Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ejani me ne të mbledhim kërpudha!

Ejani me ne të mbledhim kërpudha!

Ejani me ne të mbledhim kërpudha!

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Republikën Çeke

KUSHEDI sa herë i keni provuar, ndoshta në pica ose në sallatë, në supë ose në ndonjë salcë. Ose ndoshta jeni kënaqur me pamjen e tyre të pazakontë që bën për vete shumë ilustrues të tregimeve për fëmijë. Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë është në të vërtetë një kërpudhë? Si rritet? Kush i mbledh kërpudhat dhe si? Le të shohim.

Në përgjithësi, kërpudhat dallohen me lehtësi se nuk kanë as gjethe, as lule dhe as klorofil që t’u japë ngjyrën e gjelbër. Prandaj, shpesh bien në sy mes gjithë atij gjelbërimi që i rrethon. Shumë prej tyre kanë një kapelë të madhe, të vendosur mbi këmbëzën. Por kanë një shumëllojshmëri formash e ngjyrash. Madje ka edhe kërpudha që ndriçojnë në errësirë. Kërpudha i përket grupit Fungi. Gjithsesi, në këtë grup përfshihen shumë lloje që nuk janë kërpudha në kuptimin teknik të fjalës, por zakonisht grupohen në to. Për shembull, ka disa lloje që i ngjajnë koraleve të detit. Lloje të tjera rriten nëpër pemë dhe duken si rafte librash në miniaturë.

Çfarë është?

Për shumë kohë, shkencëtarët mendonin se kërpudha ishte një lloj bime e veçantë dhe disi misterioze. Sot, shumica e biologëve i klasifikojnë kërpudhat si një lloj shumë i lartë myku. I quajnë kërpudhat një grup i veçantë organizmash, duke përmendur sa të pazakontë e kanë strukturën e trupit, mënyrën si rriten dhe si ushqehen. Shumë kërpudha hahen, e madje disa kanë edhe veti kuruese. Kurse të tjera japin halucinacione ose janë edhe helmuese.

Emri shkencor i kërpudhës është Mycota ose Mycetes. Prandaj, studimi shkencor i kërpudhave të llojeve të ndryshme quhet mikologji.

Kërpudha e mahnitshme

Si riprodhohen kërpudhat? Për një kohë të gjatë, kjo ishte mister për shkencën. Sot e dimë se kërpudhat e rritura përhapin disa spore mikroskopike, të cilat shpërndahen nga rrymat e ajrit. Kur bien në dhé, sporet shndërrohen në një rrjetë të dendur fijesh të holla, që quhet micelë. Nga kjo rrjetë, rritet trupi i tultë i kërpudhës. Kjo është pjesa që jemi mësuar të shohim e të mbledhim.

Për të mbijetuar, kërpudhat kanë nevojë për një shumëllojshmëri lëndësh organike. Prandaj, në natyrë, ato rriten kryesisht në pyje, në kopshte dhe në zona me shumë bar. Burim ushqimi për to janë pemët e sëmura ose të thara, prandaj kërpudhat luajnë një rol të rëndësishëm për pastrimin e pyjeve. Duke konsumuar mbetjet e bimëve, të gjetheve dhe të degëve, kërpudhat ndihmojnë në formimin e humusit natyror, që pasuron dheun. Disa kërpudha jetojnë në simbiozë me pemët e shëndetshme; micela e kërpudhës thith ujë dhe lëndë ushqyese nga dheu, dhe një pjesë e transferon te pema. Pema ia kthen duke e ushqyer kërpudhën.

Kërpudhat kanë nevojë edhe për lagështi e ngrohtësi. Ja pse mbijnë pas një shiu vere. Në kushte të favorshme, disa lloje rriten plotësisht vetëm brenda një nate. Një lloj kërpudhe ka nevojë vetëm për 10 deri në 14 ditë për të arritur një diametër prej 50 centimetrash. Lloje të tjera dallohen për jetëgjatësinë e tyre. Micela nga e cila rritet trupi i kërpudhës, mund të jetojë për shekuj të tërë. Sipas disa të dhënave, për shembull, kërpudhat që përbëjnë një pjesë të likeneve, mund të jetojnë deri në 600 vjet.

Një tipar i veçantë që kanë disa lloje kërpudhash ose llojet që bëjnë pjesë në familjen e tyre, si për shembull tartufi, është aroma e fortë. Ja pse qentë i nuhatin nga një largësi prej 6 metrash, edhe pse i gjithë trupi i tultë i kësaj kërpudhe rritet nën tokë. *

Kush i mbledh kërpudhat?

Gjatë shekujve, njerëzit kanë mbledhur kërpudha në shumë vende. Sot, në disa rajone të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës së Veriut, mbledhja e kërpudhave është pothuajse vetëm për profesionistët, të cilët pastaj ua shesin tregtarëve. Ndryshe nga kjo, në Evropën Qendrore dhe Lindore, është një traditë shumë e përhapur mbledhja e kërpudhave nga amatorët. Ky interes për kërpudhat nuk kufizohet te njerëzit që jetojnë në fshat. Shumë banorë të qyteteve kanë qejf t’i kalojnë fundjavët nëpër pyje, duke mbledhur kërpudha. Kjo i çlodh mendërisht dhe fizikisht, si edhe u pasuron ushqimin në tryezë. Po si mblidhen kërpudhat?

Shpesh, ata që mbledhin kërpudha e nisin punën herët në mëngjes, kur ato janë të freskëta. Duke ecur ngadalë midis pemëve, kërkojnë nëpër bar, në myshk ose te pemët ku rriten kërpudhat. Veshin rroba të trasha dhe këpucë ose çizme të forta, e mbajnë në çantë një mushama për shiun, në rast se fillon papritur. Ata që mbledhin kërpudha e respektojnë natyrën, prandaj përpiqen të mos e dëmtojnë. Madje zvogëlojnë sa të munden zhurmat që mund të bezdisin kafshët që banojnë atje.

Shiko! Njëri sapo ka gjetur një kërpudhë. Ai përkulet dhe, pa e prekur, e heton për të përcaktuar nëse është e ngrënshme. Mbledh vetëm kërpudhat e rritura plotësisht, sepse vetëm me ato mund të jetë qind për qind i sigurt se cilit lloj i përkasin. Pasi sigurohet për llojin e kërpudhës, me butësi e kap nga bishti, po kurrë nga kapela, dhe e shkul me kujdes nga toka. Menjëherë, e pastron nga dheu ose pluhuri që ka, dhe pret ndonjë copëz të dëmtuar a që e kanë ngrënë krimbat. Copat që pret nga kërpudha, i mbulon me myshk ose me dhe. Kërpudhat e pastruara i vendos në shportë. Nuk i vë në qese ose mbajtëse plastike, sepse kërpudhat do të fillonin të fermentoheshin dhe do të prisheshin para se të mbërrinte në shtëpi.

Mbledhja e kërpudhave është një veprimtari që shumë mirë mund të zhvillohet në grup. Një shërbëtor i krishterë thotë: «Në fillim dalim si grup në predikim, por, kur mbarojmë, na pëlqen të rrimë bashkë e të gëzojmë shoqërinë e këndshme. Disa herë, drejtohemi për nga pylli që është aty afër, për të mbledhur kërpudha së bashku. Ndërsa kërkojmë kërpudha, tregojmë përvojat që kemi pasur në shërbim dhe ia kalojmë shumë mirë.»

Përgatitja e kërpudhave

Në gatim, kërpudhat kanë një përdorim të gjerë. Disa janë shumë të shijshme dhe mund të përdoren si pjesë kryesore e vaktit. Për shembull, shumë njerëzve u pëlqen që kapelën e madhe të portobellos (kërpudhës së livadheve) ta skuqin si të ishte biftek, ose që kërpudhat e zakonshme t’i presin e t’i skuqin në vaj të nxehtë, me perime. Disa lloje pikante kërpudhash mund të përdoren për shije, në një sërë gatimesh. Po të thahen mjaftueshëm me anë të nxehtësisë, mund të përdoren edhe si ushqim dietik. Disa lloje vlerësohen për shkak të proteinave, vitaminave dhe mineraleve që kanë.

Kërpudhat prishen shumë lehtë. Prandaj është e nevojshme të gatuhen atë ditë që mblidhen. Sipas specialistëve, një kërpudhë e ngrënshme, por që nuk është ruajtur mirë, mund të kthehet në helmuese. Nëse nuk dëshironi t’i hani menjëherë kërpudhat, mund t’i thani ose t’i sterilizoni. Në këtë mënyrë, do të mund t’i përdorni gjatë gjithë vitit për t’i shtuar shije ushqimit. Nëpër disa libra referimi mund të gjeni më shumë hollësi lidhur me mbledhjen e kërpudhave.

Kujdes!

Në qoftë se nuk ke mbledhur ndonjëherë kërpudha, por ke dëshirë ta provosh, është shumë e rëndësishme që të fillosh duke bërë kërkime të kujdesshme. Gjej se cilat kërpudha të ngrënshme rriten në zonën tënde. Mëso se si t’i dallosh. Ndoshta dëshiron të flasësh edhe me disa specialistë. Mos e merr kurrë një kërpudhë vetëm sepse është e bukur ose sepse ka aromë të mirë. Po të mos jesh njëqind për qind i sigurt për një kërpudhë, mos e merr! Mjafton vetëm një kërpudhë helmuese për ta bërë gjithë gjellën të pangrënshme, e madje të rrezikshme. Në qoftë se, pasi ke ngrënë një gjellë me kërpudha, të vjen për të vjellë ose të dhemb koka, shko menjëherë te mjeku.

Pavarësisht nëse do të provosh ndonjëherë të mbledhësh kërpudha apo jo, bukuria e tyre është gjithsesi për t’u admiruar. Kjo mund të të kujtojë se këto krijesa të ndërlikuara, të rëndësishme e të habitshme, nuk kanë ardhur rastësisht këtu. Ashtu si mrekullitë e tjera të natyrës, ato dëshmojnë se ekziston një Krijues i mençur e i dashur.​—Zanafilla 1:11-13; Psalmi 104:24.

[Shënimi]

^ par. 12 Për gjetjen e tartufëve përdoren qen dhe derra të stërvitur për këtë punë. Tartufët janë shumë të kushtueshëm, në krahasim me kërpudhat e zakonshme.

[Figura në faqen 26]

Morel

[Figura në faqen 26]

Shiitake

[Figura në faqen 26]

Portobello

[Figura në faqen 26]

Cremini