Myku—Mik dhe armik
Myku—Mik dhe armik
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SUEDI
Disa myqe shpëtojnë jetë; të tjera vrasin. Disa u japin shije djathërave dhe verërave; të tjerat prishin ushqimet dhe i bëjnë helmuese. Disa rriten nëpër trungje; të tjera veshin muret e banjës dhe dëmtojnë librat. Myqet janë kudo, madje sporet e tyre ndoshta po ju futen në hundë, teksa lexoni këtë fjali.
NËSE ju duket çudi që myku gjendet kudo rreth e përqark, lini diku një fetë buke, madje edhe në frigorifer. Vetëm pas pak ditësh ajo do të mbulohet me një shtresë si push—myku!
Çfarë është myku?
Myku bën pjesë në grupin e kërpudhave, i cili përmban mbi 100.000 lloje, duke përfshirë vrugun, kërpudhat që hahen, ndryshkun e bimëve dhe majanë. Nga sa dihet, vetëm 100 lloje të këtij grupi shkaktojnë sëmundje te njerëzit dhe kafshët. Shumë të tjera luajnë një rol të rëndësishëm në zinxhirin ushqimor, duke shpërbërë mbeturinat organike. Në këtë mënyrë, bëjnë qarkullimin e elementëve të domosdoshëm, duke i kthyer në një formë që bimët mund ta thithin. Ka edhe lloje që janë në simbiozë me bimët, duke i ndihmuar të thithin lëndët ushqyese nga toka. Lloje të tjera janë parazite.
Myku e fillon jetën si një spore mikroskopike që e sjell era. Nëse sporja bie në ndonjë vend ku mund të ushqehet, e nëse ka edhe temperaturën e nivelin e duhur të lagështirës, ajo zhvillohet dhe formon qeliza në trajtë fijëzash që quhen hife. Kur hifet formojnë një koloni, masa si push dhe e ngatërruar që krijojnë ato, quhet micel. Ky është myku që shohim. Myku mund të duket edhe si pisllëk ose njollë, për shembull kur krijohet në shtresën me allçi midis pllakave të banjës.
Myku është mjeshtër i riprodhimit. Në mykun e zakonshëm të bukës, Rhizopus stolonifer, pikat e vockla të zeza janë grupe sporesh ose sporangje. Vetëm një pikë ka mbi 50.000 spore, e secila prej tyre mund të prodhojë qindra milionë spore të tjera brenda pak ditësh. Po të ketë kushtet e duhura, myku mund të rritet në libra, në çizme ose në letrat që veshin muret, po aq mirë sa ç’rritet në ndonjë trung në pyll.
Si «ushqehet» myku? Ndryshe nga kafshët dhe njerëzit, që në fillim hanë dhe pastaj e thithin ushqimin nëpërmjet procesit të tretjes, shpesh myku bën të kundërtën. Kur molekulat e lëndëve organike janë tepër të mëdha ose komplekse, aq sa myku nuk i thith dot, ai lëshon enzima tretëse që i shpërbëjnë molekulat në pjesë më të vogla që arrin t’i thithë. Gjithashtu, meqë myku nuk mund të lëvizë për të kërkuar ushqim, ai duhet të jetojë mbi ushqim.
Myqet mund të prodhojnë lëndë helmuese, që janë quajtur
mikotoksina, të cilat mund të shkaktojnë reaksion te njerëzit dhe kafshët. Myku mund të hyjë në organizëm nëpërmjet frymëmarrjes, gëlltitjes ose kontaktit me lëkurën. Por myku nuk është gjithnjë i dëmshëm, pasi ka edhe disa veti shumë të dobishme.Dobitë e mykut
Në vitin 1928, shkencëtari Aleksandër Fleming rastësisht vuri re se myku i gjelbër kishte veti të ngordhte mikrobet. Ky myk, që më vonë u quajt Penicillium notatum, asgjësonte bakteret, por ishte i padëmshëm për njerëzit dhe kafshët. Ky zbulim çoi në prodhimin e penicilinës, që është quajtur «jetëshpëtuesja më e efektshme në mjekësinë moderne». Për punën e tyre, Flemingu dhe dy studiues të tjerë, Hauard Floreji dhe Ernst Çejni, morën çmimin Nobel në mjekësi në vitin 1945. Që prej asaj kohe, myku ka shërbyer për të nxjerrë një sërë substancash të tjera mjekësore, siç janë ilaçet për trombozën, migrenën dhe sëmundjen e Parkinsonit.
Myku është përdorur edhe për të dhënë shije. Si shembull le të marrim djathin. A e dini se djathërat Brie, Camembert, Roquefort, Stilton si edhe djathi blu danez dhe gorgonxola kanë shije të veçantë falë disa llojeve të mykut Penicillium? Po kështu, sallami, salca e sojës dhe birra i detyrohen shumë mykut.
Po njësoj edhe me verën. Kur disa lloje rrushi vilen në kohën e duhur dhe kanë në çdo bistak sasinë e duhur të mykut, mund të prodhohen verëra të shkëlqyera për të shoqëruar ëmbëlsirën a frutat pas buke. Myku Botrytis cinerea ia shton sheqerin rrushit dhe e bën më të shijshëm. Në qilarët e verës, myku Cladosporium cellare e lezeton edhe më tepër verën gjatë staxhionimit. Ja si mund ta parafrazojmë një proverb të vreshtarëve hungarezë: «Myku i mirë bën verë të mirë.»
Kur myku bëhet armik
Edhe veçoritë e dëmshme të disa myqeve kanë një histori të lashtë. Në shekullin e gjashtë p.e.s., asirianët përdornin mykun Claviceps purpurea për të helmuar puset e armiqve—një formë e vjetër e luftës biologjike. Në mesjetë, po ky myk, që ndonjëherë krijohet te thekra, u shkaktonte shumë njerëzve kriza epileptike, dhembje sikur ishin djegur, gangrenë dhe halucinacione. Ky çrregullim që sot njihet si ergotizëm, u quajt zjarri i Shën Antonit, sepse shumë të sëmurë, duke shpresuar për ndonjë shërim të mrekullueshëm, vajtën për pelegrinazh në faltoren e Shën Antonit në Francë.
Lënda më e fortë kancerogjene (që shkakton kancer) që njihet deri më sot, aflatoksina, është një helm që prodhohet nga myku. Në një vend aziatik, 20.000 veta në vit vdesin nga aflatoksina.
Kjo përbërje vdekjeprurëse është përdorur në armët biologjike moderne.Megjithatë, në jetën e përditshme, ekspozimi ndaj mykut nuk është kërcënues për shëndetin, por jep simptoma të bezdisshme. «Shumica e myqeve, edhe nëse i nuhatni, nuk janë të dëmshme»,—thotë buletini UC Berkeley Wellness Letter. Njerëzit, trupi i të cilëve nuk reagon mirë ndaj mykut, janë ata që vuajnë nga problemet e mushkërive, të tilla si astma. Të prekshëm janë edhe njerëzit me alergji, ata që janë të ndjeshëm ndaj substancave kimike ose që e kanë të dobët sistemin imunitar si dhe bujqit që ekspozohen ndaj sasive të mëdha të mykut. Gjithashtu, më të ndjeshëm mund të jenë edhe foshnjat e të moshuarit.
Sipas Departamenti të Shërbimeve Shëndetësore në Kaliforni, Shtetet e Bashkuara, myku mund të shkaktojë simptomat e mëposhtme: ‘Probleme të frymëmarrjes, si frymëmarrje e rënduar, vështirësi në frymëmarrje, gulçim; kongjestion të hundës dhe të sinuseve; acarim të syve (djegie, lotim ose skuqje); kollë të thatë, acarim të hundëve ose të fytit; njolla të kuqe ose acarim të lëkurës.’
Myku dhe ndërtesat
Në disa vende, është e zakonshme të dëgjosh që mbyllen shkollat ose boshatisen shtëpitë a zyrat ngaqë duhen pastruar nga myku e pastaj duhen meremetuar. Në fillim të vitit 2002, Muzeun e Arteve Moderne në Stokholm, Suedi, që sapo ishte hapur, u desh ta mbyllnin për shkak të mykut. Meremetimi kushtoi rreth pesë milionë dollarë. Pse është përhapur më shumë kohët e fundit ky problem?
Kjo lidhet me dy faktorë: materialet e ndërtimit dhe projekti. Në dekadat e fundit, ndër materialet e ndërtimit, po përdoren disa që zënë më kollaj myk. Një shembull janë muret me pllaka gjipsi, që shpesh përbëhen nga disa shtresa letre të bashkuara me një shtresë prej allçie të ngurtësuar. Kjo shtresë mban lagështirë. Kështu, nëse ky material mbetet i lagësht për një kohë të gjatë, sporet e mykut shtohen dhe zhvillohen duke u ushqyer me letrën e pllakave.
Edhe projektet e ndërtesave kanë ndryshuar. Përpara viteve 70, shumë ndërtesa në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të tjera ishin më pak të izoluara sesa ndërtesat e sotme. Ndryshimet erdhën nga dëshira për të kursyer energji, prandaj ndërtesat u izoluan më mirë që të shkëmbenin sa më pak nxehtësi me mjedisin e jashtëm. Si pasojë, po hyri ujë brenda, lagështia mbetet më gjatë, duke ndihmuar zhvillimin e mykut. A ka ndonjë zgjidhje për këtë problem?
Mënyra më e mirë për ta parandaluar ose të paktën për ta lehtësuar problemin e mykut është që gjithçka brenda, të mbahet e pastër, e thatë dhe ambienti të ketë sa më pak lagështirë. Nëse lagështira formohet diku, thajeni mirë vendin dhe bëni ndryshimet ose riparimet e nevojshme, që të mos mblidhet prapë ujë. Për shembull, mbajini të pastra dhe në gjendje të mirë çatinë dhe ulluqet. Sigurohuni që dheu vjen i pjerrët aty ku bashkohet me ndërtesën, që të mos grumbullohet ujë te themelet. Nëse keni kondicioner, mbajini të pastra dhe të zhbllokuara pjesët ku kullon uji.
«Parandalimi i lagështirës është çelësi për të parandaluar mykun»,—thotë një burim. Disa masa të thjeshta mund t’ju ndihmojnë që ju dhe familja juaj të mos përballeni me anën e dëmshme të mykut. Myku është pak a shumë si zjarri. Mund të sjellë dëme, por mund të jetë edhe tejet i dobishëm. Varet si e përdorim dhe si parandalojmë përhapjen e tij. Sigurisht, kemi ende goxha për të mësuar për mykun. Por sa më shumë njohuri të marrim për krijimin e mrekullueshëm të Perëndisë, aq më shumë dobi do të kemi.
[Kutia dhe figura në faqet 14, 15]
A PËRMENDET MYKU NË BIBËL?
Në Bibël përmendet ‘plaga e lebrës në shtëpi’, duke folur për vetë ndërtesën. (Levitiku 14:34-48) Mendohet se ky fenomen, i quajtur edhe «lebër ngjitëse», ishte një formë vrugu ose myku, por kjo nuk është e sigurt. Sido që të jetë, Ligji i Perëndisë i udhëzonte pronarët e shtëpive të hiqnin gurët ku ishte plaga, të kruanin tërë shtëpinë nga brenda, dhe gjithçka që dyshonin se ishte prekur nga plaga, ta hidhnin në «një vend të papastër» jashtë qytetit. Nëse plaga rishfaqej, e gjithë shtëpia duhej shpallur e papastër, shembej e materialet hidheshin. Udhëzimet e hollësishme të Jehovait tregonin për dashurinë e tij të thellë për popullin e vet dhe shëndetin e tyre.
[Figura në faqen 13]
Ilaçet e përftuara nga myku kanë shpëtuar shumë jetë
[Figura në faqen 15]
Muret e gjipsit dhe vinili e mbajnë lagështirën, e kjo favorizon mykun