Pa strehë: Cila është zgjidhja?
Pa strehë: Cila është zgjidhja?
«JEPI dikujt një peshk dhe do ta ushqesh për një ditë. Mësoje atë të peshkojë dhe do ta ushqesh për tërë jetën.» Kjo thënie tregon një të vërtetë, se po të plotësosh thjesht një nevojë të ngutshme fizike, kjo mund të ketë një vlerë të kufizuar. Është shumë më mirë t’i ndihmosh njerëzit të mësojnë si t’i zgjidhin problemet dhe si t’i plotësojnë vetë nevojat e tyre. Shumë njerëz kanë nevojë të mësojnë disa aftësi elementare për t’i bërë ballë jetës ose të ndryshojnë krejt pikëpamjen dhe mënyrën e jetesës.
Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se rruga më e mirë për të ndihmuar lidhur me problemin e të pastrehëve është t’u mësojnë njerëzve mënyrën më të mirë të jetesës. Kjo do të thotë të zbatojnë këshillat më të mira që mund të gjenden, ato që na jep Krijuesi i njeriut. E kush më mirë se Krijuesi mund të japë këshilla të tilla? Këshillat e tij po i ndihmojnë njerëzit të shmangin shumë nga problemet që një ditë mund t’i lënë pa shtëpi. Këshillat e tij po ndihmojnë edhe njerëz të sinqertë që të dalin
nga ky hall. Sigurisht, leximi i Biblës në vetvete nuk bën që të zhduken të gjitha problemet që hasim. Sidoqoftë, Bibla mund t’i ndihmojë njerëzit të heqin veset që u harxhojnë paratë, të fitojnë sërish respektin për veten dhe të bëjnë një jetë më dinjitoze.Shumë veta kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e abuzimit me alkoolin ose drogën, si pasojë e rrugës së krimit, problemeve financiare ose prishjes së familjes. Bibla jep këshilla praktike për të gjitha këto çështje. Zbatimi i këtyre këshillave ka ndihmuar miliona njerëz që të ndryshojnë pikëpamjen për jetën, e të ndryshojnë për mirë gjithë personalitetin. Sigurisht, vetëm zbatimi i këshillave biblike, nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet që vijnë nga mungesa e strehimit. Tani për tani, katastrofat natyrore, sëmundjet, varfëria e përhapur, varësia nga droga ose alkooli e probleme të tjera si këto, shpesh kërkojnë forma të tjera ndihme. Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait bëjnë gjithçka që munden për t’i ndihmuar njerëzit që po vuajnë pasojat e këtyre problemeve, ata e dinë se vetëm Bërësi i njerëzimit mund t’i zgjidhë ato një herë e mirë. A do ta bëjë ai këtë?
Qëllimi fillestar i Perëndisë
Ka arsye të forta për të shpresuar që së shpejti nuk do të ketë më të pastrehë. Ku bazohemi? Mendoni për këtë: Perëndia Jehova i siguroi një shtëpi të shkëlqyer çiftit të parë. Perëndia i vuri në një parajsë, ku kishin gjithçka që u nevojitej. Po të kishin ndjekur drejtimin e Krijuesit të tyre, ata do ta kishin shtrirë Parajsën në të gjithë tokën. Pasardhësit e tyre do të kishin gëzuar bollëk dhe shtëpi të rehatshme. Çdo pjesëtar i familjes njerëzore do të mbështetej në dashurinë dhe bashkëpunimin e të tjerëve. Ky ishte qëllimi fillestar i Perëndisë. Ai nuk ka ndërruar mendje.—Psalmi 37:9-11, 29.
Për më tepër, çfarëdo që Perëndia ka si qëllim, do të realizohet patjetër. (Isaia 55:10, 11) Bibla profetizon se do të vijë një kohë kur kushdo do të gëzojë bollëk dhe do të ketë shtëpinë e vet. Vërtet, para se të realizohet kjo, duhet të ndryshojë e gjithë shoqëria njerëzore. Një ndryshim i tillë do të vijë falë ndërhyrjes së Perëndisë në çështjet e njerëzimit. Kjo ishte ajo që kishte ndër mend Jezui kur tha: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—Mateu 6:9, 10.
Nën sundimin e drejtë të Mbretërisë së Perëndisë, njerëzit e bindur do të shohin përmbushjen e kësaj profecie inkurajuese: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to. . . . Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër dhe nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. . . . Do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre.» (Isaia 65:21, 22) Me pak fjalë, askush nuk do të jetë i pastrehë.
Dëshmitarët e Jehovait po përpiqen me zell t’u sigurojnë njerëzve ndihmën frymore që u duhet pikërisht tani. Ata dëshirojnë të kujdesen me dashuri për njerëzit dhe t’i ndihmojnë, siç këshilloi Jezui. (Mateu 22:36-39). Meraku për të tjerët i shtyn Dëshmitarët t’u vijnë në ndihmë atyre që kanë humbur shtëpitë si pasojë e katastrofave natyrore. *
Në mënyrë realiste, Dëshmitarët e kuptojnë se nuk është e mundur të ndihmojnë këdo. Jatseku nga Polonia, që jeton në një qendër për të pastrehët, thotë për të pastrehët: «Disa janë agresivë ose të droguar. Të tjerë i kanë inat temat fetare, duke menduar se Perëndia
nuk interesohet për ta. Por ka edhe nga ata që reagojnë mirë ndaj fjalës së Perëndisë.» Kështu ka bërë edhe vetë Jatseku. Ai ka filluar të mësojë më shumë për atë që thotë në të vërtetë Bibla.Një tjetër i pastrehë që reagoi mirë është Romani, që vuan nga SIDA e që deri para pak kohësh flinte rrugëve. «Kur arrita në qendrën e Shërbimeve Sociale, nuk e dija se Dëshmitarët e Jehovait mblidheshin aty afër,—thotë ai.—S’kaloi shumë kohë dhe ata filluan një bisedë me mua në rrugë dhe më shpjeguan se Perëndia nuk e bën veshin të shurdhër ndaj thirrjeve për ndihmë të të pastrehëve. Ata më ftuan të shkoja në mbledhjet e tyre.»—Psalmi 72:12, 13.
Si ndikuan tek ai gjërat që dëgjoi? «Mësova se mund të jetoj përgjithmonë në Parajsë mbi tokë dhe se jam i çmuar në sytë e Perëndisë. Tani që kisha përreth miq të rinj e të dashur, nuk e mbaja më mendjen te halli im dhe fillova të ndryshoja si njeri. Nga dashuria për Perëndinë, e lashë duhanin dhe në lutje i bëra një premtim se do të ecja në shtegun e drejtësisë.»
Romani bëri shumë progres frymor dhe shpejt u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Me ndihmën e bashkëbesimtarëve dhe të autoriteteve, ai gjeti një vend të përshtatshëm për të jetuar. Romani thotë i gëzuar: «S’e them dot me fjalë se ç’lumturi ndiej në zemër. I jam afruar një Perëndie të dashur që i dha kuptim jetës sime. Ai më dha një familje të mrekullueshme me vëllezër e motra, e gjithashtu edhe një shtëpi.»
E ardhmja për të pastrehët
Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të tregojnë dhembshuri për të gjithë njerëzit, përfshirë edhe të pastrehët. Ata duan me gjithë shpirt të flasin për të vërtetat biblike ku premtohet një e ardhme më e mirë, të vërteta që edhe tani mund t’ua ndryshojnë jetën njerëzve.—Gjoni 8:32.
Bibla thotë: «Ajo që është bërë e shtrembër s’mund të drejtohet.» (Eklisiastiu 1:15) Po, pavarësisht nga qëllimet e mira të vullnetarëve dhe autoriteteve, është e vështirë të zhdukësh probleme shoqërore, të rrënjosura kaq thellë, siç është mungesa e strehimit ose varfëria. Megjithatë Bibla na siguron se së shpejti, nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, të gjithë njerëzit e bindur do të jetojnë në kushte të përsosura.
[Shënimi]
^ par. 9 Për shembuj të tillë, ju lutemi të shihni revistën Zgjohuni! të 8 janarit 1993, faqet 14-21 (anglisht); 22 tetorit 2001, faqet 23-27 (anglisht); dhe 8 gushtit 2003, faqet 10-15.
[Figura në faqen 8]
Një nënë refugjate nga Somalia ka në dorë një triskë për ushqime
[Burimi]
© Trygve Bolstad/Panos Pictures
[Figura në faqen 9]
Mbi të gjitha, të pastrehët kanë nevojë për një shpresë për të ardhmen
[Figurat në faqen 10]
Kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë, askush nuk do të jetë i pastrehë