Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Majkëll Agrikola dhe lindja e literaturës finlandeze

Majkëll Agrikola dhe lindja e literaturës finlandeze

Majkëll Agrikola dhe lindja e literaturës finlandeze

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË

«Asnjë libër tjetër përveç Biblës nuk ka ndikuar kaq shumë në kulturën, vlerat dhe mënyrën e të menduarit të finlandezëve.»​—«Biblia 350​—Bibla dhe kultura finlandeze.»

A E KENI Biblën në gjuhën tuaj mëmë? Ka shumë mundësi që po. Në fakt, Bibla​—e plotë ose pjesë-pjesë​—është në dispozicion në mbi 2.000 gjuhë. Dhe kjo s’ka ndodhur rastësisht. Gjatë historisë, plot burra dhe gra kanë punuar me zell për ta përkthyer Biblën në gjuhët vendëse, edhe kur kanë hasur pengesa të mëdha. Majkëll Agrikola ishte një prej tyre.

Agrikola ishte një intelektual që mori përsipër të përkthente Biblën në gjuhën finlandeze. Veprat e tij ndihmuan në lindjen e literaturës finlandeze që njihet sot. Ja përse njihet edhe si Njeriu i Agimit.

Agrikola lindi në vitin 1510 në fshatin Torsbi, në jug të Finlandës. I ati kishte një fermë dhe kjo shpjegon mbiemrin e tij Agrikola, nga fjala latine për «fermer». Ngaqë u rrit në një zonë ku fliteshin dy gjuhë, Agrikola ka të ngjarë të fliste edhe suedisht, edhe finlandisht. I përmirësoi edhe më tej aftësitë gjuhësore kur ndoqi një shkollë në latinisht, në qytetin e Viborgut. Më pas shkoi në Turku, qendra administrative e Finlandës në atë kohë, ku punoi si sekretar i Marti Skiterit, peshkopit katolik të Finlandës.

Feja dhe politika në kohën e tij

Në kohën e Agrikolës, Skandinavia ishte në gjendje kaosi. Suedia po luftonte të shkëputej nga Bashkimi Kalmar, që përbëhej nga vendet skandinave. Në 1523-shin, Gustavi I u kurorëzua mbret i Suedisë. Kjo do të ndikonte shumë te Finlanda, e cila në atë kohë ishte një provincë nën sundimin suedez.

Mbreti i ri kishte si qëllim të forconte pushtetin e vet. Për ta arritur këtë, përqafoi Reformën që po përhapej në gjithë Evropën Veriore. Duke ndërruar fenë e mbretërisë së tij nga katolike në luterane, ai shkëputi lidhjet me Vatikanin, minoi autoritetin e peshkopëve katolikë dhe konfiskoi pasuritë dhe pronat e Kishës Katolike. Edhe sot e kësaj dite, popullsia suedeze dhe finlandeze është kryesisht luterane.

Një synim kryesor i protestantizmit ishte që kishat t’i kryenin shërbimet fetare në gjuhën e popullit dhe jo në latinisht. Prandaj, në vitin 1526 u botuan në suedisht Shkrimet e Krishtere Greke, ose «Besëlidhja e Re». Megjithatë, ndikimi i protestantizmit në Finlandë ishte ende i dobët. Në atë kohë, kishte fare pak interes për ta përkthyer Biblën në gjuhën finlandeze. Pse?

Punë e «vështirë dhe e mërzitshme»

Një arsye kryesore ishte se mungonte literatura në finlandisht. Në vitet e para të shekullit të 16-të, vetëm disa lutje katolike ishin shkruar në atë gjuhë. Prandaj, puna për të përkthyer Shkrimet e Shenjta në finlandisht kërkonte të krijohej forma e shkruar e shumë fjalëve, si edhe të formoheshin fjalë dhe shprehje të reja. Për më tepër, kjo duhej bërë pa ndihmën e teksteve gjuhësore. Prapëseprapë, Agrikola iu fut punës për ta përkthyer Biblën.

Në vitin 1536, Skiteri, peshkopi katolik i Finlandës, e dërgoi Agrikolën në Vitenberg, Gjermani, për të vazhduar studimet për teologji dhe gjuhë. Sipas disa të dhënave, ai ishte qyteti ku 20 vjet më parë Luteri kishte ngulur me gozhdë në derën e katedrales 95 tezat e tij të famshme.

Ndërkohë në Vitenberg, Agrikola nuk u mjaftua vetëm duke studiuar teologji dhe letërsi. Ai nisi punën kolosale të përkthimit të Biblës në finlandisht. Më 1537, në një letër drejtuar mbretit suedez, ai shkroi: «Derisa Perëndia të drejtojë studimet e mia, siç kam nisur tashmë, do të përpiqem të vazhdoj të përkthej Besëlidhjen e Re në gjuhën e popullit finlandez.» Kur u kthye në Finlandë, vazhdoi të përkthente, duke punuar në të njëjtën kohë edhe si drejtor në një shkollë.

Për Agrikolën përkthimi i Biblës ishte po aq i lodhshëm sa edhe për përkthyesit e tjerë të hershëm. Madje, edhe Luteri kishte thënë: «Sa e vështirë dhe e mërzitshme është t’i detyrosh shkrimtarët hebrenj të flasin gjermanisht!» Kuptohet, Agrikola mund të përfitonte nga përkthimet e të tjerëve, por sfida më e madhe ishte gjuha finlandeze. Në fakt, nuk ekzistonte si gjuhë e shkruar.

Prandaj, ishte njësoj sikur Agrikola po ndërtonte një shtëpi pa një plan arkitekturor, me shumë pak materiale dhe ato të shpërndara. Si ia bëri? Nisi të zgjidhte fjalë nga dialekte të ndryshme të finlandishtes dhe i shkruante ashtu si shqiptoheshin. Ka të ngjarë të ketë qenë Agrikola i pari që krijoi termat «qeveri», «hipokrit», «dorëshkrime», «forca ushtarake», «model» dhe «skrib». Ai formoi fjalë të përbëra, fjalë që rridhnin nga fjalë të tjera dhe disa i mori «borxh» nga gjuhë të ndryshme, kryesisht nga suedishtja. Midis tyre janë enkeli (engjëll), historia (histori), lamppu (llambë), marttyyri (martir) dhe palmu (pemë palme).

Fjala e Perëndisë për vendësit

Më në fund, në vitin 1548, u botua pjesa e parë e përkthyer nga Agrikola, e titulluar Se Wsi Testamenti (Besëlidhja e Re). Disa mendojnë se ky përkthim u përfundua pesë vjet më parë, por shtypja u vonua për shkak të mungesës së parave. Me sa duket, vetë Agrikola financoi pjesën më të madhe të shtypjes.

Tre vjet më vonë dolën Dauidin Psaltari (Psalmet), të cilat Agrikola ka mundësi t’i ketë përkthyer me ndihmën e kolegëve të tij. Gjithashtu, ishte i pari që filloi të përkthente disa nga librat e Moisiut dhe të profetëve.

Duke pranuar përulësisht kufizimet e veta, Agrikola shkroi me ndershmëri: «Asnjë i krishterë, njeri që zbaton ligjet e Perëndisë ose çdo lexues i këtij Libri të Shenjtë le të mos inatoset nëse shikon gabime, ndonjë gjë të çuditshme, të pakëndshme ose të shprehur në një mënyrë të re te ky përkthim i bërë nga dikush që s’kishte përvojë në këtë fushë.» Pavarësisht nga gabimet që mund të gjenden në përkthimet e Agrikolës, është për t’u admiruar zelli i tij për ta vënë Biblën në dispozicion të njerëzve të thjeshtë.

Trashëgimia e Agrikolës

Në fillim të vitit 1557, Agrikola​—asokohe luteran dhe peshkopi i qytetit të Turkut​—u zgjodh të merrte pjesë në një delegacion që u dërgua në Moskë për zgjidhjen e debatit për kufijtë mes Suedisë dhe Rusisë. Misioni doli me sukses. Megjithatë, Agrikola u sëmur kur po kthehej për shkak të kushteve të vështira të udhëtimit. Ai vdiq rrugës për në shtëpi, rreth moshës 47-vjeçare.

Gjatë jetës së tij relativisht të shkurtër, Agrikola botoi vetëm dhjetë vepra në finlandisht, gjithsej 2.400 faqe. Gjithsesi, shumë veta mendojnë se ai i dha shtysë lindjes së literaturës finlandeze. Që nga ajo kohë, gjuha dhe popullsia finlandeze kanë bërë hapa të mëdhenj përpara në fushën e artit dhe të shkencës.

Ç’është më e rëndësishme, Majkëll Agrikola ndihmoi që drita e Fjalës së Perëndisë të bëhej më e qartë për popullsinë që flet gjuhën finlandeze. Kjo është përmbledhur në një poemë përkujtimore shkruar për të në latinisht, pasi vdiq: «Ai nuk la pas asnjë trashëgimi. Në vend të testamentit është puna e tij​—përktheu librat e shenjtë në finlandisht​—dhe ajo punë e çmuar ia vlen të lavdërohet.»

[Kutia dhe figura në faqen 23]

Bibla në finlandisht

Bibla e parë e plotë në finlandisht, e bazuar shumë te puna e Majkëll Agrikolës, u botua në vitin 1642. Me kohë, ajo u bë Bibla zyrtare e Kishës Luterane Finlandeze. Me kalimin e viteve, ai tekst është rishikuar disa herë, por mbeti pothuajse i paprekur deri në vitin 1938. Rishikimi i fundit doli më 1992.

E vetmja Bibël tjetër, e plotë edhe në finlandisht, është Shkrimet e Shenjta​Përkthimi Bota e Re, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Ajo doli në vitin 1995. Njëzet vjet më parë, në vitin 1975, Dëshmitarët kishin botuar tashmë përkthimin e Shkrimeve të Krishtere Greke. Versioni Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re, ka mbetur besnik ndaj tekstit origjinal. Deri tani, janë shtypur rreth 130.000.000 kopje.

[Figura në faqen 22]

«Majkëll Agrikola dhe Bibla e parë në finlandisht.» Kartolinë e vitit 1910

[Burimi]

National Board of Antiquities/Ritva Bäckman

[Figura në faqen 23]

«Besëlidhja e Re» e Agrikolës

[Burimi i figurës në faqen 21]

National Board of Antiquities