Murtaja më e keqe në histori
Murtaja më e keqe në histori
NË TETOR të vitit 1918 bota ishte ende në valën e Luftës I Botërore. Ndonëse po afrohej fundi i luftimeve, lajmet censuroheshin ende. Prandaj i mbeti Spanjës, një vendi që nuk mori pjesë në luftë, të njoftonte se në shumë vende civilët po sëmureshin dhe po vdisnin me ritme alarmuese. Nga këto rrethana, kjo sëmundje mori edhe emrin që do t’i mbetej gjithmonë—gripi spanjoll.
Pandemia * filloi në mars të vitit 1918. Shumë kërkues thonë se origjina e saj ishte në shtetin e Kanzasit, SHBA. Me sa duket, që andej u përhap në Francë nga ushtarët e sapoardhur amerikanë. Pas rritjes së menjëhershme të numrit të vdekjeve nga gripi, aty nga korriku i vitit 1918, u duk sikur më e keqja kishte kaluar. Në atë kohë, mjekët nuk e dinin se epidemia vetëm sa po mblidhte forcat për t’u bërë një vrasëse më e fuqishme.
Kur Lufta I Botërore përfundoi më 11 nëntor 1918, bota u gëzua. Si për ironi, pothuajse në të njëjtën kohë, kjo murtajë shpërtheu në mbarë botën. Ishte një përbindësh që zuri vendin kryesor në gazetat e botës. Pak veta që jetonin në atë kohë shpëtuan pa u prekur dhe të gjithëve u kishte hyrë frika. Një autoritet i shquar në fushën e studimit të gripit tha: «Në vitin 1918, jetëgjatësia mesatare në Shtetet e Bashkuara ra më shumë se 10 vjet.» Nga ndryshonte kjo murtajë nga të tjerat?
Një murtajë e pashoqe
Një nga ndryshimet më alarmuese ishte befasia me të cilën të zinte ky grip. Sa i befasishëm ishte? Në një libër të kohëve të fundit, Gripi i rëndë (anglisht), autori Xhon M. Bari përmend diçka të regjistruar nga kjo periudhë: «Në Rio-de-Zhanejro, një burrë pyeti për diçka Siro-Viera da Kunjën, student për mjekësi, teksa priste tramvajin. Zëri i atij burri ishte krejt normal, pastaj, befas u plandos përtokë i vdekur; në Kejptaun, Afrika e Jugut, Çarls Luisi hipi në tramvaj për të udhëtuar pesë kilometra për në shtëpi. Sapo Çarlsi hipi, fatorinoja ra i vdekur. Ato pesë kilometra, gjashtë veta që ishin në tramvaj vdiqën, duke përfshirë edhe shoferin.» Të gjithë vdiqën nga gripi.
Një veçori tjetër e kësaj murtaje ishte frika—frika nga e panjohura. Shkenca nuk e dinte shkakun e kësaj sëmundjeje ose si përhapej ajo. U morën masa detyruese për shëndetin publik: u vendos karantina në porte; u mbyllën kinematë, kishat dhe vendet e tjera ku mblidheshin njerëz. Për shembull, në San-Françisko, Kaliforni, SHBA, zyrtarët u dhanë urdhër të gjithë njerëzve që të mbanin maska nape. Çdokush që kollitej në publik dhe nuk kishte maskë, gjobitej ose futej në burg. Por dukej sikur gjithçka ishte e kotë. Këto masa nuk mjaftonin dhe tashmë ishte tepër vonë.
Frika ekzistonte edhe sepse gripi i zinte njerëzit pa dallim. Për arsye që ende mbeten të mjegullta, pandemia e vitit 1919 nuk prekte
kryesisht të moshuarit; ajo zinte të rinj me shëndet të fortë dhe i vriste. Shumica e tyre që vdiqën nga gripi spanjoll ishin nga mosha 20 deri në 40 vjeç.Për më tepër, ishte një epidemi mbarëbotërore. Madje arriti deri në ishujt tropikalë. Më 7 nëntor 1918, ky grip arriti me anije edhe në Samoan Perëndimore (sot njihen si Ishujt Samoa), dhe brenda dy muajsh, vdiq rreth 20 për qind e popullsisë prej 38.302 banorësh. Gripi goditi keqas çdonjërin prej qyteteve të mëdha të botës.
Gjithashtu, veç këtyre ishin edhe përmasat që mori kjo murtajë. Për shembull, sëmundja u përhap qysh në fillimet e saj në Filadelfia, Pensilvani, SHBA, dhe e goditi mjaft rëndë këtë vend. Nga mesi i tetorit të vitit 1918, mezi gjendeshin arkivole. «Një zanatçi tha se po të kishte, mund të shiste edhe 5.000 arkivole në dy orë. Ndonjëherë morgu i qytetit kishte dhjetë herë më shumë kufoma sesa arkivole»,—thotë historiani Alfred U. Krosbi.
Brenda një kohe të shkurtër, gripi vrau më shumë njerëz se çdo pandemi tjetër e këtij lloji në gjithë historinë e njerëzimit. Sipas një llogaritjeje të përgjithshme, numri i të vdekurve në botë ishte 21 milionë, por sot disa specialistë thonë se kjo shifër është më e ulët sesa shifra e saktë. Disa epidemiologë thonë se ka më shumë të ngjarë që numri i të vdekurve të ishte 50 milionë a ndoshta 100 milionë. Xhon Bari, i përmendur më sipër, thotë: «Më shumë njerëz vrau gripi brenda një viti, sesa vrau brenda një shekulli Vdekja e Zezë e mesjetës; më shumë njerëz vrau ai për njëzet e katër javë, sesa ka vrarë SIDA në njëzet e katër vjet.»
Është e pabesueshme, por vdiqën më shumë amerikanë brenda një viti nga gripi spanjoll, sesa u vranë gjatë betejave të dy luftërave botërore të marra së bashku. Shkrimtarja Xhina Kolata thotë: «Nëse sot do të ndodhte një murtajë e tillë e do të vriste të njëjtën përqindje të popullsisë së SHBA-së, do të vdisnin 1,5 milionë amerikanë. Ky numër është më i madh se numri i atyre që vdesin në një vit nga sëmundjet e zemrës, kanceri, hemorragjia cerebrale, sëmundjet kronike të mushkërive, SIDA dhe Alcajmeri të marra së bashku.»
Me pak fjalë, gripi spanjoll ishte pandemia më shkatërrimtare në historinë e njerëzimit. Çfarë ndihme dha shkenca?
Shkenca ishte e pafuqishme
Nga fillimi i Luftës I Botërore, dukej se mjekësia kishte përparuar shumë në luftën kundër sëmundjeve. Edhe gjatë luftës, mjekët krenoheshin me arritjet e tyre në pakësimin e pasojave të sëmundjeve ngjitëse. Në atë kohë, revista The Ladies Home Journal thoshte se familjet amerikane nuk kishin më nevojë për një dhomë ku të mbanin të vdekurin për përshëndetjen e fundit para varrimit. Prandaj sugjerohej që kjo dhomë të përdorej nga të gjallët. Por ja tek erdhi gripi spanjoll, dhe shkenca ishte krejt e pafuqishme.
Krosbi shkruan: «Të gjithë mjekët e vitit 1918 ishin pjesëtarë në dështimin më të madh të mjekësisë në shekullin e njëzetë, e po të bazohemi në numrin e të vdekurve, në dështimin më të madh të të gjitha kohëve.» Që të mos ia hidhte gjithë fajin mjekëve, Bari përmend: «Në atë kohë, shkencëtarët e kuptonin mirë se sa e rrezikshme ishte sëmundja, dinin si të kuronin shumë pneumoni me origjinë bakteriale që linte gripi dhe dhanë një këshillë për shëndetin publik që mund të kishte shpëtuar dhjetëra mijë amerikanë. Politikanët e shpërfillën këtë këshillë.»
Po tani, gati 85 vjet më vonë, ç’kemi mësuar për këtë pandemi të tmerrshme? Nga se u shkaktua? A mund të kthehet sërish? A do ta luftonim dot nëse do të përsëritej? Disa nga përgjigjet mund t’ju befasojnë.
[Shënimi]
^ par. 3 Epidemia është përhapja në masë e sëmundjes në një vend të caktuar—në një fshat, qytet ose në të gjithë vendin. Një pandemi është një epidemi globale.
[Diçitura në faqen 6]
Shumica e tyre që vdiqën nga gripi spanjoll ishin nga mosha 20 deri në 40 vjeç
[Figura në faqen 4]
Klasë shkolle e vitit 1919, Kenion Siti, Kolorado, SHBA
[Burimi]
Me mirësjelljen e Shoqatës Historike të Kolorados, 10026787
[Figura në faqet 4, 5]
Polic
[Burimi]
Fotografi nga Topical Press Agency/Getty Images
[Figura në faqen 5]
Lojtarë bejzbolli që kanë vënë maska mbrojtëse
[Burimi]
© Underwood & Underwood/CORBIS