembull fitoret në luftëra ose rritjen ekonomike. Madje mund të përmendnin edhe programet e suksesshme për të ushqyer të uriturit, për të mbrojtur ata që janë të pambrojtur ose për të nxitur drejtësinë dhe trajtimin e paanshëm të shtetasve. Të tjerë thonë se Perëndia e mban me hatër vendin e tyre, për shkak të bukurisë natyrore që ka në të.

Kjo krenari kombëtare gjendet pothuajse kudo. Por, a e mbështet Bibla pikëpamjen se Perëndia pëlqen ndonjë komb më tepër se të tjerat?

Një cilësi e rëndësishme e Perëndisë

Përgjigjja do të jetë e qartë, nëse kuptojmë një cilësi të rëndësishme të Perëndisë së Plotfuqishëm, një cilësi që Bibla e përshkruan me forcë. Perëndia është i paanshëm. Për shembull, te Veprat 10:34 thuhet troç: «Perëndia nuk është i anshëm.» Gjithashtu, Bibla thotë se Perëndia Jehova «nuk trajton asnjë me anësi» dhe se «te Jehovai, Perëndia ynë, nuk ka as padrejtësi, as anësi». (Ligji i përtërirë 10:17; 2 Kronikave 19:7) Perëndia e urren anshmërinë; madje e barazon me padrejtësinë.

Por, ju mund të pyesni: ‘A nuk e mbajti me hatër Perëndia kombin e lashtë të Izraelit, duke e veçuar nga kombet e tjera? A nuk tregonte kjo anshmëri?’ Vërtet që, në kohët biblike, Perëndia e veçoi kombin e Izraelit dhe i mbrojti izraelitët në disa luftëra që bënë kundër kombeve të tjera. Veç kësaj, Bibla thotë për Perëndinë: «[Ai] i tregon fjalën e tij Jakobit, dhe rregullat e ligjet e tij Izraelit. Nuk ka vepruar kështu me asnjë komb tjetër.» (Psalmi 147: 19, 20) Por, a tregon trajtimi që i bëri Perëndia Izraelit, se ai është i anshëm? Aspak. Shikoni tri arsye.

Së pari, Perëndia e veçoi Izraelin me qëllim që të nxirrnin dobi të gjitha kombet. Ai bëri një besëlidhje me paraardhësin e atij kombi, Abrahamin, dhe tha: «Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës.» (Zanafilla 22:17, 18) Po, qëllimi i Perëndisë në trajtimin që i bëri Izraelit, ishte të nxirrte një ‘farë’ që do të sillte bekime, jo vetëm për banorët e një kombi, po për njerëzit ‘e të gjitha kombeve të tokës’.

Së dyti, bekimet e Perëndisë kurrë nuk u kufizuan vetëm te populli i Izraelit. Me paanshmëri, ai u dha mundësi individëve të kombeve të tjera të bashkoheshin me popullin që kishte zgjedhur dhe ta adhuronin Atë. (2 Kronikave 6:32, 33) Shumë veta e pranuan këtë ftesë dhe u bekuan. Moabitja Ruthë është vetëm një nga shembujt e mirënjohur.​—Rutha 1:3, 16.

Së treti, marrëdhënia e veçantë që kishte Perëndia me Izraelin tokësor ishte e përkohshme. Në vitin 29 të e.s., nga Izraeli doli ‘fara’ që ishte parathënë, e cila ishte Mesia, Jezu Krishti. (Galatasve 3:16) Por, bashkëkombësit nuk e pranuan Jezuin si Mesia. Ai u tha: «Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.» (Mateu 23:38) Që atëherë, marrëdhëniet e Perëndisë me njerëzit nuk janë veçuar në asnjë komb të mirëfilltë a në konfliktet e tyre. Përkundrazi, me paanshmëri, ai ia ka vënë në dispozicion bekimet e tij gjithë njerëzimit. Ja disa shembuj.

Dhurata e Perëndisë për të gjithë

Flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit është dhurata më e madhe që Perëndia u ka dhënë njerëzve. (Romakëve 6:23) Ka siguruar kështu një mjet për çlirimin nga mëkati e nga vdekja, duke na dhënë të gjithëve mundësinë për të marrë jetën e përhershme. Kjo dhuratë është për njerëz «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb». (Zbulesa 5:9) Po, Perëndia dëshiron që «kushdo që tregon besim» te Jezui, të ketë «jetë të përhershme».​—Gjoni 3:16.

Lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë u sjell shumë bekime atyre që e dëgjojnë. (Zbulesa 14:6, 7) U sjell shpresë për të ardhmen dhe u siguron këshilla të mençura që i ndihmojnë të kenë një jetë më të lumtur tani. Me paanshmëri, Jehovai ka marrë masa që «ky lajm i mirë për mbretërinë . . . të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet». (Mateu 24:14; 28:19, 20; Veprat 16:10) Ky lajm i mirë ndodhet në Bibël, një libër që mund të gjendet, të paktën pjesërisht, në më shumë se 2.300 gjuhë. Si një Atë i dashur, Jehovai u ka dhënë mundësi pothuaj të gjithë njerëzve në tokë që të kenë ‘fjalët e jetës së përhershme’.​—Gjoni 6:68; Josiu 1:8.

Këto, si edhe dhurata të tjera, Perëndia ua ka ofruar të gjithëve, po, njerëzve nga çdo komb, racë e grup gjuhësor. Pra, që të kemi miratimin dhe bekimin e Perëndisë, nuk ka rëndësi vendi ku kemi lindur ose prejardhja etnike.

Kë sheh me miratim Perëndia?

Po atëherë, çfarë na duhet për të pasur miratimin e Perëndisë? Apostulli Pjetër përgjigjet me këto fjalë: «Në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35) Qartë, nuk mjafton vetëm një interesim pasiv për Perëndinë. Duhet të kemi një dashuri të sinqertë për të, të kemi frikë se mos i shkaktojmë pakënaqësi. Gjithashtu, duhet ‘të praktikojmë drejtësinë’ ose, në mënyrë aktive, të bëjmë gjëra të mira në sytë e Perëndisë.

Ta ilustrojmë: në shumë vende, arsimi publik është i lirë për të gjithë, por vetëm ata që shkojnë në shkollë dhe mësojnë, do të nxjerrin dobi. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia është i gatshëm të shohë me miratim të gjithë, por ama kërkohen disa përpjekje nga ana jonë. Këto përpjekje përfshijnë leximin e rregullt të Biblës, besimin te flijimi shpërblyes i Krishtit dhe jetesën e bazuar në parimet e Biblës. Nëse vërtet ‘e kërkojmë Jehovain’, do të jemi në shtegun e duhur për të pasur një qëndrim të miratuar para tij.​—Psalmi 105:3, 4; Proverbat 2:2-9.

[Figura në faqen 15]

Perëndia ua ka ofruar njerëzve të të gjitha kombeve ‘fjalët e jetës së përhershme’