Tregime biblike të përshkruara me akull dhe borë
Tregime biblike të përshkruara me akull dhe borë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GJERMANI
«FANTASTIKE!» Kështu i përshkroi Anja përshtypjet e saj. Georgu tha: «Është mahnitëse të mendosh se ç’mund të krijohet me këtë material.» Plot kureshtje, një grup prej nesh shkuam në Lybek në veri të Gjermanisë për të parë Botën e Akullt, një festival skulpturash prej akulli. Tema ishte: «Bibla: Tregime nga Besëlidhja e Vjetër dhe nga Besëlidhja e Re.»
Kur mbërritëm në Lybek e famshmja Porta e Hollstajnit ndodhej nën një shtresë resh shiu. Vetëm pak hapa më tutje ndodhej një tendë me pamje të thjeshtë. Por brenda na priste një botë e shndritshme plot ngjyra, me borë dhe akull të transformuar në figura akulli të tejdukshme të cilat shkëlqenin me ngjyra që ndryshonin.
Që para se të nisnim vizitën kujtuam paralajmërimin që na ishte dhënë për t’u veshur mirë—bënte ftohtë brenda! Ndonëse -10°C mund të jetë një mot i butë për një banor të vendeve të ftohta, disa nga ne u shqetësuan kur morën vesh se kishin harruar shallet dhe dorezat. Gjithsesi figurat tërheqëse dhe plot ngjyra, prej akulli, na e hoqi shqetësimin.
Skena biblike me akull
Pamë një engjëll me një veshje palë-palë, i cili i binte një trumbete. Skulptura dukej sikur qëndronte pezull mbi dyshemenë me borë. Kishte një paraqitje në akull të fazave të ndryshme të krijimit, përfshirë edhe krijimin e Adamit. Duke ecur më tej erdhëm tek arka e Noesë. Qeshëm kur pamë hipopotamin që përpiqej të shtynte partneren e vet te dera e arkës, ndërkohë që një brejtës i vogël prej akulli dukej sikur po hynte vjedhurazi në arkë nën barkun e hipopotamit që kishte ngecur. Aty pranë ishte Noeja që qëndronte përbri një stive drush prej akulli.
Më tej shkuam te një skenë e kopshtit të Edenit që përshkruante mëkatin e Adamit dhe të Evës. Pastaj ndalëm te një skulpturë e stërmadhe që mezi pritnim ta shqyrtonim më nga afër: Moisiu me dy pllakat e Ligjit në dorë. Ç’gjë na e tërhoqi në veçanti vëmendjen tek ajo?
Te pllakat prej akulli nuk ishin shkruar Dhjetë Urdhërimet, por Tetragrami—emri i Perëndisë, Jehova. U drithëruam kur pamë emrin e Perëndisë në formën hebraike,
që ishte treguar në mënyrë aq të qartë. Madje, te broshura e ekspozitës kjo skulpturë e Moisiut ishte në kapak, dhe të binte menjëherë në sy Tetragrami në mes. Bëmë shumë fotografi të kësaj skene. Pranë saj ishte një statujë viçi që vezullonte një ngjyrë ari nën dritën e një projektori. Kjo na solli ndër mend idhujtarinë dhe imoralitetin në të cilën u përfshinë izraelitët shumë shpejt pasi u çliruan nga Egjipti.Mjerisht gdhendjet në murin prej bore, të figurave të Jakobit dhe të Esaut, si edhe ato të Jozefit dhe të faraonit ishin të vështira për t’u dalluar. Faktikisht disa gdhendje në murin prej bore u prishën, sepse tri javët e para ekspozita kishte pasur 100.000 vizitorë. Megjithatë, nuk kishte pësuar të njëjtën gjë gdhendja e madhe në mur e Samsonit, i cili po rrëzonte kolonat e tempullit filistin. Në një skenë tjetër përshkruhej ai në kohën kur Delila i preu flokët.
Gjithashtu paraqitej edhe personazhi biblik, Davidi, së pari kur mundi Goliadin dhe më pas kur nuk arriti t’i rezistonte tundimit për të mos parë Betshebën ndërsa lahej. Në një kënd tjetër ishte një përshkrim i lindjes së Jezuit. Ai ndodhej përballë skenës së gdhendur në murin prej bore që paraqiste Darkën e Fundit.
Pasi pamë tërë këto skulptura po ngrinim nga të ftohtët. Prandaj dolëm dhe shkuam te një bar te Holli i Hollstajnit që ndodhej aty afër. Në disa ekrane në holl paraqitej një video se si ishin bërë skulpturat.
Si u bënë skulpturat?
Në fillim nga Belgjika ishin transportuar me kamionë 350 tonë akull kristal të pastër në blloqe me përmasa rreth 2 me 1 dhe me 0,6 metra. Blloqet ishin vendosur mbi njëri-tjetrin sipas përmasave që do të kishin skulpturat që do të bëheshin me to. Makineritë e borës kishin prodhuar 200 tonë borë dhe e kishin hedhur në kuti të stërmëdha. Me ndihmën e sharrave elektrike me zinxhir, të daltave, të furçave të dhëmbëve dhe të pipëzave, skulptorët e transformuan akullin dhe borën në skena të bazuara në Bibël.
Sipas drejtueses së këtij projekti, Jana Kyrbisit, vështirësia kryesore ishte të krijoheshin dhe të ruheshin kushtet e duhura klimatike. Megjithatë e tërë puna për këtë projekt u vlerësua shumë. Një grua tha e mahnitur: «E pabesueshme!» Një burrë tha se ekspozita ishte «e jashtëzakonshme». Por gruas së tij i erdhi keq që dinte pak gjëra rreth Biblës.
Shumë veta, përfshirë edhe të rinj, shkonin nga skena në skenë dhe lexonin një përshkrim të shtypur në letër në lidhje me përmbajtjen e skenave të bazuara në Bibël.
Kur ikëm nga Festivali i Botës së Akullt, kishim jo vetëm shumë filma me fotografi, por edhe mbresa të thella nga tregimet biblike të përshkruara me borë dhe akull.
[Figura në faqen 16]
Forma hebraike e emrit të Perëndisë, Jehova, paraqitej në broshurën e ekspozitës
[Figura në faqen 17]
Krijimi i Adamit
[Figura në faqen 17]
Samsoni duke rrëzuar kolonat e tempullit filistin
[Figura në faqen 17]
Davidi dhe Goliadi
[Figura në faqen 17]
Arka e Noesë
[Burimet e figurave në faqen 16]
Moisiu në akull: fotografi nga Nils Bergman; kristal dëbore: snowcrystals.net; krijimi i Adamit: fotografi nga Nils Bergman