Shkëmbi Bas: Atje ku mblidhen sulat e detit
Shkëmbi Bas: Atje ku mblidhen sulat e detit
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI
SHKËMBI gjigant Bas arrin një lartësi rreth 110 metra dhe, po t’i biesh përqark, është afro 2 kilometra. Është ishull i vogël në brigjet e Skocisë, në verilindje të Edinburgut, në hyrje të gjirit Fert-of-Fort. Atje e kanë shtëpinë gati 100.000 sula të veriut, pra një e dhjeta e popullatës botërore të këtij shpendi mahnitës të deteve. *
Në fillim të shekullit të 20-të, sulat i gjuanin për t’i ngrënë. Dhjami shërbente për qëllime mjekësore, kurse pendët ishin të mira për të mbushur dyshekë e jastëkë. Për të mbushur një dyshek të vetëm, duheshin pendët e nja 300 zogjve. Dikur vezët e sulave konsideroheshin ushqim i veçantë e i shijshëm, kurse sot nuk para pëlqehen më.
Sulat mund të jetojnë deri në 30 vjet dhe, pasi çiftohen, zakonisht qëndrojnë bashkë gjithë jetën. Janë zogj shtegtarë, që kthehen në janar te po ato vende ku kishin foletë, dhe i mbrojnë me tërë forcat. Në Shkëmbin Bas, foletë e ndërtuara me leshterikë
dhe bar, i bëjnë rreth një metër larg njëra-tjetrës. Kanë qejf t’i ngrenë në vende që i rreh era, se kështu mund të ngrihen fluturimthi e të lëshohen pingul mbi tokë.Është shumë tërheqëse t’i vëzhgosh këta zogj. Kur sula ngre kokën lart, me sqepin drejtuar nga qielli, do të thotë se pas pak do të nisë fluturimin. Kur rri kundruall një shpendi tjetër dhe përkul qafën e shpalos krahët, po paralajmëron se është gati ta mbrojë folenë. Para çiftimit, dy partnerët ndeshen me sqepa, por kur mashkulli e çukit lehtas në qafë, femra dorëzohet. Sulat bëjnë çdo vit nga një zog të vogël, dhe vezën mund ta ngrohë çdonjëri nga prindërit, duke i vënë përsipër këmbën e veshur me membranë, për ta mbajtur ngrohtë.
Sula e rritur është e bardhë, kurse cepat e krahëve bien në sy, se i ka të zinj. Krahët e shpalosur mund të arrijnë gjatësinë dy metra nga cepi në cep. Zogthat e vegjël, përkundrazi, janë të zinj, me njolla të bardha. Brenda 12 javësh pasi del nga veza, guga (siç quhet sula e vogël) peshon më shumë se prindërit. Ka më tepër shtresa dhjami, të cilat do ta ‘ushqejnë’ në shtegtimin e ardhshëm.
Sulat e vogla bëhen të pavarura, kur kridhen për herë të parë në det dhe arrijnë të notojnë. Mirëpo shumica e të vegjëlve nuk ia dalin të hidhen në ujë, pasi rrëshqasin nga shkëmbinjtë dhe shpesh thyejnë ndonjë këmbë a krah. Ata që ia dalin të qëndrojnë mbi ujë, mësojnë instinktivisht të peshkojnë. Më pas shtegtojnë—shpesh për në Afrikën Perëndimore—dhe ka të ngjarë që të mos kthehen në Shkëmbin Bas për 3 a 4 vjet.
Mahnitesh kur sodit se si kridhen sulat në det për të peshkuar. Arrijnë shpejtësi prej 100 kilometrash në orë. Tamam para se të zhyten nga një lartësi pak a shumë 30 metra, i ngrenë krahët lart, në formën e majës së shigjetës, dhe vrimat e hundës u vulosen. Sytë u vishen me një cipë mbrojtëse. Ndërkaq, disa qeska ajri nën lëkurë i shërbejnë trupit si jastëkë, pasi e mbrojnë nga tronditja kur përplaset në ujë. Përplasja mund të jetë aq e fortë, saqë stërkalat ngrihen goxha lart dhe peshqit nganjëherë ngelen pa ndjenja.
Kur janë nën ujë, sulat u japin krahëve e këmbëve, që të çajnë me not e të kapin prenë. Menuja e tyre përfshin peshq skumbër, sardele, harenga dhe ngjala deti. Peshkimi mund të zgjatë edhe 30 orë pa ndërprerje. Disa sula janë parë duke peshkuar shumë larg në lindje, gjer pranë brigjeve të Norvegjisë.
Shkëmbi Bas është edhe shtëpia e nja dhjetë llojeve të tjera zogjsh deti. Mirëpo, ngaqë kolonia e sulave zgjerohet pareshtur, këta janë të detyruar të zënë veç një copë vend. Në kohët e lashta, afro 600 vjet më parë, Shkëmbi Bas ishte një vend i qetë, ku njerëzit shkonin për t’u lutur e për të medituar. Më vonë, u fortifikua dhe shërbeu për njëfarë kohe si koloni ndëshkimore. Ndonëse te fari që u ndërtua në vitin 1902 nuk rri më kurrkush, drita e tij paralajmëruese shndrit ende tejembanë gjirit.
Kopshti i rojtarit të farit ka kohë që është mbuluar nga bimë të egra, e tani atje mbretërojnë ngadhënjimtare sulat e detit. Shpesh bëhen ekskursione me varka. Vizitorët nisen nga porti i vogël i Berikut Verior dhe i bien ishullit përqark, për t’i parë nga afër këta zogj. Udhëtimi është goxha i këndshëm—natyrisht, nëse moti është i qetë.
Megjithatë, falë teknologjisë moderne, vizitorëve nuk u shkon vizita huq edhe kur ka stuhi të tërbuara. Një shfaqje e veçantë në video në Qendrën Skoceze të Zogjve të Detit, në Berikun Verior, tregon çdo aspekt të jetës në Shkëmbin Bas. Pra, çfarëdo mënyre të zgjedhë, vizitori mund të kundrojë zhytësit fantastikë të Shkëmbit Bas. Është një përvojë e paharrueshme!
[Shënimi]
^ par. 3 Emri latin i sulës së veriut flet për origjinën e saj nga Shkëmbi Bas. Ajo klasifikohet sot me emrin Morus bassanus ose Sula bassana.
[Figura në faqen 27]
Kur kridhen, sulat arrijnë shpejtësinë 100 kilometra në orë
[Burimi]
© NHPA/Bill Coster
[Burimet e figurave në faqen 26]
Dy sulat: Stefan Ernst/Naturfoto-Online; sfondi: Jörn Meier/Naturfoto-Online