Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I dënuar dy herë me 25 vjet punë të detyruar

I dënuar dy herë me 25 vjet punë të detyruar

I dënuar dy herë me 25 vjet punë të detyruar

TREGUAR NGA EFREM PLATONI

Nga fundi i vitit 1951 më dënuan për herë të dytë me 25 vjet në një kamp pune. Këtë radhë më çuan në kampin famëkeq sovjetik të Vorkutës, sipër Rrethit Polar Verior. Le t’ju shpjegoj se si përfundova atje dhe si shpëtova për një qime nga një fund i dhunshëm.

KAM lindur më 16 korrik 1920 në një familje të varfër në Besarabi, në një zonë që tani është Republika e Moldavisë. Babai vdiq pak kohë para se të lindja, kurse mamaja vdiq kur isha katër vjeç. Kështu ne gjashtë fëmijët mbetëm jetimë. U jam mirënjohës vëllezërve të mi më të mëdhenj që u bënë prindër për ne më të vegjlit.

Kur isha i ri, interesohesha shumë për gjërat fetare dhe përfshihesha në aktivitetet e kishës ortodokse vendëse. Por me kalimin e kohës mbeta i zhgënjyer nga kisha, sidomos nga priftërinjtë të cilët bekonin veprimtaritë e kombeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që filloi në shtator 1939.

Në fillim të viteve 40 shpërtheu lufta mes Rumanisë e Bashkimit Sovjetik, dhe Besarabia u gjend në mes. Gjenerali Jon Antonesku, që qeveriste Rumaninë në atë kohë, pushtoi përsëri Besarabinë. Autoritetet futën një formë stërvitjeje paraushtarake për burrat 20 vjeç e lart. Unë isha mes atyre që u thirrën. Stërvitjen e bënim në Borosen, jo larg nga fshati ku jetoja me Ollgën, time shoqe.

Mësoj të vërtetën biblike

Gjatë stërvitjes, një ditë kur po hanim drekë vura re një grup burrash që ishin zhytur në një bisedë të gjallë; shpejt mora vesh se ishin Dëshmitarë të Jehovait. Biseda e shkurtër që bëra me ta çoi në shumë biseda të tjera. Me kalimin e kohës kuptova me gëzim të madh se kisha gjetur të vërtetën biblike, për të cilën i fola Ollgës dhe prindërve të saj.

Biseda që tërhoqi interesin tim atë ditë, ishte në lidhje me çështjen e asnjanësisë. Dëshmitarët arritën në përfundimin se duhej të merrnin qëndrim për këtë çështje. Ata vendosën të merrnin pjesë në stërvitje, por nuk pranuan të bënin betimin e besnikërisë, pasi ishte një kërkesë për t’u thirrur ushtar.

I thashë Ollgës dhe prindërve të saj se edhe unë kisha ndër mend të mos e bëja këtë betim, dhe ata ma mbështetën vendimin. Kur erdhi koha për t’u thirrur ushtar, më 24 janar 1943, erdhi çasti për të bërë betimin e besnikërisë. Tetë prej nesh shkuam drejt priftërinjve që po rekrutonin burrat. Në vend që të bënim betimin, u thamë se nuk mund të merrnim pjesë në luftë ngaqë ishim asnjanës.

Na arrestuan dhe na çuan në rajonin e policisë në Borosen. Atje na rrahën aq mizorisht, saqë më pas gruaja mezi më njohu. Pastaj na transferuan në Kishinau (dikur Kishinev), qyteti kryesor i vendit, që të paraqiteshim përpara një gjykate ushtarake.

Na u desh të ecnim në këmbë rreth 140 kilometra, që i bëmë për 21 ditë nga i ftohti i hidhur. Që të tetë na kishin lidhur së bashku me zinxhirë dhe na shoqëronin ushtarë të armatosur që nuk na jepnin as për të ngrënë e as për të pirë. Sa herë mbërrinim në një rajon policie, na rrihnin. Dhe gjatë udhës ndalëm në 13 rajone. Mbijetuam ngaqë banorët vendës na jepnin për të ngrënë e për të pirë në rajonet ku kalonim natën. Nga aktet e tyre të dashamirësisë kuptuam se Perëndia po kujdesej për ne.

Të mbështetur pavarësisht nga shkurajimi

Ndërsa ishim në arrest në Kishinau dhe po pritnim gjyqin ushtarak, që të tetë na keqtrajtuan në mënyrë të tmerrshme. Në përpjekje për të na e dobësuar besimin, autoritetet na thanë se Dëshmitarët nga Zejkani, një fshat në veri të Moldavisë, kishin mohuar besimin dhe i kishin lënë të ktheheshin në shtëpi. Më vonë morëm vesh se vetëm sa i kishin çuar në shtëpi në pritje të procesit gjyqësor. Po ashtu një polic citoi një artikull gazete dhe tha se një gjykatë ushtarake në Ukrainë kishte dënuar me vdekje 80 Dëshmitarë.

Disa nga ne të tetë po shkurajoheshin dhe mendonin se nuk do t’i shihnin më fëmijët. Na kishin premtuar se, po të mohonim besimin, do të na linin të lirë. Që të mendonim për të ardhmen tonë, na çuan të gjithëve në shtëpi për një javë që të rrinim me familjen. Më pas, vetëm tre prej nesh qëndruam të vendosur për të mbetur asnjanës.

Më 20 shkurt 1943 më morën në të njëjtin rajon policie në Borosen ku më parë më kishin rrahur keq. Atje takova dy Dëshmitarët e tjerë që kishin mbajtur të njëjtin qëndrim. Sa të gëzuar ishim kur u takuam përsëri! Më vonë na morën në Belc me një karrocë që tërhiqej nga kuaj. Gjatë udhëtimit u sëmura rëndë, por kjo gjë doli një bekim, sepse pjesën tjetër të rrugës për në Kishinau e bëmë me autobus.

Kur mbërritëm, rojat na njohën si ata të tre që nuk kishin ndryshuar qëndrim. Si fillim na rrahën përsëri. Një muaj më vonë na dënuan 25 vjet në një kamp pune në Rumani.

Pagëzohem në një krater bombe

Përfundimisht na çuan në Kuzhir të Rumanisë, ku punuam për të prerë pemë në pyll. Po të arrinim një normë të caktuar, na jepnim paksa më shumë ushqim. Grupi ynë me dhjetë Dëshmitarë ishte i zellshëm, prandaj hanim më mirë se në burgjet ku kishim qenë.

Më 1944 forcat amerikane filluan të bombardonin zonën afër kampit ku ishim ne. Një ditë një bombë bëri një krater të stërmadh pranë një përroi të vogël. Krateri nisi të mbushej me ujë dhe shumë shpejt u formua një pellg i madh. Atje, në shtator 1944 u pagëzova në simbol të kushtimit që i kisha bërë Perëndisë Jehova më shumë se një vit e gjysmë më parë.

Më në fund të lirë!

Pak javë më vonë ushtria ruse liroi qindra Dëshmitarë në të gjithë zonën, dhe kështu mundëm të ktheheshim në shtëpi. Për herë të parë pashë tim bir, Vasilin, i cili kishte lindur më 1943 kur isha në kampin e punës.

Në kohën kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi në Evropë në maj 1945, Besarabinë e kishte aneksuar Bashkimi Sovjetik dhe ishte bërë Republika Socialiste Sovjetike Moldave. Autoritetet nuk morën menjëherë masa kundër veprimtarive tona të krishtere. Megjithatë, ata vunë re se ne nuk votonim dhe shteti sovjetik e interpretoi këtë si një shkelje shumë të rëndë.

Në vitin 1946 lindi djali ynë i dytë Paveli dhe më 1947 vajza jonë Maria. Sa kënaqeshim duke jetuar bashkë si familje! Por rreth dy vjet më pas na goditi një tragjedi. Maria e vogël u sëmur dhe vdiq papritur. E varrosëm më 5 korrik 1949. Por ky ishte vetëm fillimi i brengave tona.

Na internojnë në Siberi

Vetëm disa orë pas varrimit të Marisë, në të gdhirë na zgjuan tre ushtarë. Na njoftuan se do të na internonin për shkak të «sjelljes sonë antisovjetike». Na lanë të merrnim ca ushqime e rroba dhe më 6 korrik 1949 na transportuan rreth 4.000 kilometra larg në Kurgan të Siberisë, pikërisht në veri të Kazakistanit.

Udhëtimi zgjati 18 ditë. Na transportuan si gjedhët, në vagonë mallrash. Gjatë udhës na dhanë nga pak ushqim vetëm dy herë. I përdorëm me kujdes ushqimet që kishim marrë nga shtëpia, dhe kështu ato zgjatën për gjithë udhëtimin. Të gjithë në vagonin tonë ishin Dëshmitarë të Jehovait. Çdo ditë qëndronim aktivë frymësisht duke bërë shumë biseda biblike. Gjëja më e çmuar që kishim ishte një kopje e Shkrimeve të Shenjta.

Kur së fundi mbërritëm në Kurgan, vërejtëm që, ndonëse jetonim në kampe pune, kishim pak liri lëvizjeje. Unë punoja te një kovaç dhe mund t’u flitja punëtorëve të tjerë për shpresën e bazuar në Bibël. Dy vjet më pas, më 27 shtator 1951, më arrestuan dhe më çuan përsëri në gjyq. Prokurori paraqiti 18 veta që thanë se unë kisha thënë se shteti do të shkatërrohej. Në të vërtetë kisha përdorur profecinë te Danieli 2:44 për të treguar se tërë qeveritë njerëzore do të zëvendësohen nga Mbretëria e Perëndisë.

Përveç kësaj autoritetet kishin rrëmuar në banesat tona dhe kishin gjetur një revistë Kulla e Rojës që ishte sjellë fshehurazi nga Moldavia. Zakonisht autoritet gjenin ose kopje të revistave të shkruara me dorë, ose riprodhime të bëra në vend. Por kjo revistë ishte prodhuar jashtë Bashkimit Sovjetik. Prandaj më dënuan për herë të dytë me 25 vjet punë të detyruar. Këtë herë më çuan të punoja në minierat e qymyrit në Vorkutë, një kamp famëkeq pune në skajin verior të Uraleve, sipër Rrethit Polar Verior.

I shpëtoj vdekjes në Vorkutë

Vorkuta ishte një kompleks i stërmadh burgjesh që përbëhej nga 60 kampe pune. Vetëm në kampin tonë kishte më tepër se 6.000 veta. Ndërthurja e temperaturave nën zero me kushtet çnjerëzore të jetesës dhe me punën nën tokë në minierë, solli si pasojë vdekjen e shumë vetave. Çdo ditë kishte njerëz që duheshin varrosur. Shëndeti im u keqësua shumë, prandaj nuk mund të bëja punë të rënda. Më caktuan një të ashtuquajtur punë më të lehtë, të ngarkoja me lopatë vagonët me qymyr.

Kushtet në Vorkutë ishin kaq të këqija, saqë minatorët organizuan një grevë, por ajo u shndërrua në një revoltë të përgjithshme. Minatorët madje krijuan administratën e tyre dhe organizuan një forcë prej 150 vetash që t’u rezistonte trupave nëse do të vinin. Ata donin që unë dhe rreth 30 Dëshmitarë të ishim pjesë e «ushtrisë» së tyre. Por ne nuk pranuam.

Revolta zgjati dy javë, derisa mbërritën forca të armatosura që i vranë të gjithë rebelët. Na thanë se rebelët kishin bërë plan të na varnin mu te vendi i punës. Shyqyr planet nuk u vajtën mbarë. Kur mendojmë për përpjekjet e vazhdueshme të sovjetikëve për të na thyer besimin, mund ta kuptoni përse meritën që mbijetuam ia dhamë Perëndisë tonë të madh, Jehovait.

Mundësinë për të qenë pak më të lirë e shfrytëzojmë plotësisht

Vdekja e Stalinit në mars 1953 solli një ndryshim për mirë në situatën tonë. Më 1955 u lirova nga kampi i Vorkutës dhe më lanë të kthehesha te familja, e cila banonte ende në kampin e pyjeve në Kurgan. Atje vazhduam t’u jepnim dëshmi vendësve në lidhje me shpresën tonë të mrekullueshme.

Në vitin 1961 dëshironim të transferoheshim në një territor të ri predikimi. Kështu i shkruam një letër udhëheqësit të vendit, Nikita Hrushovit, e i kërkuam që të na lejonin të transferoheshim, meqë nuk kishte shkolla për fëmijët, dhe kjo ishte e vërtetë. Na dhanë leje të transferoheshim në qytezën e Makushinos, ku edhe aty kishte një kamp pune. Sa gëzim provuam që atje ndihmuam katër familje të mëdha të bëheshin shërbëtorë të kushtuar të Jehovait!

Së fundi më 1965 më liruan nga ky kamp. Megjithëse ende nuk na lanë të ktheheshim në Moldavi, mund të lëviznim kudo gjetkë në Bashkimin Sovjetik. Vitin vijues shkuam në Kustanaj (dikur Kustanai), në Kazakistan, ku tashmë kishte dy kongregacione me Dëshmitarë. Meqë më vonë në këtë territor jepej shpesh dëshmi, tre vjet më pas u vendosëm në Çirçik të Uzbekistanit. Në atë kohë djemtë tanë, Vasili dhe Paveli, ishin martuar. Prandaj u përqendruam në rritjen frymore të fëmijëve të tjerë: Dumitru, 10-vjeçar, dhe Ljuba, 7-vjeçare.

Banuam në Uzbekistan dhjetë vjet dhe gjatë kësaj kohe mundëm të ndihmonim të tjerë që të njihnin Jehovain. Më 1979 shkuam më shumë se 1.600 kilometra më në perëndim, në qytetin e Krasnodarit pranë Detit të Zi në jug të Rusisë. Atje unë dhe Ollga shërbyem dy vjet në shërbimin e plotkohor si pionierë dhe arritëm të ndihmonin të tjerë që të bëheshin Dëshmitarë.

Kthehemi në Moldavi

Më në fund, gjatë verës së vitit 1989, 40 vjet pasi na kishin çuar në mërgim, vendosëm të ktheheshim në shtëpi në Moldavi. Menjëherë u bëmë përsëri pionierë dhe shërbyem si të tillë deri në vitin 1993. Këtu mundëm të ndihmonim 30 veta që të bëheshin Dëshmitarë aktivë të Jehovait. Më gufon zemra nga gëzimi kur mendoj se sa shumë na ka bekuar Jehovai si familje! Por, mjerisht gruaja ime e shtrenjtë vdiq në maj të vitit 2004.

Megjithatë ngushëllohem që, të katër fëmijët, si edhe 14 nipër dhe 18 stërnipër janë shërbëtorë aktivë të Jehovait. Është e vërtetë se kemi bërë një jetë të vështirë, por sa e mrekullueshme është të dimë se Jehovai na ndihmoi t’i qëndrojmë besnikë gjatë sprovave!

Tani që jam plakur, shëndeti i dobët dhe mosha e thyer kanë kufizuar atë që mund të bëj në shërbim të Jehovait. Gjithsesi bëj gjithçka mundem. Kam mësuar se çfarëdo vështirësie që të hasim në jetë, Jehovai është gjithnjë pranë për të na dhënë forcën dhe inkurajimin që na nevojitet. *

[Shënimi]

^ par. 42 Efrem Platoni vdiq më 28 korrik 2005, teksa ky artikull po përgatitej për t’u botuar.

[Figura në faqet 14, 15]

Dëshmitarë të Jehovait në kampin e punës në Vorkutë

[Figura në faqen 15]

Me Ollgën më 2002