Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mirë se erdhe në Organizatën e Jehovait!»

«Mirë se erdhe në Organizatën e Jehovait!»

«Mirë se erdhe në Organizatën e Jehovait!»

Në Finlandë, një familje u shoqërua për ca kohë me Dëshmitarët e Jehovait. Kjo bëri që shumë veta t’i viheshin kundër. «Ata do t’ju marrin paratë»,​—i thoshin njerëzit. Disa thanë: «Do të mbeteni pa shtëpi.» Rastësisht, një natë ra zjarr dhe dëmtoi keq depon ku ishte vendosur sistemi i ngrohjes së kësaj familjeje. Ky ishte goxha dëm për një vend nordik me klimë të ftohtë.

Sigurimet mbuluan shumë pak koston e materialeve që duheshin për rindërtimin e saj. Dukej sikur zjarri që ra përmbushi parashikimet e thëna. I zoti i shtëpisë kujton duke psherëtirë: «U ndiemë sikur na kishte rënë tavani në kokë.» Prapëseprapë, burri dhe gruaja nuk i ndryshuan planet për t’u pagëzuar pas tre javësh.

Kongregacioni vendës e pa këtë si një rast për të zbatuar këshillën biblike: «Fëmijë të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.» (1 Gjonit 3:18) Bashkëbesimtarët planifikuan të rregullonin depon. Zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Finlandë, u dha këshilla praktike se si të vepronin. U bënë skicat për rindërtimin, u mor leja e ndërtimit, u përgatit lista me materialet që nevojiteshin dhe u bë thirrje për vullnetarë.

Gati një muaj pas rënies së zjarrit, puna po ecte mirë. Një të mërkurë, Dëshmitarët vendës rrëzuan pjesët e ndërtesës që kishin mbetur ende më këmbë. Të premten, me ndihmën e Dëshmitarëve që kishin ardhur nga kongregacionet e tjera, ndërtesa e re nisi të merrte disi formë. Rrugës për në qytet, i zoti i shtëpisë takoi një zyrtar që donte të dinte nëse po mbronte ndërtesën e dëmtuar nga shiu, duke hedhur sipër çatisë një mushama. «Jo, nuk i kemi vënë mushama,​—ia ktheu burri plot krenari,​—përkundrazi, atje mbi çati janë 30 burra.»

Të shtunën, përafërsisht 50 vëllezër dhe motra nga kongregacione të ndryshme ishin atje, të gëzuar që kishin privilegjin të jepnin një dorë. Një komshi, i cili edhe ai kishte ndihmuar, komentoi: «Mbrëmë kam menduar për ju, jeni njerëz të veçantë. Ju kujdeseni dhe ndihmoni vërtet njëri-tjetrin.»

Atë mbrëmje puna përfundoi plotësisht. Ndërtesa e re qëndronte si një përgjigje e qartë e paralajmërimeve plot paragjykime që i kishin thënë asaj familjeje. Mbikëqyrësi i një kongregacioni kujton momentin kur ai dhe i zoti i shtëpisë qëndruan dhe po shihnin rezultatin e punës së tyre: «Ishte shumë emocionuese kur i hodha dorën në qafë vëllait tonë të sapopagëzuar dhe i thashë: ‘Mirë se erdhe në Organizatën e Jehovait!’»

[Figura në faqen 31]

Dëmi i shkaktuar nga zjarri

[Figura në faqen 31]

Gjatë rindërtimit