Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I vendosur, ndonëse i gjymtuar

I vendosur, ndonëse i gjymtuar

I vendosur, ndonëse i gjymtuar

Treguar nga Kuame Engesani

Bashkë me shokun tim po mundoheshim të shtynim biçikletën sipër një kodre tjetër. Ishte nëntori i vitit 2002 dhe Bregu i Fildishtë, në Afrikë, ziente nga lufta civile. Prandaj rruga e shkretuar kishte shumë rreziqe. Tutje na priste hijerëndë postblloku tjetër ushtarak. Pse po bëja një udhëtim kaq të rrezikshëm në kohë trazirash?

LINDA në vitin 1978. Që kur linda, kisha një sëmundje që përparonte. Në fillim kisha probleme me dëgjimin, kurse në të dyja këmbët ndieja një dhembje ligështuese. Teksa rritesha, familja më nënvlerësonte, duke thënë se kisha ‘këmbë që s’hynin në punë dhe veshë të bllokuar me mbeturina’. Të rriturit më përçmonin, kurse fëmijët më shanin topall dhe këmbëthyer.

Kur isha tetë vjeç, hyra në shkollë dhe menjëherë u bëra shënjestër e ngacmimeve të shokëve të klasës dhe të mësuesve. Shpesh doja që të hapej toka e të më gllabëronte. Ngaqë e kuptonin se isha i tmerruar, njerëzit talleshin me mua. Dilja nga shtëpia vetëm kur shkoja në shkollë.

‘Pse më zuri kjo sëmundje?’,​—pyesja veten. Nëna më thoshte se ndokush më kishte thënë ndonjë formulë magjike. Ndonjëherë, shihja të tjerë me sëmundje të ngjashme dhe mendoja: ‘Mos vallë edhe ata janë viktima të magjisë?’

Në vitin 1992, më filloi një dhembje e tmerrshme në bërryla. Kur dhembja më pushoi pak, nuk i shtrija dot krahët. Pas dy vjetësh, nuk shihja më me syrin e majtë. Prindërit më çuan te disa të ashtuquajtur shërues, por më kot. Keqësimi i shëndetit më detyroi ta lija shkollën.

Në kërkim të përgjigjeve

Një shok klase, i cili ishte fetar, më ftoi të shkoja me të në kishë. Nga origjina isha animist, megjithatë, për një vit shkova në shërbesat kishtare. * Atje mësova fare pak për Biblën, kështu që fillova të pyes veten nëse feja kishte ndonjë gjë të mirë.

Disa doktrina të kishës më frikësonin, sidomos ferri i zjarrtë. Nuk mendoja se isha kaq i keq, sa të meritoja torturën e përjetshme. Por as nuk besoja se isha kaq i mirë, sa të meritoja lumturi të përhershme në qiell. Meqë nuk gjeta përgjigje të logjikshme për pyetjet e mia, filloi të më humbte interesi për fenë.

Vitin vijues më ftuan në një sesion shërimi në Abixhan, në kryeqytetin e Bregut të Fildishtë, rreth 150 kilometra larg qytetit tonë të vogël të Vavuasë. Para se të niseshim, u thashë personave me përgjegjësi në kishë se paratë që kisha nuk mjaftonin për të paguar biletën ose për të blerë ushqime. Ata më dhanë përshtypjen se do të kujdeseshin për mua në Abixhan, por gjërat dolën ndryshe. Ndonëse kisha përreth një turmë shumë të madhe me afro 40.000 a 50.000 veta, ndihesha vetëm dhe i brengosur. Askush nuk u interesua për mua.

U ktheva në Vavua pa pikë përmirësimi, por përveç kësaj, tani isha edhe i zhgënjyer. Drejtuesit e kishës vendëse më thanë se Perëndia nuk më kishte shëruar, ngaqë nuk kisha pasur besim. Pas kësaj, shkëputa çdo lidhje me fenë.

Më në fund gjej ngushëllim

Në vitin 1996, një Dëshmitar i Jehovait erdhi në shtëpinë tonë. Nuk kisha folur kurrë më parë me një Dëshmitar, por pa rënë në sy, dëgjova bisedën midis vëllait tim të madh dhe vizitorit. Im vëlla nuk ishte i interesuar, por unë, po. Çdo fjalë që tha Dëshmitari më shkonte drejt e në zemër.

Dëshmitari shpjegoi se mëkati hyri në familjen njerëzore si pasojë e mosbindjes së njeriut të parë. Ky rebelim çoi gjithë njerëzimin në papërsosmëri dhe në vdekje. Megjithatë, Jezui dha jetën e tij si shpërblesë, që mëkatet tona të falen dhe të kemi jetën e përjetshme. (Romakëve 3:23; 5:12, 17-19) Për më tepër, Dëshmitari tregoi me Bibël se së shpejti, me anë të Mbretërisë së tij, Perëndia Jehova do ta kthejë tokën në parajsë e do të zhdukë mëkatin dhe të gjitha pasojat e tij të dhembshme.​—Isaia 33:24; Danieli 2:44; Zbulesa 21:3, 4.

Logjika e mësimeve biblike ndikoi thellë tek unë. Dëshmitari, për të cilin më vonë mësova se quhej Robert, mori masa që të studionte Biblën me mua dy herë në javë. Brenda disa muajsh, pasi kisha marrë njohuri nga Bibla, u kualifikova për të shkuar bashkë me Dëshmitarët në predikimin nga shtëpia në shtëpi. Kjo ishte e vështirë për mua, sepse duhej të mposhtja frikën që ndieja kur përballesha me njerëzit.

Has pengesa

Familja nuk ishte dakord që po studioja Biblën. Për të më acaruar, vëllai i madh pinte cigare gjatë natës në dhomën ku flija. Në mëngjes ngrihesha me dhembje koke dhe ndihesha keq. Një problem tjetër ishte ushqimi. Babai ishte tepër i dhënë pas gjahut dhe mishi ishte ushqimi bazë për ne. I shpjegova se Bibla e ndalon ngrënien e mishit të kafshëve që nuk u ishte hequr gjaku. (Veprat 15:28, 29) Megjithatë, ai nuk pranonte t’u hiqte gjakun kafshëve të vrara. Me raste, nëna më ndante veç ca oriz shqeto, por shpesh nuk ngopesha.

Ndonëse Salla e Mbretërisë në Vavua ishte në anën tjetër të qytetit, kurrë nuk lejova që largësia ose moti i ashpër të më pengonte për të ndjekur mbledhjet. U pagëzova në shtator të vitit 1997 në kongresin krahinor «Besim në Fjalën e Perëndisë» që u mbajt në Bregun e Fildishtë. Me kalimin e kohës, mora pjesë më shumë në shërbim, derisa u kualifikova si pionier, siç i quajnë Dëshmitarët e Jehovait shërbëtorët në kohë të plotë.

Vështirësi të mëtejshme

Trazirat politike arritën deri në luftën civile që filloi në shtator të vitit 2002. Brenda disa javësh, ushtria kombëtare po arrinte në Vavua. Ngaqë kishin frikë për jetën, disa njerëz ikën. Kështu bënë edhe shumica e Dëshmitarëve të Jehovait. Pesë ditë pas nisjes së tyre, ushtarët pushtuan qytetin dhe ndaluan menjëherë të gjitha veprimtaritë shoqërore. Kështu, shumica e banorëve të Vavuasë u shpërndanë, duke përfshirë edhe Dëshmitarët që kishin mbetur.

Meqë nuk kishte mjete për transportin publik, njerëzve u duhej të ecnin shumë kilometra për të vajtur në qytetet përreth. Unë nuk ecja dot kaq shumë, kështu që mbeta i vetmi Dëshmitar në Vavua. Vazhdova predikimin dhe drejtoja mbledhjet e kongregacionit ku vinin disa banorë vendës.

Përpjekje për të ndjekur një asamble

Në qytetin e Daloas ishte programuar që në nëntor të mbahej një asamble speciale njëditore e Dëshmitarëve të Jehovait. Iu luta Jehovait dhe i tregova se sa shumë dëshiroja të merrja pjesë. Papritur, një Dëshmitar që ishte larguar nga qyteti u kthye. E pyeta nëse mund të më çonte me biçikletë në vendin ku do të zhvillohej asambleja, që ishte 50 kilometra larg. Ai u tregua i gatshëm, megjithëse edhe vetë vuante nga probleme të rënda shëndetësore.

Kudo mbizotëronte tensioni, kështu që nuk ishte një kohë e favorshme për një udhëtim të tillë. Automjetet ndaloheshin të shkonin nga Vavua në Daloa. Një udhëtar i panjohur mund të shihej me dyshim e të vritej me mitraloz nga ndonjë ushtar i grupeve kundërshtare. Megjithatë, të shtunën në mëngjes, më 9 nëntor 2002, u nisëm me biçikletë nga Vavua dhe shkuam për në Daloa, siç thashë në fillim.

Postblloqet ishin të shumta dhe shpejt arritëm tek i pari. Pasi na kontrolluan me imtësi, na lanë të kalonim. Udhëtimi ishte i gjatë dhe i lodhshëm. Ngjiteshim në këmbë deri në majë të kodrës dhe kur arrinim atje, uleshim që të dy në biçikletë dhe linim që ajo të shkiste vetë.

Në një rast, një burrë me biçikletë donte të na ndihmonte. U ula pas tij në biçikletë. Ndërkohë që ky i panjohur i gjindshëm i jepte biçikletës, unë shfrytëzova rastin për t’i folur për Mbretërinë e Perëndisë. I shpjegova se qeveria e Perëndisë është qiellore dhe së shpejti do të sjellë paqe të qëndrueshme në tokë. Ai u habit me ato që i thashë dhe më bombardoi me pyetje. Kur arritëm në Daloa, na bleu ushqime dhe na premtoi se do të vinte të nesërmen në asamblenë njëditore.

Në Daloa mbërritëm vonë në mbrëmje. Ishim të lodhur, por të lumtur se më në fund arritëm. Udhëtimi prej nëntë orësh nuk kishte qenë i lehtë. Një familje Dëshmitarësh na priti me krahë hapur dhe na tha të rrinim me ta derisa të qetësohej disi klima politike. Mjerisht asambleja u anulua për shkak të trazirave politike. Megjithatë, udhëtimi nuk shkoi kot. Ai bëri që të merrja privilegje të tjera për t’u shërbyer bashkëbesimtarëve të krishterë në Daloa.

Vendosmëria ka sjellë bekime

Sot kam shumë gjëra për të bërë si shërbëtor ndihmës dhe pionier i rregullt në një kongregacion në Daloa. Gjithashtu ndihmoj edhe në mirëmbajtjen e Sallës së Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Daloa. Për të plotësuar nevojat e mia ekonomike, bëj flutura druri për zbukurim dhe i shes. Gjithashtu lyej edhe tabela.

Për shumë vjet dilja nga shtëpia vetëm kur shkoja në shkollë, por që prej asaj kohe kam bërë shumë kilometra për të kërkuar ata që janë të etur të dinë të vërtetën se përse ekzistojnë sëmundjet dhe vuajtjet. Teksa pres që Mbretëria e Perëndisë të zhdukë të gjitha sëmundjet, vazhdoj t’u shpall njerëzve në Bregun e Fildishtë lajmin ngushëllues për qëllimet e Perëndisë.

[Shënimi]

^ par. 9 Animizmi mbështetet në bindjen se jeta e ndërgjegjshme ekziston te kafshët, bimët dhe tek objekte të tjera të natyrës.

[Figura në faqen 13]

Rrugës për në asamblenë në Daloa

[Figura në faqen 13]

Duke ndihmuar në mirëmbajtjen e Sallës së Asambleve në Daloa

[Figura në faqen 13]

Për të plotësuar nevojat ekonomike bëj flutura druri për zbukurim dhe i shes