Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zbulime të mahnitshme në ekuator

Zbulime të mahnitshme në ekuator

Zbulime të mahnitshme në ekuator

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË EKUADOR

NË VITIN 1735, në të famshmen Akademinë e Shkencave të Parisit, u ndez debati për formën e saktë të Tokës. Përkrahësit e teorisë së Isak Njutonit nxorën përfundimin se Toka është një sferë me pole paksa të sheshta. Përkrahësit e shkollës së Kasinit mendonin se pjesa e sheshtë është në ekuator.

Prandaj, për të vërtetuar se cili nga grupet kishte të drejtë, në vitin 1736 u dërguan dy ekspedita për të bërë matjet e nevojshme. Njëra u nis për në Lapland, drejt polit të Veriut, kurse tjetra për në Ekuadorin e sotëm, drejt ekuatorit. * Vëzhgimet treguan se përkrahësit e Njutonit kishin të drejtë.

Në vitin 1936, afër kryeqytetit të Ekuadorit, Kuitos, u ndërtua një monument për të përkujtuar 200-vjetorin e misionit francez. Ai gjendet në 0 gradë gjerësi gjeografike, ose në ekuator, siç u verifikua nga shkencëtarët francezë të shekullit të 18-të. Edhe sot e kësaj dite, turistë të panumërt vizitojnë këtë monument të quajtur Mesi i Botës. Këtu mund të vënë njërën këmbë në njërën anë të ekuatorit, kurse tjetrën në anën tjetër, e kështu të ndodhen në të dyja hemisferat njëkohësisht. Por, a është vërtet kështu?

Në fakt, jo. Zbulimet e fundit e kanë spostuar paksa më tutje ekuatorin. Është e habitshme, por shekuj para se të mbërrinin shkencëtarët francezë, popujt vendës që jetonin në atë zonë, tashmë e dinin vendndodhjen e saktë. Si ka mundësi?

Ekuatori i vërtetë

Në vitin 1997, në majë të malit Katekila, i cili gjendet pak në veri të Kuitos, u zbuluan rrënojat e një muri në formë gjysmërrethi, të cilat fillimisht dukeshin pa ndonjë vlerë. Me anë të teknologjisë satelitore të përcaktimit të vendndodhjes në glob, studiuesi Kristobal Kobo zbuloi se njëri skaj i murit ndodhej pikërisht në ekuator. *

Vendosja e saktë e murit atje ku është vërtet ekuatori, mund të jetë shpërfillur duke e marrë thjesht si një rastësi. Megjithatë, një vijë që lidh dy skajet e murit, krijon një kënd 23,5 gradë me ekuatorin. Ky është gati saktësisht këndi i pjerrësisë së boshtit të Tokës. * Për më tepër, njëri skaj i vijës lidhëse drejtohet nga lindja e Diellit në solsticin e dhjetorit, kurse skaji tjetër drejtohet nga perëndimi i Diellit në solsticin e qershorit. Pas këtij zbulimi, të tjera zbulime pasuan.

Me anë të një teodoliti majë Katekilës, studiuesit vunë re se këndi i pjerrësisë së piramidave të Koçeskit, të periudhës para inkëve, përputhej me lindjen e Diellit në solsticin e qershorit. * Vlen të përmendet se Pambamarka, një tjetër vend arkeologjik, gjendet në një kënd që përputhet me lindjen e Diellit në solsticin e dhjetorit.

A është e vërtetë që Katekila shërbeu si qendra e vëzhgimeve astronomike? A u ndërtuan zonat e tjera sipas llogaritjeve astronomike të kësaj qendre?

Zbulime të tjera mahnitëse

Ndërsa pozicionet astronomike shënoheshin në një hartë, filloi të dukej një figurë​—një yll me tetë cepa. Ky yll me tetë cepa gjendet i skalitur në qeramikat e lashta dhe shpesh është menduar si simbol i thjeshtë i diellit, meqë banorët e hershëm të atij vendi e adhuronin atë. Copëzat prej qeramike të nxjerra në Katekila u analizuan dhe u zbulua se janë gati një mijë vjeçare. Edhe sot e kësaj dite, fiset vendëse endin yllin me tetë cepa në sixhade dhe veshje, siç bënin me sa duket paraardhësit e tyre. Megjithatë, paraardhësit mund ta kenë konsideruar këtë figurë edhe më të rëndësishme nga ç’mendohet.

Projekti Kuicatu, i drejtuar nga Koboja, po grumbullon dëshmi bindëse për njohurinë dhe mendjemprehtësinë e vendësve të lashtë në fushën e astronomisë. * Mbi dymbëdhjetë vende arkeologjike dhe shumë qytete të vjetra, janë parë se përputhen saktësisht me figurën e yllit astronomik, kur ky vendoset në hartë me Katekilën në qendër.

Akoma më mahnitës është fakti se ishte parathënë vendndodhja e mbetjeve të pazbuluara të asaj kohe. Si ishte e mundur? Në shtator të 1999-s, Projekti Kuicatu sugjeroi që gërmimet të bëheshin në sektorin Altamira të Kuitos, që ishte 23,5 gradë nga Katekila. Atje u gjet një nekropolis i madh, bashkë me qeramika të panumërta të periudhave para dhe gjatë kohës së inkëve si dhe gjatë kolonizimit.

Gjithashtu, disa nga rrezet e hequra nga Katekila binin përmes kishave të ndërtuara gjatë periudhës koloniale spanjolle. Koboja shpjegon se Këshilli i Limës, këmbënguli të ndërtoheshin «kisha, manastire, kisha të vogla dhe kryqe mbi të gjitha ‘uakaset’ pagane dhe vendet e adhurimit të banorëve vendës». Pse e bëri këtë?

Faktikisht, kurora mbretërore spanjolle i konsideronte pagane ato vende adhurimi. Prandaj i shkatërruan dhe, mbi rrënojat e tyre, ndërtuan kishat katolike. Ndërtimi i kishave në vendin e tempujve të lashtë të diellit, lehtësoi kthimin e vendësve në katolikë.

Kisha e Shën-Franciskos në sektorin e vjetër kolonial të Kuitos, ndodhet në një nga rrezet e Katekilës. U ndërtua në shekullin e 16-të, mbi një strukturë të ndërtuar para inkëve, dhe ishte projektuar në një mënyrë të tillë që, kur Dielli lindte në solsticin e dhjetorit, rrezet e tij depërtonin në kupolën e kishës dhe formonin mbi altar një trekëndësh që shkëlqente. Ndërsa Dielli vazhdonte të ngrihej në horizont, drita binte më poshtë dhe krijonte një hije të shndritshme mbi fytyrën e një shëmbëlltyre të quajtur «Perëndia Atë». Ky efekt krijohej saktësisht në solsticin e dhjetorit. Shfaqje të tilla të dritës së diellit gjendeshin edhe në arkitekturën e kishave të tjera, me qëllim që t’i kthenin në katolicizëm banorët vendës që adhuronin Diellin.

Si e dinin?

Si e dinte ai qytetërim i lashtë që Katekila ishte «mesi i botës»? Ka vetëm një vend në tokë ku gjatë ekuinokseve, objektet nuk bëjnë hije në mesditë​—në ekuator. Prandaj, ata të Projektit Kuicatu mendojnë se banorët e lashtë e kishin kuptuar ku ndodhej ekuatori duke vëzhguar me kujdes hijet e objekteve.

Për më tepër, mali Katekila është një observator astronomik natyror që s’kishte si të kalonte pa u vënë re nga njerëzit që adhuronin Diellin. Mali ngrihet 300 metra dhe shtrihet mes vargmaleve lindore dhe perëndimore të Andeve. Si pasojë, nga ana lindore e malit mund të shihnin lindjen e diellit, ndërsa nga ana perëndimore, perëndimin e tij. Për shembull, vullkanet e mahnitshme Kajambi dhe Antisana që i kanë majat të mbuluara me dëborë, ngrihen madhështore në lindje të horizontit me majat e tyre 4,8 kilometra të larta​—vende të përshtatshme për të vrojtuar lëvizjen e Diellit.

Gjithashtu, mali Katekila ofron një panoramë të qartë 360 gradë të 20 qyteteve të lashta dhe të 50 vendeve ku bëhen gërmime arkeologjike. Të gjitha shihen si në pëllëmbë të dorës pa pasur nevojë për instrumente optike. Për më tepër, si Jugu dhe Veriu duken që nga Katekila falë pozicionit të tij, zero gradë në ekuator. Prandaj, Katekila mund të quhet mesi i vërtetë i botës, sepse nuk ka vend tjetër në ekuator që të ofron tërë këto avantazhe, në një lartësi mbi 3.000 metra mbi nivelin e detit.

Pjesa më e madhe e ekuatorit kalon përmes oqeanit ose xhunglës tropikale, ku bimësia të pengon të vëzhgosh qiellin. Gjithashtu, bimësia nuk siguron pika referimi të qëndrueshme nga ku mund të nxirren përfundime, ngaqë gjethet ndryshojnë vazhdimisht, sepse disa thahen dhe disa dalin të reja. Vetëm në Kenia malet janë afër ekuatorit, por nuk ndodhen nga të dyja krahët, siç është Katekila. Po, Katekila ka një pozicion të privilegjuar, i vetmi vend i përshtatshëm për vëzhgime astronomike.

Cilët ishin ata?

Cilët ishin ata astronomë të lashtë? Ata të Projektit Kuicatu thonë se fiset indigjene, si kuitu ose kara, mund të kenë qenë të parët që e dinin vendndodhjen e ekuatorit. Megjithatë, projekti është ende në fazën e fillimit dhe ka akoma shumë për të mësuar.

Gjithsesi, janë të qarta disa koncepte bazë për banorët e lashtë. Ishte e nevojshme të kuptoheshin lëvizjet e dukshme të diellit, që të formoheshin kalendarët aq të dobishëm për bujqësinë. Meqë dielli është jetësor për të mbështetur jetën, s’është çudi që atëherë e adhuronin si perëndi. Prandaj, pavarësisht se në fillim nuk vëzhgohej për qëllime fetare, më vonë nisi të konsiderohej i shenjtë.

Zelli fetar i nxiti njerëzit të studionin me kujdes qiellin dhe trupat e tij ndriçues. Me kalimin e shekujve, falë studimeve të tyre u grumbullua një njohuri astronomike mbresëlënëse, që vetëm tani ka dalë në dritë me zbulimet e mrekullueshme që rrethojnë Katekilën.

[Shënimet]

^ par. 4 «Ekuador» është fjala në spanjisht për termin «ekuator».

^ par. 8 Nga ana tjetër, sipas këtij sistemi, monumenti i famshëm i Mesit të Botës ndodhet rreth 300 metra në jug të ekuatorit të vërtetë.

^ par. 9 Pjerrësia e boshtit të Tokës është saktësisht 23,45 gradë.

^ par. 10 Inkët pushtuan vendin që sot njihet si Ekuadori dhe e mbajtën për një periudhë pak a shumë të shkurtër​—nga 1470-a deri në 1532-shin, vit kur filloi kolonizimi spanjoll.

^ par. 14 «Kuicatu» vjen nga gjuha e indianëve tsakila që do të thotë «mesi i botës». Disa mendojnë se Kuito rrjedh nga ky term.

[Kutia dhe diagrami në faqen 23]

Solstici dhe ekuinoksi

Për shkak të pjerrësisë së tokës prej 23,5 gradësh, dielli asnjëherë nuk lind dhe nuk perëndon në po të njëjtin vend çdo ditë. Përkundrazi, gradualisht spostohet në veri dhe në jug të ekuatorit. Sigurisht, duket sikur lëviz Dielli, por në fakt është Toka që ndryshon pozicionin gjatë udhëtimit të saj vjetor përreth Diellit.

Një herë në vit, dielli lind në pikën më veriore: 23,5 gradë në veri të ekuatorit, atëherë kur gjatë orbitës së Tokës, boshti i saj anon plotësisht në drejtim të Diellit në Hemisferën Veriore. Kjo ndodh rreth 21 qershorit. Kur Hemisfera Jugore anon në maksimum në drejtim të Diellit, ai lind në pikën më jugore: 23,5 gradë në jug të ekuatorit. Kjo ndodh rreth 21 dhjetorit. Këto dy pika ekstreme quhen solstice.

Megjithatë, në mes të solsticeve, Dielli ndodhet vertikalisht mbi ekuatorin e Tokës. Kjo njihet si ekuinoksi, që do të thotë se dita dhe nata janë njësoj të gjata në të gjithë tokën. Rreth 20 marsit dhe 21 shtatorit, Dielli lind saktësisht në lindje, ndjek ekuatorin për 12 orë, dhe perëndon saktësisht në perëndim. Në mesditë gjatë ekuinoksit, Dielli është fiks mbi ekuator dhe prandaj asnjë objekt nuk bën hije.

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Solstici

20, 21, 22 ose 23 dhjetor

Ekuinoksi

19, 20 ose 21 mars

Solstici

20, 21 ose 22 qershor

Ekuinoksi

21, 22, 23 ose 24 shtator

[Figura në faqet 24, 25]

Mali Katekila, në majë janë rrënojat e lashta që ndodhen në ekuator

[Figura në faqen 25]

Shumë vende arkeologjike dhe qytete të lashta shtrihen saktësisht përgjatë figurës astronomike të yllit

[Figurat në faqen 25]

Ylli me tetë cepa që është gjetur i skalitur në qeramikat dhe sixhadet e lashta