Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një histori e shkurtër për purpurin

Një histori e shkurtër për purpurin

Një histori e shkurtër për purpurin

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

«Ti, o bir njeriu, nisja një kënge të përvajshme për Tirin. Si velë të shërbente një pëlhurë e shpalosur prej liri ngjyra-ngjyra, e sjellë nga Egjipti. Mbulesa në kuvertë ishte e endur me fill blu dhe lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt, nga ishujt e Elishahut. . . . Ata tregtonin veshje luksoze.»​—Ezekieli 27:2, 7, 24.

TIRI ishte porti kryesor i Fenikisë së lashtë, në territorin që tani njihet si Libani. Ky qytet kishte një tregti të begatë të pëlhurave të purpurta. Në fakt, për shkak të Tirit, kjo ngjyrë e ndezur njihej në Perandorinë Romake si e purpurta e Tirit.

Për shkak të kostos së lartë, ngjyra e purpurt filloi të ishte simbol i mbretërve, i nderit dhe i pasurisë. * Në fakt, me disa dekrete perandorake, në Romën e lashtë, një njeri «i thjeshtë» që guxonte të vishte një rrobë me këtë ngjyrë fisnike, konsiderohej fajtor për tradhti të lartë.

Kjo ngjyrë e veçantë, si në atë kohë edhe sot, përftohet në sasi të vogla nga kërmijtë e detit​—nga një pikë prej secilit. Tirasit përdornin kërmijtë mureks, e sidomos llojet brandaris dhe trunculus, të cilët gjenden në zona të ndryshme përgjatë bregdetit të Mesdheut. Mund të përftoheshin nuanca të ndryshme të kësaj ngjyre, në varësi të vendit ku mblidheshin kërmijtë.

Të zbulojmë historinë në Meksikë

Shekuj më parë, kur pushtuesit spanjollë panë për herë të parë pëlhura të purpurta në Amerikën e Jugut, shprehën admirimin e tyre për fortësinë e kësaj ngjyre që nuk zbehej. Ata vunë re se, me larjen e këtyre copave, ngjyra dukej sikur bëhej edhe më e bukur. Provat arkeologjike tregojnë se banorët vendës vishnin shumë rroba me ngjyrë të purpurt.

Popujt vendës të Meksikës, e sidomos mistekët, i ngjyenin rrobat me jashtëqitjen e një kërmilli të quajtur Purpura patula pansa, i familjes së kërmillit që përdornin tirasit. Që të dy llojet e kërmijve prodhojnë një substancë që në fillim duket e zbehtë, por bëhet e purpurt kur vjen në kontakt me ajrin dhe dritën. Kjo bojë e ngjyros pëlhurën pa ndihmën e një fiksuesi, veti kjo e pashoqe ndër bojërat.

Mistekët i merrnin kërmijtë Purpura nga ujërat e Oqeanit Paqësor. Ndërkohë që tirasit dhe romakët i vritnin molusqet (në fakt, nga kohët e lashta ka mbetur një pirg me guaska bosh), mistekët vetëm sa i «milnin» kërmijtë. Kur i frynin brenda moluskut, ai lëshonte këtë lëng të çmuar, që kullohej drejtpërdrejt në pëlhurë; pastaj krijesa lëshohej prapë në det. Banorët vendës nuk i «milnin» kërmijtë gjatë fazës së tyre riprodhuese. Kjo metodë faktikisht e ka ruajtur popullatën e kërmijve deri në ditët tona.

Sipas Komisionit Kombëtar për Njohjen dhe Përdorimin e Shumëllojshmërisë Biologjike, deri në fillim të viteve 80 të shekullit të 20-të, mistekët që merreshin me ngjyrosjen e pëlhurave, udhëtonin 200 kilometra deri në brigjet e Uatulkos, nga tetori deri në mars, për të marrë ngjyrën e purpurt nga kërmijtë. Por, ekuilibri që ruhej nga kjo metodë e padëmshme, u prish nga viti 1981 deri në vitin 1985, kur një shoqëri e huaj shfrytëzoi këtë burim për të përftuar ngjyrën e purpurt. Si pasojë, popullata e kërmijve Purpura ra shumë. Kjo nxiti nënshkrimin e një marrëveshjeje zyrtare që ndalon vrasjen e këtij kërmilli dhe lejon përdorimin e tij, në mënyrën tradicionale, vetëm nga komunitetet me banorë vendës.

Kërmilli Purpura ende është nën rrezikun e industrisë në rritje të turizmit, në brigjet ku jeton. Gjithsesi, shumë veta shpresojnë që kjo krijesë mahnitëse të ruhet dhe të vazhdojë t’u japë njerëzve ngjyrën e saj të bukur.

[Shënimi]

^ par. 5 Ngjyra e purpurt​—që kryesisht është kombinim i ngjyrës blu me të kuqe,​—përfshin disa nuanca, që nga vjollca e deri tek e kuqja e errët. Në kohët e lashta, fjala «purpur» përdorej edhe për ngjyrën e kërmëzit.

[Figura në faqen 16]

Kërmilli «Purpura»

[Figura në faqen 16]

Kërmillin e «mjelin» dhe pastaj e kthejnë në det

[Burimi]

© FULVIO ECCARDI

[Figura në faqet 16, 17]

Fill i purpurt gati për t’u endur

[Figurat në faqen 17]

Endja e «posauankos» (një lloj fundi)