Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Blinët rusë: Jo thjesht petulla

Blinët rusë: Jo thjesht petulla

Blinët rusë: Jo thjesht petulla

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Rusi

Francezët kanë krepët, skocezët kanë ata që quhen banok, kurse amerikanët kanë ata që i quajnë flepxheks. Prandaj nuk është për t’u habitur që rusët kanë llojin e tyre të petullave​—blinin, i cili është një ushqim bazë me një histori të gjatë.

Sllavët e lashtë i përdornin blinët si blatim gjatë riteve të tyre pagane dhe i konsideronin një simbol të përshtatshëm të diellit të rrumbullakët, të ngrohtë e të praruar. Lehonat ushqeheshin me blinë. Këta shërbeheshin edhe në dasma, edhe në funerale, prandaj bënin pjesë në jetën e njerëzve që nga lindja e deri në vdekje.

Sot rusët zakonisht i bëjnë blinët me miell gruri, por mund të përdoren edhe lloje të tjera miellrash. Brumi i hollë në përgjithësi përgatitet me qumësht ose ujë a me të dyja bashkë. Por mund të bëhet edhe me ajkë, dhallë, kefir, salcë kosi ose me çdo produkt tjetër të qumështit. Skuqja e blinëve është një art, sepse çdo blin duhet të jetë sa më i hollë, dhe kjo nuk arrihet kaq lehtë!

Të përgatitësh mbushjen thuhet se është një shkencë më vete. Mbushja mund të jetë një reçel i bërë në shtëpi, si për shembull me mjedër, luleshtrydhe, mjedër mali, mjedër amerikane, ribes të kuqe a të zezë ose me boronicë të vogël. Mbushja mund të bëhet me açuga, harenga, salmon, sardele, papalina, kërpudha, mish të grirë ose me djathë të njomë. Kjo mund të shërbehet veç ose kombinuar. Por mbushja klasike ruse është me havjar të kuq ose të zi. Dhe mos harroni, blinët kanë shije më të mirë kur sapo janë hequr nga tigani!

[Kutia dhe figura në faqen 18]

RECETË PËR BLINË ME HIKËRR

Përbërësit

1 filxhan (120 g) miell hikrre

1 filxhan miell gruri

2 lugë gjelle maja pluhur

3 lugë gjelle gjalpë i shkrirë

2 vezë

rreth 3 filxhanë qumësht

2 lugë gjelle sheqer

Pakëz kripë

Përgatitja: Përzjeni miellin e hikrrës me një filxhan qumësht. Nxehni një filxhan tjetër me qumësht dhe shtojani përzierjes së mësipërme, duke e trazuar mirë. Kur ky brumë i hollë të jetë ftohur, hidhni pluhurin e majasë dhe përziejeni. Lëreni brumin të vijë derisa të dyfishohet.

Rriheni brumin me një lugë druri dhe ndërkohë shtoni kripën dhe sheqerin. Ndani të verdhat e vezëve nga të bardhat. Shtojini brumit të verdhat e vezëve, gjalpin e shkrirë të ngrohtë dhe miellin e grurit dhe përziejini mirë. Rrihni veçmas të bardhat e vezëve dhe shtojani brumit bashkë me aq qumësht sa nevojitet. Lëreni brumin të vijë përsëri.

Vini në zjarr një tigan për të skuqur dhe lyejeni me furçë me pak vaj ose gjalpë të shkrirë. Derdhni aq brumë blini sa të mbuloni tiganin me një shtresë sa më të hollë. Piqeni në temperaturë të ulët derisa pjesa e poshtme e blinit të marrë një ngjyrë si të praruar. Kthejeni përmbys blinin dhe piqeni edhe për 15 sekonda. Më pas hidheni në një pjatë dhe mbajeni blinin të ngrohtë ndërsa përsëritni hapat me brumin e mbetur. Shërbejini blinët të vendosur në shtresa njëri mbi tjetrin.