Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pa strehë: Cilat janë shkaqet?

Pa strehë: Cilat janë shkaqet?

Pa strehë: Cilat janë shkaqet?

«NËPËR botë ka më shumë se 100 milionë të pastrehë»,​—raportojnë Kombet e Bashkuara. Nëse kjo shifër është e saktë, atëherë, mesatarisht 1 në çdo 60 veta nuk ka një shtëpi të përshtatshme. Megjithatë është e vështirë të përcaktosh saktësisht shtrirjen e këtij problemi. Përse?

Në pjesë të ndryshme të botës ka përkufizime nga më të ndryshmet se kush mund të quhet i pastrehë. Metodat dhe synimet e atyre që studiojnë këtë problem ndikojnë në mënyrën se si e përkufizojnë atë. E kështu, përkufizimi që bëjnë ata ndikon në statistikat që botojnë. Pra, është e vështirë, thuajse e pamundur, të bësh një përcaktim të saktë të problemit.

Sipas librit Strategji për të luftuar mungesën e strehimit (anglisht), botuar nga Qendra e Kombeve të Bashkuara për Strehimin, të jesh i pastrehë do të thotë «të mos kesh një banesë të një niveli të pranueshëm. Ajo përfshin të gjitha kushtet nën standardin që konsiderohet i përshtatshëm» për shoqërinë ku jetojnë të pastrehët. Disa mund të jetojnë rrugëve ose në ndërtesa të rrënuara a të braktisura, kurse të tjerë mund të gjejnë strehë në qendrat për të pastrehët, të ngritura nga organizatat bamirëse. Ka edhe nga ata që përkohësisht strehohen te miqtë. Sido që të jetë, i njëjti studim thotë: «Të kategorizosh dikë si të pastrehë, nënkupton një gjendje në të cilën ‘duhet bërë diçka’ për të ndihmuar viktimën e këtyre rrethanave.»

Sipas llogaritjeve, Polonia, me një popullsi rreth 40 milionë banorë, ka përafërsisht 300.000 të pastrehë. Askush nuk e di se sa janë saktësisht, ngaqë ata nuk janë të regjistruar në ndonjë zonë dhe enden nga njëri vend në tjetrin. Disa mendojnë se shifra e saktë është rreth gjysmë milioni.

Meqë mungesa e strehimit është mjaft e përhapur, ndoshta njihni dikë që mund të ketë këtë problem. Gjendja e mjerueshme e të pastrehëve ngre një sërë pyetjesh. Si mbetën pa shtëpi këta njerëz? Me çfarë jetojnë? Kush i ndihmon? Dhe ç’do të sjellë e ardhmja për të pastrehët?

Herë me shtëpi, herë pa shtëpi

Sabrina * është një nënë e vetme nga një lagje e varfër në Harlem, një zonë e qytetit të Nju-Jorkut. Ajo e la shkollën e mesme pasi mbaroi vitin e dytë. Sabrina jeton me tre fëmijët e saj të vegjël në një qendër të ngritur nga bashkia për ata që kanë shumë kohë të pastrehë. Ajo ka një apartament të vogël dhomë e kuzhinë ku fle me tre djemtë e saj, njëri dhjetë muajsh, tjetri tre vjeç, kurse i madhi dhjetë vjeç. Qyteti siguron një strehim të tillë për njerëz që nuk kanë se ku të shkojnë.

Sabrina u largua nga shtëpia e nënës dhjetë vjet më parë. Që prej asaj kohe ka jetuar me të dashurin e saj, ka ndenjur te miqtë, te kushërinjtë, dhe kur është gjendur ngushtë, në godinat për të pastrehët. «Herë kam pasur punë, herë jo. Në të shumtën e rasteve, ua thurja njerëzve flokët gërshet për të fituar para,​—thotë Sabrina,​—por shumicën e kohës kam jetuar me asistencë.»

Si për ironi, problemet e Sabrinës, siç tregohet në revistën Parents, filluan kur ajo gjeti një punë të mirë në një hotel. Kur punonte atje, paga e saj ishte shumë më e lartë sesa kufiri i lejuar për të marrë asistencë, por me ato që fitonte, nuk arrinte të mbulonte shpenzimet, duke përfshirë shtëpinë, ushqimin, veshjen, transportin dhe kopshtin e fëmijëve. Prandaj, mezi e paguante qiranë dhe pronari u përpoq ta dëbonte. Si përfundim, Sabrina e la punën dhe shkoi në një qendër që siguronte strehim të përkohshëm në raste të ngutshme, derisa gjeti apartamentin ku rri tani.

«Ka qenë e vështirë për fëmijët e mi,​—thotë Sabrina.​—Djali i madh ka qenë në tri shkolla të ndryshme. Duhet të ishte në klasën e pestë, por ka ngelur një vit . . . Na është dashur të lëvizim shpesh.» Sabrina është në listën e njerëzve të cilët presin për strehim të financuar pjesërisht nga shteti.

Mbase ata që nuk kanë asnjë vend ku të futin kokën, mendojnë se Sabrina është me fat. Megjithatë, jo kushdo nga të pastrehët mendon se jeta në qendrat për të pastrehët është një zgjidhje e mirë. Sipas Komitetit Polak për Ndihmën në Komunitet, disa «kanë frikë nga disiplina dhe nga rregullat e qendrave për të pastrehët» dhe nuk e pranojnë ndihmën që u ofrohet. Për shembull, atyre që jetojnë në këto qendra u kërkohet të punojnë dhe të mos pinë alkool dhe drogë. Jo çdokush është i gatshëm t’u bindet këtyre rregullave. Prandaj, në varësi nga stinët, të pastrehët mund t’i gjesh teksa flenë në stacionet e trenave, nëpër shkallë, në bodrume, në stolat e parqeve, poshtë urave dhe në zonat industriale. Pamje të tilla i sheh anembanë botës.

Një libër që trajton këtë temë rendit shumë faktorë që ndikojnë në problemin e të pastrehëve në Poloni. Ndër këta faktorë janë humbja e punës, borxhet dhe problemet familjare. Mungesa e strehimit ndeshet te të moshuarit, invalidët dhe te njerëzit e infektuar me HIV. Shumë të pastrehë kanë probleme mendore dhe fizike ose janë të varur nga droga e sidomos nga alkooli. Shumica e grave të pastreha janë të ndara nga burrat ose kanë ikur prej tyre, i kanë përzënë nga shtëpia ose janë marrë me prostitucion. Duket sikur çdo i pastrehë fsheh një histori të trishtueshme.

Viktima të rrethanave

Stanisuava Golinofska, specialiste në socio-ekonomi, thotë: «Këtu [në Poloni] askush nuk është i pastrehë, sepse kështu ka dashur. . . . Përkundrazi, është pasojë e shumë dështimeve në jetë, të cilat kanë çuar në një rrënim psikologjik dhe në humbjen e dëshirës për të jetuar.» Me sa duket, mungesa e strehimit prek ata njerëz, të cilët për arsye të ndryshme nuk ndihen të aftë të përballojnë problemet. Për shembull, disa kanë dalë nga burgu dhe kanë parë që vandalët ua kanë prishur shtëpinë. Të tjerë i kanë përzënë nga shtëpia. Shumë veta kanë mbetur pa shtëpi pas ndonjë katastrofe natyrore. *

Nga një studim u zbulua se gati gjysma e të pastrehëve të anketuar në Poloni dikur kishin një familje dhe jetonin me bashkëshortin a bashkëshorten, ndonëse shpesh familja kishte probleme. Shumë prej tyre i kishin nxjerrë nga shtëpia ose ishin detyruar të iknin për ndonjë situatë tejet të vështirë. Vetëm 14 për qind e morën vullnetarisht vendimin për t’u larguar.

Pasi kalojnë njëfarë kohe në qendrat për të pastrehët, disa bëhen sërish të zotët e vetes dhe gjejnë një shtëpi. Të tjerë e kanë më të vështirë të dalin nga kjo gjendje. Pjesërisht kjo vjen për shkak të sëmundjeve mendore ose fizike, abuzimit me drogën ose alkoolin, mungesës së motivimit për të punuar, rendimentit të ulët në punë, mungesës së arsimimit ose kombinimit të këtyre faktorëve. Si pasojë, ata mbeten vazhdimisht të pastrehë. Në Shtetet e Bashkuara, rreth 30 për qind e të pastrehëve hyjnë e dalin vazhdimisht nga një sistem që një shoqatë e quan «sistemi i të pastrehëve», një sistem që përfshin qendrat për të pastrehët, spitalet, e mjerisht, edhe burgjet. Thuhet se ata që mbyllen vazhdimisht në këtë sistem harxhojnë 90 për qind të burimeve kombëtare që rezervohen për këtë problem.

Vërtet një ndihmë për të pastrehët?

Në disa qendra për të pastrehët ofrohen shërbime që kanë si qëllim t’i ndihmojnë ata që të çlirohen nga jeta si të pastrehë. Individëve mund t’u jepet asistencë sociale, ndihmë financiare nga burime të tjera, ndihmë ligjore falas, ndihmë për të vendosur sërish lidhjet me familjen ose mësohen si të kryejnë disa punë elementare. Shpesh qendrat për të rinjtë në Londër japin këshilla për dietat, për gatimin, si të bëjnë një jetesë më të shëndetshme dhe si të gjejnë një vend pune. Këto këshilla kanë si qëllim të rritin respektin për veten dhe t’i motivojnë njerëzit, si edhe t’i ndihmojnë të bëhen më të pavarur, në mënyrë që të gjejnë dhe të mbajnë një shtëpi të vetën. Sigurisht këto masa janë për t’u vlerësuar.

Gjithsesi, jo gjithnjë këto qendra u ofrojnë të pastrehëve ndihmën që u duhet më shumë. Jatseku, një i pastrehë në Varshavë, thotë se jeta në këto qendra nuk i përgatit njerëzit t’i bëjnë ballë botës jashtë. Ai mendon se, duke u shoqëruar e duke biseduar gati gjithnjë vetëm me njëri-tjetrin, banorët zhvillojnë «një mënyrë të menduari të shtrembër». Ai thotë: «Qendra për të pastrehët na izolon nga bota përreth dhe bëhet si një shtëpi fëmije për të rriturit.» Sipas tij, shumë vetave që banojnë aty «truri nuk u punon siç duhet».

Sipas një studimi në Poloni, vetmia është ndjenja më e dhembshme që provojnë të pastrehët. Për shkak të problemeve financiare dhe pozitës së ulët shoqërore, të pastrehët kanë prirjen të ndihen të pavlerë. Disa gjejnë ngushëllim tek alkooli. Jatseku thotë: «Duke mos parë asnjë shpresë për ndryshim, shumë nga ne dalëngadalë e humbim besimin se mund të bëjmë diçka për të përmirësuar gjendjen tonë të mjeruar.» Atyre u vjen zor për paraqitjen, për varfërinë, për paaftësinë e tyre dhe për faktin e thjeshtë që janë të pastrehë.

Fransis Jegëdë, specialist për çështjet e popullimit thotë: «Qoftë kur flasim për banorët e trotuareve në Bombei [Mumbai] dhe në Kalkutë, qoftë për njerëzit me pamje të egër që flenë rrugëve të Londrës a për fëmijët e rrugëve në Brazil, është tepër e rëndë dhe e trishtueshme vetëm ta përfytyrosh të jesh i pastrehë, le pastaj ta provosh.» Më tej ai shton: «Cilido qoftë shkaku ose shkaqet e kësaj dukurie, pyetja që mbetet është se përse bota, me gjithë pasurinë, kulturën dhe njohuritë në teknologji, duket e paaftë për të zgjidhur problemin e mungesës së strehimit?»

Është e qartë se të gjithë të pastrehët kanë nevojë për ndihmë, jo vetëm për ndihmë fizike, por edhe për një ndihmë që mund t’i ngushëllojë e t’u japë zemër. Një ndihmë e tillë mund t’i fuqizojë njerëzit të përballojnë e të kalojnë shumë probleme që i çojnë drejt një jete si të pastrehë. Por ku mund ta gjejnë të pastrehët këtë ndihmë? A ka shpresë që kjo tragjedi të zhduket?

[Shënimet]

^ par. 8 Disa nga emrat në këta artikuj janë ndryshuar.

^ par. 15 Miliona veta në mbarë botën janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për shkak të trazirave politike ose luftërave. Për një shqyrtim të gjendjes së tyre të mjerueshme, ju lutemi të shihni serinë e artikujve me titull «Refugjatët: A do të gjejnë ndonjëherë shtëpi?», botuar në revistën Zgjohuni! të shkurtit 2002.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Pasojat e mjerimit

Qindra mijë veta jetojnë në rrugët e qyteteve të Indisë. Nga llogaritjet është zbuluar se vetëm në Bombei ka rreth 250.000 veta që flenë nëpër trotuare. Streha e tyre e vetme mund të jetë një mushama e lidhur midis shtyllave dhe strukturave përreth. Përse jetojnë këtu në vend që të jetojnë në ndonjë shtëpi pak a shumë të lirë në periferi të qytetit? Sepse punojnë afër qendrës së qytetit​—shesin gjëra të vogla, punojnë si shitës ambulantë, punojnë si hamej për të tërhequr karrocat ose mbledhin plehrat. «Nuk kanë rrugë tjetër,​—thuhet në librin Strategji për të luftuar mungesën e strehimit.​—Varfëria i detyron, që për qiranë, të mos harxhojnë asnjë qindarkë që mund të përdoret për ushqim.»

Afro 2.300 burra, gra dhe fëmijë jetojnë në stacionin e trenit në Johanesburg, Afrika e Jugut. Ata flenë në platformat e pambuluara të hekurudhës, duke përdorur copa batanijesh si shtretër ose në baraka prej kartoni. Shumica nuk punojnë dhe i kanë humbur shpresat për të gjetur ndonjë punë. Mijëra veta jetojnë në kushte të ngjashme në qytet. Ata nuk kanë ujë, banjë dhe drita. Në kushte të tilla, sëmundjet përhapen me shpejtësi.

Arsyeja se përse këto dy grupe njerëzish, si dhe shumë të tjerë si ata, janë të pastrehë, është e thjeshtë: jetojnë në mjerim.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Dështime të shoqërisë moderne

Libri Strategji për të luftuar mungesën e strehimit, botuar nga Qendra e Kombeve të Bashkuara për Strehimin, nxjerr në pah një sërë dobësish të sistemit të tanishëm shoqëror, politik dhe ekonomik kur bëhet fjalë që t’u sigurojë shtëpi të gjithëve. Këtu përfshihen:

● «Problemi kryesor në lidhje me mungesën e strehimit mbetet paaftësia e qeverive që të ndajë mënjanë burime të mjaftueshme për të plotësuar tërësisht të drejtën për strehim të përshtatshëm.»

● «Rregullat e papërshtatshme dhe sistemet e paefektshme të planifikimit mund . . . të shkaktojnë rrëmujë gjatë punës për t’i siguruar strehim shumicës së të varfërve.»

● «Mungesa e strehimit është shenjë që tregon se ndihma për të përballuar shpenzimet e strehimit nuk ndahet në mënyrë të barabartë në komunitet dhe dobitë e strehimit nuk i gëzojnë të gjithë njëlloj.»

● «Kriza e mungesës së strehimit është pasojë e politikave që ose e kanë shpërfillur, ose e kanë nënvlerësuar ndikimin negativ që kanë luhatjet e ekonomisë, mungesa e shtëpive me çmime të përballueshme, shtimi i rasteve të abuzimit me drogën e problemet e tjera fizike e mendore të atyre që janë më të prekshëm [nga ky problem] në . . . shoqëri.»

● «Është mjaft e nevojshme të përmirësohet përgatitja e profesionistëve që merren me njerëzit që rrezikojnë më shumë të preken nga ky problem. Të pastrehët, sidomos fëmijët që flenë rrugëve, duhen parë si pasuri të pashfrytëzuara dhe jo si një barrë për shoqërinë.»

[Figura]

Një nënë me dy vajzat e saj duke lypur, Meksikë

[Burimi]

© Mark Henley/ Panos Pictures

[Figura në faqen 6]

Një ish-stacion treni u kthye në qendër për të pastrehët në Pretoria, Afrika e Jugut

[Burimi]

© Dieter Telemans/Panos Pictures

[Burimet e figurave në faqen 4]

Majtas: © Gerd Ludwig/Visum/Panos Pictures; fotografia e vogël: © Mikkel Ostergaard/Panos Pictures; djathtas: © Mark Henley/Panos Pictures