Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nënat Ju faleminderit për serinë e artikujve të shkruar aq bukur, «Roli i nënës si edukatore». (22 shkurt 2005) Më prekën vërtet zemrën dhe më shtynë ta merrja në telefon mamanë time, sapo mbarova së lexuari. Mamaja na rriti e vetme mua dhe vëllanë. U detyrua të bënte një shkollë më tepër vetë, që të arrinte të siguronte jetesën për ne. Kujdesej që të shkonim rregullisht në mbledhjet e krishtere dhe në shërbim. Puna e saj pati rezultate. Faleminderit që ma kujtuat edhe një herë shembullin e saj të mrekullueshëm.

M. S., Shtetet e Bashkuara

Këta artikuj më kujtuan përpjekjet vetëmohuese të mamasë sime për të më edukuar në kuptimin frymor e moral. Edhe pse nuk kishte mbështetjen emocionale dhe financiare të tim eti, më mësoi të doja Jehovain. Gjithashtu më nxiti të filloja shërbimin në kohë të plotë. Kam frikë se i kam nënvlerësuar paksa përpjekjet e mamasë, por, siç sugjeronin këta artikuj, ajo meriton lavdërime. Bëra një telefonatë nga larg, për ta falënderuar!

Ç. H. K., Republika e Koresë

Babai im nuk ka të njëjtat bindje të krishtere si ne. Ishte mamaja që më rriti «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efesianëve 6:4) Kur mendoj për qëndrimin që mbaja unë nganjëherë, e kuptoj që s’e ka pasur të lehtë. Tani jam 24 vjeçe dhe jam mirënjohëse që ajo nuk u dorëzua, por nguli këmbë që të më rrënjoste në zemër të vërtetën e Biblës.

D. M., Itali

ADN-ja Më pëlqeu jashtë mase artikulli «ADN ‘pa vlerë’?» (22 shkurt 2005) Disa vjet më parë bëra një kurs për biologjinë molekulare. E mora inat librin që përdorej për mësim, sepse e quante të pavlerë 95 për qind të ADN-së sonë. Autori i librit përdorte ilustrime të mrekullueshme për të shpjeguar funksionet e ADN-së, e pastaj, sa hap e mbyll sytë, thoshte se e gjithë kjo ka ardhur nga evolucioni. Prandaj, e kuptoni sa u kënaqa kur lexova për të ashtuquajturën ADN pa vlerë, në revistën Zgjohuni!

J. Ç., Shtetet e Bashkuara

Të rinjtë pyesin Më preku zemrën artikulli: «Të rinjtë pyesin . . . Si t’i mbaj nën kontroll ndjenjat?» (22 shkurt 2005) Jam 31 vjeçe dhe jam rritur në një familje të krishterë, por s’mund të them se kam personalitetin e një njeriu të pjekur. Kohët e fundit pata disa incidente ku shpërtheva në një zemërim të pakontrolluar, e kjo më habiti edhe mua vetë. Më ndihmuan këshillat e mamasë dhe të një motre të krishterë. Pastaj erdhi edhe ky artikull, tamam në kohën e duhur. E kam lexuar dy herë dhe do ta mbaj në një vend për kollaj, që të mësoj të mbaj nën kontroll ndjenjat.

I. B., Gjermani

Gjuha e shenjave Më lë pak të çuditur shpeshtësia me të cilën përmendni problemin e atyre që s’dëgjojnë, rasti më i fundit ishte në artikullin «Një vështrim rreth botës», te pjesa «Gjuha e shenjave në Internet». (8 shkurt 2005) Jam Dëshmitar i Jehovait dhe kam shumë vjet që dal në shërbim, por duhet të them se s’kam takuar kurrë në shërbim një njeri me këtë problem! A është vërtet kaq i madh ky problem shëndetësor?

Anonim, Shtetet e Bashkuara

«Zgjohuni!» përgjigjet: Sipas një studimi, vetëm në Shtetet e Bashkuara rreth 8.000.000 veta, mbi moshën pesë vjeç, kanë probleme dëgjimi, e madje përdorin një aparat dëgjimi. Nga ky numër, rreth 1.000.000 komunikojnë me gjuhën e shenjave. Nga një studim tjetër i bërë në po këtë vend, doli se ka afërsisht 28.000.000 individë (nga të gjitha grup-moshat) me probleme dëgjimi, por që s’përdorin aparat dëgjimi. Ka mundësi që të takojmë njerëz që s’dëgjojnë, dhe të mos e kuptojmë, pasi në përgjithësi të tjerët s’e vënë re këtë problem. Për më tepër, nëse një njeri që s’dëgjon jeton bashkë me të tjerë që dëgjojnë, shpeshherë janë këta të dytët që hapin derën.