Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Kafsha më e preferuar në botë
«Qeni mbase është miku më i mirë i njeriut, por ama, kafsha më e preferuar në botë është tigri»,—thuhet në The Independent të Londrës. Pas një serie dokumentarësh, ku secili fliste për një nga dhjetë kafshë, u bë një sondazh me 52.000 veta nga 73 shtete. Si përfundim, në vend të parë doli tigri me 17 vota më shumë se qeni. Në vend të tretë vinte delfini, i pasuar nga kali, luani, gjarpri, elefanti, shimpanzeja, orangutangu dhe balena. Dr. Kandi d’Sa, që studion sjelljen e kafshëve, shpjegoi se njerëzve «u pëlqen tigri, ndoshta sepse ka pamje të egër e autoritare, por përbrenda është fisnik dhe i mprehtë. Nga ana tjetër, qeni është besnik dhe i bindur ndaj të zotit, e kështu nxjerr në pah anën miqësore të natyrës njerëzore.» Mbrojtësit e mjedisit dhe të kafshëve e ‘duartrokitën’ fitoren e tigrit. Kalum Rankini, nga Shoqata Botërore për Natyrën, tha: «Nëse njerëzit e votojnë tigrin si kafshën e tyre të preferuar, kjo tregon se e kuptojnë vlerën e tij, e po ashtu, shpresojmë të kuptojnë edhe nevojën që të sigurohet mbijetesa e tij.» Është llogaritur se në natyrë kanë mbetur vetëm rreth 5.000 tigra.
Mikrobet e gojës dhe shëndeti
«Goja është një ekosistem i ndërlikuar,—thuhet në revistën Science.—Gjatë 40 viteve të fundit, biologët që studiojnë mikroorganizmat e gojës, kanë marrë në shqyrtim mikrobet e panumërta që gjenden me bollëk nëpër dhëmbë e përreth tyre, në mishin e dhëmbëve dhe në gjuhë.» Prej kohësh biologët e dinë se bakteret që gjenden zakonisht në gojë, mund të lëvizin dhe të krijojnë shqetësime në pjesë të tjera të trupit. Tashmë dihej që problemet e zemrës lidheshin me një bakter oral, dhe studimet tregojnë se një tjetër bakter ndikon në lindjet e parakohshme. Sigurisht, bakteri i dëmshëm bën çmos të dëmtojë drejtpërdrejt. Nëse ato shumohen shpejt dhe tejkalojnë bakteret e dobishme që gjenden në gojë, pasojat do të jenë kariesi, gjakrrjedhje nga mishrat e dhëmbëve dhe era e keqe e gojës. «Në çdo dhjetë veta mbi 65 vjeç, treve u bien të gjithë dhëmbët,—thuhet në raport.—Në Shtetet e Bashkuara, gjysma e të rriturve kanë probleme me mishrat ose u prishen dhëmbët.» Duke studiuar këto baktere, studiuesit shpresojnë të përgatitin «pasta dhëmbësh që parandalojnë vetëm mikrobet e dëmshme, në vend se të dëmshmet dhe të dobishmet bashkë».
Zakonet e gjumit
«Një sondazh botëror për zakonet e gjumit zbuloi se aziatikët bien të flenë shumë vonë, më vonë sesa shumica e amerikanëve dhe e evropianëve, dhe ngrihen herët në mëngjes»,—raporton kanali i lajmeve Alxhazira. Mbi 14.000 njerëz në 28 vende u pyetën se në ç’orë flenë zakonisht dhe kur ngrihen. Në Portugali, 3 në 4 veta shkojnë në shtrat pas mesnatës. Aziatikët ngrihen më herët nga të gjithë, pastaj vijnë indonezianët «ku 91 për qind thanë se çohen në 7 të mëngjesit». Japonezët flenë më pak. Mbi 40 për qind e tyre bëjnë gjashtë orë gjumë ose më pak. Në skajin tjetër të listës janë australianët. Jo vetëm që kanë numrin më të madh të atyre që shkojnë në shtrat përpara orës 10 të darkës, por gati një e treta e të intervistuarve thanë se flenë mesatarisht mbi nëntë orë çdo natë.
Mjaft me duhanin!
«Gati gjysma deri dy të tretat e gjithë duhanpirësve do të vdesin për shkak të këtij vesi»,—thotë një raport i BMJ, një revistë mjekësore britanike. Studiuesit vërejtën se duhani ishte më i rrezikshëm seç mendonin më parë. Gjithashtu, panë se ai hedh tej çdo dobi që duhanpirësit mund të kenë marrë «nga përpjekjet në përgjithësi për zgjatjen e jetës gjatë 50 viteve të shkuara». Studimi tregoi se 70-vjeçarët që nuk pinin duhan, kishin 33 për qind mundësi më shumë të arrinin moshën 90-vjeçare, ndërsa numri i duhanpirësve që bëheshin kaq vjeç, ishte zvogëluar nga 10 deri 7 për qind. «Mesatarisht, ata që pinë duhan, vdesin 10 vjet më parë sesa ata që nuk e pinë»,—thuhet në artikull, dhe heqja dorë nga ky ves, mund të zgjatë jetën. Sa më shpejt të lihet duhani, aq më mirë është. U zbulua se te 50-vjeçarët që e lënë duhanin, rreziku zvogëlohet me 50 për qind, dhe ata që e lënë në moshën 30-vjeçare, mund t’i shmangin pothuajse të gjithë faktorët e rrezikshëm.
Mungesë njohurie për Biblën
Gazeta londineze The Guardian thotë se në Britani, një sondazh i bërë kohët e fundit në Internet nga kompania JuGëv, «zbuloi se mbi një e katërta e atyre që u intervistuan, nuk e dinin se Betlehemi ishte vendlindja e Jezu Krishtit. Vetëm tre të katërtat e dinin se Jezui ishte hebre». Kur i pyetën për Dhjetë Urdhërimet, gati gjysma e tyre mendonin se urdhërimi i gjashtë, «Mos vrit», lidhej më shumë me situatën në ditët tona. Dukej se më pak i rëndësishëm ishte urdhërimi i parë, që, sipas Përkthimit Bota e Re, thotë: «Unë jam Jehovai, Perëndia yt . . . Mos ki perëndi të tjera përveç meje.»—Dalja 20:2, 3.
Po varfërohen burimet e tokës
«Dy të tretat e burimeve të planetit tonë, që nga burimet e energjisë, ujërat e ëmbla dhe ajri i pastër, janë shteruar ose ndotur në një masë të madhe»,—raportohet në Daily News të Nju-Jorkut. Një studim, «i përgatitur nga 1.360 specialistë nga 95 vende», u përqendrua te dëmi që i ka shkaktuar njeriu ekosistemeve gjatë 50 viteve të shkuara. «Aktiviteti njerëzor po i ‘stërmundon’ kaq shumë funksionet natyrore të Tokës, saqë ekosistemet e saj zor se do t’i mbështetin brezat e ardhshëm»,—përfundon raporti. I mbështetur nga Kombet e Bashkuara dhe nga Banka Botërore, raporti paralajmëronte se me kalimin e kohës, disa sisteme natyrore do të pushojnë së funksionuari dhe kjo do të sjellë si pasojë shpyllëzime, sëmundje ose «zona të vdekura» nëpër oqeane.
«Kujdes si i nënës-kangur»
«Bebet që marrin kujdesin si atë të nënës-kangur, flenë më shumë, marrim frymë më mirë dhe shtojnë më shpejt në peshë»,—thotë gazeta angleze që del në Japoni Daily Yomiuri. Çfarë është «kujdesi si i nënës-kangur»? Do të thotë thjesht që nënat ose baballarët shtrihen me kurriz dhe i mbajnë foshnjat mbi kraharor një ose dy orë çdo ditë. Tojoko Uatanabeja, shefe e repartit të të sapolindurve në Spitalin Bokuto në Tokion Metropolitane, tha: «Kujdesi si i nënës-kangur filloi në Kolumbi si një masë urgjente, pasi nuk kishte inkubatorë. UNICEF-i vuri re se numri i vdekjeve të bebeve që lindin para kohe, ra, dhe koha e ndenjes shtruar në spital u zvogëlua.» Tani, thotë gazeta, «ky lloj kujdesi po përhapet mjaft në vendet e zhvilluara si për bebet që lindin para kohe, ashtu edhe për ato që lindin normalisht». Kontakti me trupin e nënës ose të babait ka shumë dobi, dhe njëra është se prindërit lidhen me foshnjat e tyre. Për më tepër, nuk kushton asgjë dhe nuk kërkon ndonjë pajisje të veçantë.