Gripi: Ç’dimë sot?
Gripi: Ç’dimë sot?
ËSHTË viti 1997. Një shkencëtar ndodhet në fshatin e vogël eskimez të Brevigit, në tundrën e akullt të Gadishullit Sjuard të Alaskës. Përpara tij është trupi i zhvarrosur i një të reje, që ai dhe katër ndihmësit e tij eskimezë e kanë nxjerrë nga ngrica e përhershme e tundrës. Ajo vdiq nga gripi spanjoll në vitin 1918 e që atëherë ka qenë e ngrirë nën tokë.
Ç’dobi do të ketë po të analizohet trupi i saj tani? Shkencëtari shpreson që shkaktari i gripit të jetë ende në mushkëritë e saj, e kështu nëpërmjet metodave të përparuara ku përdoret materiali gjenetik, ta veçojë e ta përcaktojë. Përse mund të jetë i dobishëm ky zbulim? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, nevojitet të kuptojmë pak më shumë se si veprojnë viruset e përse janë kaq të rrezikshme.
Një virus që mund të jetë vdekjeprurës
Sot e dimë që gripi shkaktohet nga një virus dhe se përhapet me anë të sekrecioneve të rrugëve të frymëmarrjes që dalin nëpërmjet kollës, teshtimës dhe spërklave gjatë të folurit. Ky virus qarkullon në të gjithë botën, madje dhe në tropikë, ku mund të sjellë sëmundje në çdo periudhë të vitit. Në hemisferën veriore, sezoni i gripit zgjat nga nëntori deri në mars, kurse në hemisferën jugore, nga prilli deri në shtator.
Virusi i gripit i tipit A, më i rrezikshmi i viruseve të gripit, është i vogël në krahasim me shumë viruse të tjera. Zakonisht ky virus ka formë sferike dhe zgjatime që dalin nga sipërfaqja e tij. Kur futet në qelizat e njeriut, ky virus riprodhohet kaq shpejt, saqë shpesh, brenda dhjetë orësh, nga qeliza shpërthen një mizëri me 100.000 deri në një milion «kopje» të këtij virusi.
Veçoria që e bën të frikshëm këtë organizëm të thjeshtë është aftësia e tij për të ndryshuar shpejt. Ngaqë virusi riprodhohet shpejt (shumë më shpejt se virusi i HIV-it), «kopjet» e tij të shumta nuk janë tamam njëlloj. Disa janë kaq të ndryshme, sa i shpëtojnë edhe sistemit imunitar. Ja përse çdo vit ndeshim viruse të ndryshme gripi, të cilat mbartin antigjene të reja—lëndë që vënë në provë imunitetin tonë. Nëse antigjeni ndryshon shumë, sistemi ynë imunitar nuk ka mbrojtje kundër tij, e kështu ekziston rreziku i një pandemie.
Për më tepër, viruset e gripit infektojnë edhe kafshët, dhe ky është një problem për njerëzit.
Mendohet se derri, mund të jetë bartës i viruseve që prekin shpendë të tillë, si pulat dhe rosat. Por mund të jetë edhe bartës i viruseve të tjera që prekin njerëzit.Kështu, nëse një derr infektohet nga të dy tipat e viruseve, nga ai që prek kafshët dhe ai që prek njerëzit, gjenet e të dy llojeve të viruseve mund të përzihen. Si pasojë mund të krijohet një virus gripi krejt i ri, që e gjen të papërgatitur imunitetin e njerëzve. Disa mendojnë se ka të ngjarë që fermat, ku shpendët, derrat, dhe njerëzit jetojnë afër me njëri-tjetrin, siç ndodh shpesh në Azi, të jenë burime të viruseve të reja të gripit.
Përse u bë kaq vdekjeprurës?
Pyetja është: përse virusi i gripit të viteve 1918-1919 u kthye në një vrasës të të rinjve duke shkaktuar pneumoninë? Ndonëse që nga ajo periudhë nuk ka mbetur gjallë asnjë virus i atij gripi, për shumë kohë shkencëtarët kanë menduar se po të gjenin një virus të ngrirë, do të mund të veçonin ARN-në e padëmtuar e do të zbulonin se përse ky lloj ishte kaq vdekjeprurës. Në fakt, deri diku kanë pasur sukses.
Falë virusit të ngrirë të zbuluar në Alaskë, siç folëm në fillim të artikullit, një grup shkencëtarësh arritën të përcaktonin dhe të gjenin renditjen e shumicës së gjeneve të virusit që shkaktoi gripin e viteve 1918-1919. Megjithatë, shkencëtarët ende nuk e kanë kuptuar se përse ai grip ishte kaq vrasës. Por, me sa duket, ai lloj ishte i ngjashëm me një virus gripi që infekton si derrat, ashtu edhe shpendët.
A mund të kthehet sërish?
Sipas shumë ekspertëve, çështja nuk është nëse do të kthehet një virus kaq i egër, por kur dhe si do të kthehet. Disa parashikojnë se pak a shumë çdo 11 vjet do të ketë një epidemi të re gripi dhe afërsisht çdo 30 vjet do të përhapet një epidemi e rëndë. Sipas këtyre parashikimeve, ka të ngjarë që së shpejti njerëzimi të kalojë një pandemi tjetër.
Revista mjekësore Vaccine thoshte në vitin 2003: «Kanë kaluar 35 vjet që nga pandemia e fundit e gripit dhe intervali më i gjatë mes pandemive, që është dokumentuar dhe dihet me siguri është 39 vjet.» Artikulli shtonte: «Virusi i pandemisë mund të shfaqet në Kinë ose në një vend aty afër e mund të përmbajë antigjene sipërfaqësore
ose faktorë të fuqishëm sëmundjeshkaktues me origjinë nga viruset e gripit të kafshëve.»Në artikullin e revistës Vaccine parashikohej për virusin: «Ai do të përhapet shpejt në mbarë botën. Do të ketë disa epidemi radhazi. Virusi do të përhapet në masë dhe do të prekë të gjitha grup-moshat. Në të gjitha vendet do të ketë mjaft probleme në ecurinë normale të veprimtarive shoqërore dhe ekonomike. Do të ketë një vdekshmëri të lartë në shumë grup-mosha, ndoshta në të gjitha. Është e pamundur që sistemi për kujdesin shëndetësor, madje edhe në vendet më të zhvilluara, të përballojë kërkesat për shërbime shëndetësore.»
Sa alarmuese është një situatë e tillë? Xhon M. Bari, autor i librit Gripi i madh (anglisht) thotë: «Një terrorist që mban një armë bërthamore është makthi i çdo politikani. Një pandemi e re gripi duhet të konsiderohet po njësoj.»
Çfarë kurash ka?
Ju mund të pyesni: «A ka kura të efektshme sot?» Në lidhje me këtë ka edhe lajme të mira, edhe të këqija. Antibiotikët mund të ulin vdekshmërinë nga pneumonitë bakteriale që vijnë si pasojë e gripit dhe disa ilaçe mund të bëjnë efekt ndaj disa virusesh gripi. Ka vaksina që mund të bëjnë efekt kundër një virusi të gripit, po të përcaktohet saktë lloji i virusit dhe nëse vaksina prodhohet në kohë. Ky ishte lajmi i mirë. Po i keqi?
Historia e vaksinave të gripit ka pasur të përpjeta por edhe të tatëpjeta, duke filluar që nga episodi famëkeq i gripit të derrave më 1976 e deri në krizën për vaksina në vitin 2004. Ndonëse mjekësia ka bërë përparime të mëdha që nga Luta I Botërore, mjekët ende nuk dinë ndonjë kurë për një virus të fuqishëm.
Prandaj, ekziston kjo pyetje shqetësuese: A mund të përsëritet prapë gjendja e viteve 1918-1919? Vini re çfarë thuhej në një botim të Institutit Kombëtar të Londrës për Kërkime Mjekësore: «Në disa aspekte, sot ekzistojnë rrethana të ngjashme me vitin 1918: për shkak të zhvillimit të transportit trafiku ndërkombëtar është tejet i ngarkuar, ka një sërë zonash lufte me problemet e pandashme të kequshqyerjes dhe higjienës së keqe. Gjithashtu, popullsia e botës ka arritur në gjashtë miliardë e gjysmë banorë dhe një pjesë e madhe e saj jeton në zona urbane, shumë prej të cilave kanë infrastruktura të rrënuara, për sa i përket sistemit të ujërave të zeza dhe plehrave.»
Një specialist i shquar në SHBA, nxjerr këtë përfundim: «E thënë thjesht, çdo vit na afron më shumë me pandeminë tjetër.» Por a do të thotë kjo se e ardhmja është e zymtë ose e pashpresë? Aspak.
[Figura në faqen 8]
Viruse të reja gripi mund ta kenë origjinën nga fermat
[Burimi]
BAY ISMOYO/AFP/Getty Images
[Figura në faqet 8, 9]
Virus gripi i tipit A
[Burimi]
© Science Source/ Photo Researchers, Inc
[Figura në faqen 9]
Studiuesit kanë analizuar lloje të virusit të viteve 1918-1919
[Burimi]
© TOUHIG SION/CORBIS SYGMA