Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Stresi i atyre që kujdesen për të moshuarit

Gazeta National Post e Kanadasë thotë se, sipas një studimi të Zyrës së Statistikave në Kanada, «në dhjetë veta, të moshës 45 deri 64-vjeçare, tre duhet të kujdesen për një të afërm të moshuar, ndërkohë që kujdesen edhe për fëmijët e tyre, nën moshën 25-vjeçare dhe, në shumë raste, kanë edhe një punë tetorëshe». Nga studimi, doli se ndër njerëzit që kujdesen për të moshuarit ndërkohë që rritin fëmijët e tyre, shkalla e depresionit është më e lartë te gratë, sesa te burrat. Gratë që punojnë, i kushtojnë kujdesit për të moshuarit rreth 29 orë në muaj, në krahasim me 13 orë në muaj që kalojnë burrat. Gjithashtu, ka më shumë të ngjarë që gratë të bëjnë edhe punë të tjera, si gatimi dhe larja e të moshuarve. Sipas gazetës Post, më shumë se gjysma e të anketuarve thoshin se «do të punonin më mirë, po të arrinin të bënin ndonjë pushim të vogël herë pas here».

Sa gjatë duhet dremitur?

«Shkencëtarët po zbulojnë se dremitja në drekë, që ka qenë e zakonshme në kohët e vjetra, mund ta shtojë shumë rendimentin»,​—thotë gazeta Sydney Morning Herald e Australisë. Por ka shumë rëndësi se sa zgjat dremitja. Pasi bëri eksperimente me dremitjen për periudha të ndryshme, specialisti i gjumit, profesori Leon Lak, që punon në universitetin «Flinders», tha: «Një minutë gjumë nuk solli asnjë dobi. Pesë minuta sollën dobi për disa njerëz, po jo shumë të mëdha. Kurse 10 minuta gjumë sollën përmirësime të ndjeshme në pothuajse të gjithë faktorët që matëm ne.» Në dallim nga kjo, njerëzit që dremitën për periudha më të gjata (deri në 30 minuta), thanë se për një orë më pas ndiheshin të lodhur.

Një ateist kthehet te Perëndia

Një profesor filozofie nga Britania, i cili është quajtur «ateisti më me peshë në botë», tani thotë se beson te Perëndia. Në prologun e nxjerrë në Internet të një interviste që është në program të botohet në revistën Philosophia Christi, 81-vjeçari dr. Entoni Flu tha se «iu desh të shkonte aty ku të çojnë provat». Sipas Flusë, këto prova përfshijnë zbulime shkencore të kohëve të fundit në fushat e kozmologjisë e të fizikës. Veç kësaj, siç shpjegoi ai, «zbulimet e një pune kërkimore pesëdhjetëvjeçare për ADN-në, kanë siguruar materiale për të mbështetur një argument të ri dhe shumë të fuqishëm lidhur me projektimin». Madje, ai thotë se edhe «tregimi biblik [i kapitullit të parë të Zanafillës] mund të jetë i saktë nga ana shkencore». Atëherë, a është gati ai për t’u bërë i krishterë? «Shumë vështirë»,​—thotë ai. Megjithatë, vazhdon: «Nëse do të dëshiroja një jetë të ardhme, duhet të bëhem Dëshmitar i Jehovait.»

Me mishra dhëmbësh të shëndetshëm, ke një zemër të shëndetshme

Në gazetën Milenio të Meksikos thuhet se larja e dhëmbëve rregullisht, që parandalon sëmundjet periodontale (të indeve përreth dhëmbit), mund të ulë rrezikun e apopleksisë ose të infarktit të zemrës. Disa kërkues nga Universiteti i Minesotës zbuluan se njerëzit që kishin nivele të larta bakteresh që shkaktojnë sëmundje periodontale, kishin edhe një arterie karotide më të ngushtë. Sipas gazetës, një shpjegim i mundshëm është se «mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje periodontale emigrojnë dhe udhëtojnë nëpër sistemin e qarkullimi të gjakut, i cili nxit sistemin imunitar dhe shkakton mahisje». Pastaj, sipas studiuesve, kjo mahisje shton depozitimin e dhjamrave në arterie ose i kontribuon krijimit të mpiksjeve të gjakut, që çojnë në infarkte të zemrës. Prandaj, në gazetën Milenio thuhet se «kujdesi për shëndetin e gojës mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin kardiovaskular».

Veniten kujtimet e Aushvicit

Më shumë se një milion njerëz vdiqën në kampin famëkeq të Aushvicit, në Poloni, gjatë Luftës II Botërore. E megjithatë, sipas gazetës The Daily Telegraph të Londrës, «pothuajse gjysma e popullsisë së rritur [në Angli] s’kanë dëgjuar kurrë për Aushvicin». Anketa me 4.000 njerëz u sponsorizua nga BBC-ja, në kuadrin e 60-vjetorit të çlirimit të këtij kampi të vdekjes.

Një kukull për të mësuar gjuhën braile

Organizata Kombëtare Spanjolle për të Verbrit (ONCE) ka futur në treg një kukull që mban emrin Brailína. Kjo kukull, e projektuar për t’u mësuar fëmijëve gjuhën braile, ka në pjesën e përparme një panel me gjashtë butona të mëdhenj që përkojnë me gjashtë pikat që përdoren në gjuhën braile. Edhe djemtë e vajzat që nuk e kanë problemin e shikimit, mund të mësojnë gjuhën braile ndërkohë që luajnë me Brailínën. Tridhjetë specialistë e kanë përmirësuar dhe eksperimentuar kukullën, dhe rreth 50 fëmijë ndihmuan për të përmirësuar funksionimin e saj. ONCE-ja planifikon të shpërndajë më shumë se 1.100 kukulla Brailína në shkollat e saj për të verbrit. Sipas Maria Kostas, që punon në Shoqatën Kërkimore të Industrisë së Lodrave, «Brailína përbën një mjet të shkëlqyer mësimor. Për më tepër, është një mënyrë e re për të luajtur me kukullat, që lidh mësimin me argëtimin».

Ndotje vdekjeprurëse e ajrit

«Çdo vit, ndotja e ajrit shkakton 310.000 vdekje në Evropë»,​—thuhet në gazetën spanjolle El País. Specialistët janë sidomos të shqetësuar për dy nga ndotësit: ozoni në nivel të ulët atmosferik dhe grimcat që rrinë pezull në ajër. Këto grimca prodhohen nga djegia e lëndëve djegëse me origjinë fosile, kryesisht nga automjetet, nga centralet elektrike dhe nga fabrikat. Në Evropë, niveli më i lartë i tyre gjendet në zonën e Beneluksit, e ndjekur nga Italia Veriore dhe Evropa Lindore. Në gazetë shtohet: «Përveçse dëmton shëndetin e njeriut, ndotja e ajrit dëmton mjedisin. Është burim i acidimit nëpër pyje, liqene dhe ekosisteme të tjera. Ozoni dëmton të mbjellat, kurse ndotja e ajrit dëmton ndërtesat e qyteteve.»

Falimentojnë dioqezat katolike

Deri në fund të vitit 2004, tri dioqeza katolike në Shtetet e Bashkuara ishin regjistruar si të falimentuara. Që të tria u detyruan të ndërmerrnin këtë hap për shkak të kostos financiare të skandaleve me abuzimet seksuale të klerikëve. Ishin disa dioqeza që kishin folur për mundësinë e falimentimit, por e para që e bëri këtë ishte Arkidioqeza e Portlendit, në Oregon, në korrik 2004. Ky veprim bëri të ndërpriteshin dy çështje gjyqësore, në të cilat paditësit kërkonin gjithsej 155 milionë dollarë dëmshpërblim për ngacmimet seksuale. Sipas gazetës National Catholic Reporter, «arkidioqeza dhe shoqëritë e saj të sigurimeve, tashmë kanë paguar më shumë se 53 milionë dollarë për të mbyllur mbi 130 padi nga njerëz që thonë se kanë pësuar abuzime nga priftërinjtë». Në shtator 2004, dioqeza e Tuksonit, në Arizonë, ishte e dyta që kërkoi të deklarohej e falimentuar, për t’u mbrojtur nga paditë që përfshinin shumë miliona dollarë, që po bëheshin kundër saj. E treta ishte dioqeza e Spokanit, në Uashington, e cila deklaroi falimentimin në dhjetor 2004.