Pandemitë: Ç’do të sjellë e ardhmja?
Pandemitë: Ç’do të sjellë e ardhmja?
DISA njerëzve që kanë studiuar pandeminë e gripit të viteve 1918-1919 u janë kujtuar menjëherë fjalët e profecive të Biblës. Për shembull, në librin e saj Gripi: Historia e pandemisë së madhe të gripit të vitit 1918 dhe kërkimet për virusin që e shkaktoi (anglisht), Xhina Kolata thotë: «Ata e quajtën murtaja e gripit të vitit 1918, por ndryshonte nga çdo grip që ishte parë ndonjëherë. Ishte më shumë sikur po plotësohej një profeci biblike.»
A thotë me të vërtetë Bibla diçka që lidhet me këtë katastrofë që përjetoi njerëzimi? Po, thotë.
Profecitë biblike dhe murtajat
Dishepujt e Jezu Krishtit i kërkuan një shenjë të «përfundimit të sistemit». (Mateu 24:3) Jezui iu përgjigj duke u thënë: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, do të ketë tërmete të mëdha, murtaja . . . nga njëri vend në tjetrin.» (Luka 21:7, 10, 11) Gjithashtu, Bibla parathotë se gjatë kohës së fundit do të ketë «plagë vdekjeprurëse».—Zbulesa 6:8.
Epidemia e gripit spanjoll filloi aty nga fundi i Luftës së Madhe (1914-1918), e cila më vonë u quajt Lufta I Botërore. Kjo periudhë ishte fillimi i plotësimit të profecive biblike lidhur me «ditët e fundit». Këto profeci përmendin mungesa të tmerrshme ushqimi, tërmete të mëdha, rritje të paligjshmërisë dhe rënie të ndjeshme të vlerave morale. Pa dyshim, që ju jeni mjaft të vetëdijshëm për këto kushte që shihen sot në botë.—Mateu 24:3-14; 2 Timoteut 3:1-5.
Plotësimi i profecive që përfshijnë ‘murtaja’ dhe ‘plagë vdekjeprurëse’ ka sjellë frikë pa masë, mjerime dhe vdekje. E sipas revistës Mikrobet dhe Infeksionet (anglisht), «nuk ka arsye për
të menduar se në të ardhmen nuk do të ketë më pandemi. Një gjë e tillë duket e pashmangshme.»Rreziku vazhdon
Në prill të vitit 2005, revista Shfaqen sëmundje ngjitëse (anglisht) tha: «Dikur njerëzit optimistë mendonin se rreziku i sëmundjeve ngjitëse të rënda tashmë do të ishte zhdukur.» Megjithatë, revista shton se «sëmundjet ngjitëse kanë vazhduar të shfaqen e të rishfaqen». Revista Natyra (anglisht) e 8 korrikut 2004 përmend pasojat: «Rreth 15 milionë . . . vdekje që ndodhin çdo vit në mbarë botën, vijnë drejtpërdrejt nga sëmundjet ngjitëse.»
«Shfaqja e SIDA-s i bëri njerëzit sërish të vetëdijshëm për pasojat e sëmundjeve ngjitëse dhe për faktin që ato janë të pashmangshme»,—thotë revista Natyra. «Në 45 vendet më të prekura,—thotë UNAIDS, një program për SIDA-n i sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe grupe të tjera,—parashikohet që në periudhën 2000-2020, të vdesin para kohe nga SIDA 68 milionë veta.»
Gjatë 25 viteve të kaluara, SIDA ka qenë një murtajë shkatërrimtare që ka vrarë më shumë se 20 milionë veta. Por gripi spanjoll bëri kërdinë në pak më shumë se një vit. Sot, sipas paralajmërimeve të përsëritura, duket se bota ka shumë kohë që pret shfaqjen e një forme virale gripi për të cilën nuk është e përgatitur.
Më 19 maj 2005, Rrjeti Paralajmërues Rojters paralajmëroi se do të dilnin vazhdimisht viruse të reja gripi, duke shtuar se këto «përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm dhe gjithnjë e më të madh për përhapjen e pandemive». Gazeta The Wall Street Journal që kishte dalë një ditë përpara, thoshte: «Virusi i gripit të shpendëve që po vepron tani në Azi, njihet si H5N1 dhe për herë të parë u diktua në tregjet e mishit të shpendëve në Hong-Kong më 1997. Ka një fuqi të jashtëzakonshme për të shkaktuar sëmundje—vret 80% të atyre që prek.» Thuhet se virusi mund të infektojë njerëzit që bien në kontakt me kafshët e infektuara.
E ardhmja—E zymtë apo e shkëlqyer?
Perspektiva jonë për një të ardhme pa sëmundje mund të mos duket shpresëdhënëse. Kur Jezu Krishti foli për murtajat e ditëve të fundit, ai sigurisht tregoi se kjo do të sillte shqetësime. Megjithatë, Bibla na jep edhe shpresë. Për shembull, Perëndia i bëri një premtim Noesë dhe familjes së tij para Përmbytjes së botës. Së pari, ai e paralajmëroi Noenë për përmbytjen që po afrohej, por pastaj i tha të ndërtonte një arkë, ku ai dhe të tjerët të gjenin mbrojtje. (Zanafilla 6:13, 14; 7:1) Apostulli Pjetër shpjegoi se «Perëndia priste me durim në ditët e Noesë, ndërsa ndërtohej arka» dhe kur arka përfundoi, të mbijetuarit «shpëtuan nëpërmjet ujit».—1 Pjetrit 3:20.
Jezu Krishti, i cili paratha shumë gjëra për kushtet që shohim sot në botë zbuloi se koha jonë ngjan me kohën e Noesë. Ata që kanë besim te Perëndia siç kishte Noeja, kanë perspektivën për të shpëtuar nga shkatërrimi i madh. (Luka 17:26, 27) Gjoni, një apostull i Jezuit, shkroi: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.»—1 Gjonit 2:17.
Pra, sistemi i tanishëm do të marrë fund. Por çfarë jete do të bëjnë të mbijetuarit? Apostullit Gjon iu dha një vegim për kushtet e mrekullueshme që do të ekzistojnë në tokë kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë: «[Perëndia] do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4.
E ardhmja juaj nuk ka pse të jetë e zymtë. Nëse mësoni për Perëndinë dhe krijoni besim të plotë tek ai, ju pret një e ardhme e shkëlqyer. Perëndia na bën një premtim të sigurt se në botën e tij të re, të vdekurit do të ringjallen. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Edhe murtajat do të zhduken përgjithmonë. Në një profeci që do të përmbushet në botën e re, Bibla premton: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.
[Figura në faqen 10]
Bibla premton një botë të re ku «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë’»