Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’duhet të di për steroidet?

Ç’duhet të di për steroidet?

Të rinjtë pyesin . . .

Ç’duhet të di për steroidet?

«Jo se unë s’mendoj për këtë [për pasojat e marrjes së steroideve] . . . Mendoj: ‘Kushedi sa të gjatë do ta kem jetën?’ . . . Po, si të them, kjo është ajo që dua tani.»​—Xhoni, peshëngritës.

A JE i pakënaqur me trupin tënd? Do të doje të kishe trup muskuloz si të atletëve ose një trup elegant si të topmodeleve? Të pëlqen shumë sporti dhe dëshiron të kesh më shumë forcë e shpejtësi?

Nëse i je përgjigjur po ndonjërës nga pyetjet e mësipërme, atëherë mund të jesh nën tundimin për të marrë ilaçet ose përzierjet e lëngëta që të ofrojnë shokët, duke të premtuar se do t’i arrish më shpejt synimet me to. Në revistën Akademia Amerikane e Mjekëve të Familjes (anglisht), thuhet: «Përafërsisht 1 milion adoleshentë [në Shtetet e Bashkuara] nga mosha 12 deri në 17 vjeç, kanë marrë droga dhe substanca plotësuese, që shtojnë aftësitë fizike, por që janë shumë të rrezikshme.»

Drogat më të përdorura që shtojnë aftësitë fizike, njihen me emrin steroide anabolike. Çfarë janë? Pse i marrin njerëzit? E si mund t’i rezistosh tërheqjes së tyre?

T’i japësh një dorë natyrës

Në një raport nga Ministria Amerikane e Shëndetësisë dhe e Shërbimeve Publike, shpjegohet: «Termi steroide anabolike është termi i njohur për substancat artificiale që kanë lidhje me hormonet seksuale mashkullore (androgjenët). Ato nxitin rritjen e muskujve të skeletit (pra kanë efekte anabolike) dhe zhvillimin e tipareve seksuale mashkullore.» Te meshkujt, gjatë pubertetit, shtimi natyror i këtyre hormoneve seksuale, i programuar mirë, shkakton ndryshimet fizike që e kthejnë një djalë në burrë.​—Psalmi 139:15, 16.

Steroidet artificiale u prodhuan fillimisht në vitet 30 të shekullit të 20-të, për të kuruar meshkujt që nuk prodhonin mjaftueshëm nga ky hormon në mënyrë natyrore. Sot, steroidet përdoren për të luftuar efektin dobësues që shkakton HIV-i dhe sëmundje të tjera. Megjithatë, steroidet po i kërkojnë edhe ata që s’kanë nevoja të vërteta mjekësore. Në vitet 50, steroidet filluan të shiteshin në tregun e zi dhe atletët ambiciozë nisën t’i shfrytëzonin këto droga për të shtuar aftësitë e tyre fizike.

Por nuk tundohen vetëm atletët për t’i marrë steroidet. Nga një studim i botuar në revistën mjekësore Pediatrics, doli se pothuajse 3 për qind e djemve dhe e vajzave në Shtetet e Bashkuara, me moshë 9 deri 13 vjeç, kanë përdorur droga të tilla. Dr. Nora D. Volkofi, drejtoreshë e Institutit Kombëtar për Abuzimin me Drogën, kohët e fundit tha në një mbledhje të kongresit amerikan se, në vitin 2004, «rreth 79.000 nxënës maturantë [thanë] se vitin e kaluar kishin përdorur steroide anabolike». Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, abuzimi me steroidet është shumë i përhapur. Në botimin New Statesman thuhet: «Në vitin 2003, në Mersisajd e në Çeshir, numri më i madh i klientëve të rinj që donin të blinin shiringa ishin përdoruesit e steroideve, që për herë të parë ua kaluan përdoruesve të heroinës.» *

Pse i tërheqin kaq shumë steroidet?

Pse kjo rritje e abuzimit me steroide? Një arsye është se atletët e suksesshëm mund të fitojnë famë të menjëhershme dhe një thes me para. Duket se rruga më e shkurtër drejt kësaj miniere ari janë steroidet. Një trajner i shquar, përmblodhi qëndrimin që mbizotëron te shumë veta, kur tha: «Fitorja nuk është mbi gjithçka​—ajo është gjithçka!» Dr. Volkofi, e përmendur më sipër, komentoi: «Tani jemi përballë një mesazhi shumë të dëmshëm që po depërton në shoqërinë tonë: sa më i madh të jesh, aq më mirë, dhe të jesh më i miri është më e rëndësishme sesa mënyra se si e arrin këtë.»

Një anketë e drejtuar nga Bob Goldmani, mjek që specializohet për mjekësinë sportive, duket se vërteton këtë përfundim të zymtë. Ai pyeti atletë të rinj nëse do të merrnin droga të ndaluara që shtojnë aftësitë fizike, në këto kushte: nuk do të diktoheshin, do të fitonin çdo garë për pesë vitet e ardhshme dhe, më pas, do të vdisnin nga efektet anësore të asaj droge. Më shumë se gjysma e të rinjve u përgjigjën po.

Edhe sikur të mos e kesh këtë fiksim për të fituar me çdo kusht, steroidet mund të të duken prapëseprapë tërheqëse. Përse? Dr. Volkofi thotë: «Njerëzit vendosin të marrin steroide, sepse ato, në fakt, i nxjerrin më në pah disa aspekte të aftësive fizike e të pamjes së jashtme.» Sot, në shumë kultura, pamja e jashtme është bërë gjithçka. Dr. Herizon Poup, profesor psikiatrie në Shkollën Mjekësore të Harvardit, komenton: «Miliona burra ndihen të turpëruar, kanë dyshime te vetja dhe janë në siklet, për shkak të theksit që i vihet pamjes trupore.» Steroidet u japin djemve të rinj mundësinë për t’i fshehur këto dyshime nën petkun e një trupi muskuloz e në modë.

Për arsye të ngjashme, edhe vajzat janë nën rrezikun e joshjes nga steroidet. Çarls Jesalisi, profesor i shëndetit dhe i zhvillimit të njeriut, në Universitetin shtetëror të Pensilvanisë, tha për abuzimin me steroide: «Te vajzat, ka pasur një rritje domethënëse gjatë viteve 90 dhe tani, numri ka arritur një maksimum të ri.» Disa vajza marrin steroide për të qenë më të forta e më të shpejta në sporte. Por shumica i marrin me shpresën që këto droga t’ua shndërrojnë trupin në imazhin elegant e të dobët që kanë sot fotomodelet dhe aktoret. «Te vajzat e reja,​—thotë Xhef Horgeri, nga Universiteti Rutgers në Nju-Xhersi,​—kjo drogë përdoret më shumë si [metodë] për të kontrolluar peshën dhe për të hequr dhjamrat e trupit.»

Merr parasysh rreziqet

Nëse të lind ndonjëherë tundimi për të marrë steroide pa pasur arsye shëndetësore, ia vlen të shqyrtosh faktet e mëposhtme. Një njeri që i merr edhe për pak kohë këto droga, shton rrezikun e infarktit të zemrës, të pamjaftueshmërisë së veshkave, të mëlçisë dhe të problemeve të rënda psikiatrike. Femrat që marrin steroide rrezikojnë të kenë anomali në ciklin menstrual, rritje të shumtë të qimeve të trupit, rënie flokësh që është tipike te meshkujt dhe trashje të zërit që mbetet përgjithnjë. Nga ana tjetër, meshkujve që marrin steroide mund t’u fillojë t’u rritet gjoksi e ndoshta edhe testikujt fillojnë t’u tkurren. Si meshkujt, edhe femrat, mund të kenë shfaqje të papritura agresiviteti. E, sado paradoksale, steroidet mund ta pengojnë rritjen e trupit, nëse merren gjatë adoleshencës.

Po nëse je një i ri ose e re që dëshiron t’i pëlqesh Perëndisë Jehova, çfarë thonë parimet e Biblës lidhur me përdorimin e gabuar të steroideve? Bibla thotë qartë se jeta është dhuratë nga Jehovai. (Veprat 17:25) Siç e tregojnë faktet e mësipërme, një i ri ose e re që abuzon me steroide, do të dëmtojë shëndetin. Prandaj, pyet veten: ‘A do t’i tregoja çmueshmëri Jehovait për trupin tim, i cili është «krijuar në mënyrë të mrekullueshme», po të merrja substanca që me kalimin e kohës do ta dëmtonin atë?’​—Psalmi 139:14.

Një fakt tjetër që duhet marrë parasysh, është se steroidet bëjnë që një njeri të ketë shpërthime zemërimi. Mbreti i mençur Solomon tha: «Kush nxehet kollaj, bën shumë shkelje.» (Proverbat 29:22) Apostulli Pavël paralajmëron se ata që e lejojnë zemërimin t’u mbizotërojë personalitetin, nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. (Galatasve 5:19-21) A ia vlen të rrezikosh kështu, vetëm për disa dobi afatshkurtra që sjellin steroidet?

Po nëse tundohesh të marrësh steroide për t’u dhënë shtysë aftësive të tua në sport? Bibla na kërkon të sillemi «me ndershmëri në çdo gjë». (Hebrenjve 13:18) Nëse arrin sukses në sport për shkak të abuzimit me steroide, a po tregohesh i ndershëm me pjesëmarrësit e tjerë në garë ose me veten?

Mos harro se, ndonëse disa nga shokët mund të të gjykojnë nga pamja e jashtme ose nga aftësitë e tua fizike, Jehovai i gjykon ndryshe njerëzit. Për të, nuk është forma e trupit tënd që përcakton sa vlerë ke në të vërtetë. Kur zgjodhi Davidin për ta bërë mbret të Izraelit, Jehovai i tha Samuelit lidhur me vëllanë e Davidit, që ishte më i gjatë e i pashëm: «Mos i shiko pamjen dhe shtatin e lartë, sepse unë e kam hedhur poshtë. Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.»​—1 Samuelit 16:7.

Je apo jo shërbëtor i Jehovait, është gjë e mençur t’i rezistosh joshjes së steroideve. Një lojtar amerikan që bën pjesë në një skuadër futbolli në kolegj, jep këtë këshillë praktike: «Nëse dëshiron të shmangësh presionin për të marrë steroide, kujdes me kë shoqërohesh. Çfarëdo ‘dobie’ që mund të të sjellë droga, nuk ia vlen.»

[Shënimi]

^ par. 10 Shpesh, steroidet injektohen në trup, duke ua shtuar rrezikun atyre që përdorin të njëjtën shiringë, për të marrë HIV-in ose ndonjë sëmundje tjetër që transmetohet me anë të gjakut.

[Figura në faqen 20]

Disa vajza marrin steroide për të ndryshuar formën e trupit